Ndalimi i fesë dhe liria e besimit
Nga: Aorel Senja
Feja ka jetuar ne tokë bashkë me njeriun e parë Profetin Adem (a.s). Ajo është një sistem hyjnor i përcaktuar nga Zoti, por që është në përputhje dhe në përshtatje të plotë me natyrën njerëzore. Pra, feja nuk është e huaj për njerëzimin, ajo lindi bashkë me të si dicka e pandashme nga lloji njerëzor. Përvoja historike ka vërtetuar se feja ka qenë bashkëudhëtare e shoqërive të ndryshme, edhe pse jo me të njëjtën formë, bashkë me ulje-ngritjet e saj, ajo ka arritur ta ruajë thelbin dhe esencën e saj deri në ditët që ne jetojmë.
Edhe Shqipëria, si shumë vende të tjera, si përqafuese e ideve të reja socialiste-komuniste bëri që midis shqipëtarëve të ndihej vështirësia për kultivimin e vlerave të besimit dhe keshtu ky sistem u mundua që cfarëdo lloj vlere t`i mvishte antivlera, duke propaganduar para njerëzve “fenë si opium për popullin“.
Propaganda antifetare sa vinte edhe bëhej më e ashpër, e cila më pas e kishte si synim t’i jepte popullit besimtar edhe goditjen e fundit.
Ajo përdori cdo mjet, cdo dobësi të përfaqësuesve fetarë, cdo dobësi mendore-psikologjike të njerëzve dhe cfarëdo lloj metode tjetër, për të formuar një imazh të vrazhdë të fesë.
Në radhë të parë përkrahësit e ideve komuniste akuzuan tekstin fetar, duke e quajtur atë dogmë fetare, zakon prapanik, I cili ngushtësonte vizionin dhe lirinë e individit. Më pas ata akuzuan dhe shpalosën faktet e tyre, edhe pse shumë herë jo të qëlluara, rreth figurës së klerit, duke hedhur baltë mbi të dhe duke e bërë të urryer ne sytë e njerëzve. Kleri u akuzua si përdorues i fesë për interest e tij, si bashkëpunues me okupatorin dhe si tradhëtar i misionit të përbashkët kombëtar. Gjithashtu, në propagandën e tyre të ashpër u përzie edhe kanuni me tekstet e besimit fetar, edhe pse te dy ishin shume larg prej njëri-tjetrit.
Gruaja myslimane ishte e izoluar nën rrobën dhe vellon e saj, e prapambetur duke zbatuar rregullat fetare. Përgjithësisht, sipas tyre idetë fetare ishin degraduese për njeriun, i cili duhet të shihte se si të hidhte hapat për zhvillim e përmirësim të jetesës, ndryshe nga ajo që kishte bërë në të shkuarën. Tanimë cdo e shëmtuar shkonte në llogari të besimit dhe cdo organ shtetëror ende i paformuar gjente mbështetës vecanërisht shtresën rinore të popullit.
Panorama e besimit sa vinte dhe bëhej më e errët dhe ajo duhet të zhdukej njëherë e përgjithmonë, edhe pse vetë paria e komunistëve ishte e bindur se kjo nuk do të ishte punë e lehtë. Feja vazhdoi të akuzohej për prapambetje, u akuzua si kundërshtuese e shkencës, si ngujim për njeriun dhe si pengesë për botën moderne, të cilës shqipëtarët i ishin ngjitur pas për ta arritur me cdo kusht.
Pushteti kishte pregatitur cdo terren të mundshëm, rinia të cilës i ishte injektuar doza antifetare ishte e gatshme për t`i dhënë besimit goditje të njëpasnjëshme dhe më pas deri në rrëzimin e tij. Përballë besimtarëve dhe simpatizantëve të fesë tanimë qëndronte një sfidë tepër e vështirë, një luftë me bashkëkombasit për dicka cmimi i se cilës ishte i pamasë, lufta për të mbrojtur besimin që i jepte jetë jetës së tyre.
Intelektualët më në zë të feve të ndryshme u përpoqën me cdo kusht për vërtetimin dhe nxjerrjen në pah të së vërtetës, e cila thoshte se feja dhe besimi janë vecse burim I së mirës, ndërsa ideologjia komuniste është shkatërrim për llojin njërëzor. Zëri i tyre u mbyt nga zëri i komunistëve të rinj, të cilët edhe pse me argumente qesharake arritën të bindin popullin e pashkolluar dhe ende të paformuar.
Me ardhjen në pushtet të komunistëve u vërejtën shumë ndryshime në jetën dhe ideologjinë e popullit, duke ardhur me një ideologji të re, e cila tanimë do ta udhëhiqte vendin drejt zhvillimit, zhvillim ky i cili nuk u arrit kurrë. Ky lloj sistemi mohoi dhe hodhi poshtë me dhunë cfarëdo lloj mendimi, sado njerëzor, por që nuk përputhej me ideologjinë dhe interesin e tyre. Feja, për ta paraqiste më së shumti rrezik, për faktin se botëkuptimi fetar pengonte përhapjen e ideve të tyre dhe padyshim që tanimë partia fitoi besim të rrejshëm te masa e gjerë e popullit.
Të shkatërrosh, të përndjekësh njerëzit e kombit tënd me pa të drejtë, nuk tregon për një sistem i cili është me të vërtetë i ndritur ashtu si tregohej dhe këto lloj veprimesh e japin qartë tablon e së ardhmes, e cila nuk do të jetë gjithashtu e ndritur. Megjithatë, vlen për tu përmendur se komunizmi metodën e vetme të cilën e përdori për përhapjen e ideve të veta ishte metoda e dhunës, e cila kurrë nuk ka rezultuar e suksshme në historinë njerëzore, edhe pse pasojat kanë qenë vërtet të rënda. Me këtë lloj metode arrihen shumë gjëra për një kohë të shkurtër, por ato mbesin po aty dhe janë të destinuara që shumë shpejt të vdesin.
Të gjithë jemi dëshmitarë të dhunës fiziko-psikologjike të ushtruar nga sistemi i kohës kundrejt institucionit të besimit dhe atij fetar dhe po të gjithë ne jemi dëshmitarë të faktit se ky institucion kaq i lartë kurrë nuk u hoq dot nga zemrat e njerëzve. Kjo ishte dhe ka për të qenë lufta më e dështuar edhe pse me dëme tepër të mëdha. Ata njerëz që dje ishin përkrahës të komunizmit dhe shumë të tjerë të detyruar të vepronin nën zgjedhën e sistemit, sot po ngrihen të gjithë së bashku për të rihapur vend-adhurimet e tyre të shenjta.
Ata po ngrihen të thonë me zë të lartë që hyjnorja dhe tokësorja janë një e vetme e pandashme dhe njeriu pa të nuk bën dot.
Është gjithashtu e rëndësishme të themi se; ata pak njerëz të ditur ne fushën e fesë, asnjëherë nuk u tërhoqën pas, vazhduan ta jetojnë fenë e tyre dhe u munduan për përhapjen e saj me cdo metodë. Ata i ftuan shqipëtarët të zgjoheshin sërish, ashtu si i kishin ftuar më herët që të mblidheshin kundra armiqve të huaj, kërkuan mbështetje dhe dëshironin të thonin atë që donin dhe të mendonin në mënyrë të hapur.
Pas shembjes së komunizmit në Shqipëri dhe rivendosjes së lirisë së besimit, në mbarë vendin u bënë përpjekje të mëdha për rikuperimin dhe gjallërimin e jetës fetare. Që në fillimet e këtij procesi u rishfaq në një mënyrë mbresëlënëse tradita e vyer e mirëkuptimit, tolerancës dhe bashkëpunimit vëllazëror të shqipëtarëve të besimeve të ndryshme. Shumë prej nesh i kujtojnë më së miri ato ditë të entuziasmit dhe të ngazëllimit të përgjithshëm kur myslimanë, ortodoksë e katolikë, morën pjesë në ceremonitë e njëri-tjetrit për rihapjen e institucioneve fetare, sikundër edhe sot e kësaj dite festojnë së bashku ditët e shenjta të njëri-tjetrit.1
Në shoqëritë e lira demokratike, liria e fesë shikohet si një tregues i rëndësishëm I shkallës së lirive demokratike që karakterizon një shoqëri. Liria për të pasur një fe dhe për ta praktikuar, për ta ndryshuar ose për të mos pasur fe, është një nga bazat e të gjitha lirive. Përvoja ka treguar se mungesa e lirisë fetare mund të shpjerë në pasoja mjaft të rënda për stabilitetin politik të një vendi dhe për paqen ndërkombëtare. Por, edhe intolerance fetare ka qenë me pasoja të rënda për zhvillimin historik të një vendi.2
Historia mbetet në fillim per tu mësuar nga brezi i ri dhe më pas për të përfituar nga mesazhi i rëndësishëm i kësaj përvoje historike. Disa nga këto mesazhe të rëndësishme jane: Besimi ndodhet në zemrat e njerëzve, kjo ndjenjë kur kultivohet mirë e shtyn bartësin e saj për të vepruar mirë, për të mbrojtur kombin dhe per t`i përhapur këto vlera universale te mbarë njerëzimi.
Le ta kultivojmë sa më shumë besimin në zemra tona, ta forcojmë sa më shumë atë, në mënyrë që asnjë forcë dhe ndikim i jashtëm të mos ndikojë mbi të. Të punojmë për të ringritur vlerat tona, të jemi krenarë që jemi besimtarë dhe të vazhdojmë ta gëzojmë lirinë e besimit.
1 Duka, Ferit, Toleranca dhe mirëkuptimi ndërfetar si dimension I historisë kombëtare të shqiptarëve.
2 Sinani, Gjergj, Liria e fesë në konteksin e modelit europian të marrëdhënieve ndërmjet shtetit dhe fesë.
© URTESI.AL