Kumtesa tek profetët
Një nga qëllimet e tjera të dërgimit të profetëve është edhe kumtesa fetare. Po të mos kishin ardhur profetët, ne nuk do të mund t’i dinim çështjet lidhur me adhurimin, nuk do të mund të merrnim urdhrat dhe ndalimet dhe nuk do të mund të konceptonim përgjegjësinë tonë. Ç’janë namazi, agjërimi, zeqati dhe haxhi? Ç’është statusi i ndalimeve të tilla si pijet alkoolike, kumari, adulteri, faizi, etj? Të gjitha këto dhe shumë çështje të tjera të ngjashme i njohim sot me anë të ndërmjetësisë së profetëve. Kësaj i themi shkurt “detyra e kumtesës” që ka qenë po ajo tek të gjithë profetët, të cilët kanë ardhur me të njëjtat mesazhe dhe kanë thënë të njëjtat gjëra në çështjet kryesore edhe nëse kanë pasur dallime në hollësirat.
Qëllimi dhe detyra e përgjithshme e profetëve shprehet kështu në Kur’an: “Ata që kumtojnë fjalën e Allahut, frikësohen vetëm prej Tij e askujt tjetër. Mjafton Allahu si llogarikërkues!” (Kur’ani, Ahzab: 39).
Po ata kanë ardhur për të realizuar një qëllim të tillë. Pengesa që u ka zënë rrugën, kushdo qoftë dhe çfarëdo qoftë, nuk ndikon tek ata as sa grimca, sepse ata s’e njohin se ç’është frika. Sepse ata kanë frikë gjithmonë vetëm Allahun! Lidhur me këtë çështje, Profetit tonë i thuhet kështu: “O i Dërguar! Kumtoje atë që t’u revelua prej Zotit tënd! Nëse nuk e bën këtë, atëherë nuk e ke kryer detyrën. Allahu do të të mbrojë prej njerëzve. Allahu nuk e fut në rrugë të drejtë popullin mohues!” (Kur’ani, Maide: 67).
Këtu kuptohet se plotësimi i detyrës së kumtesës prej profetit nuk ka të bëjë me atë si individ, pra, nuk kufizohet në planin individual, por ka përmasa mbarënjerëzore, sepse detyra e tij është të ndriçojë gjithë njerëzimin.
Kumtesa te i Dërguari i Allahut
Pasi mori përsipër këtë detyrë të lartë, e gjithë jeta e Profetit kaloi me kumtesën fetare. Ai shëtiste derë më derë dhe kërkonte fytyra dhe zemra të njohura të cilëve të mund t’u kumtonte mesazhin e tij.
Kundërveprimi i frontit përballë, në fillim, qe në formën e indiferencës e të bojkotit. Pastaj vazhdoi me përqeshje e tallje dhe, në fund, me të gjitha format e mundimeve e torturave. I vinin gjemba në rrugën nga kalonte, e vinin në lojë kur falej dhe e konsideronin me vend çdo lloj sulmi dhe dhune ndaj tij. Kurse i Dërguari i Allahut nuk u mërzit e nuk u zbraps prej asnjërës prej tyre, sepse ai kishte ardhur në botë për një qëllim të caktuar. I shkoi disa herë me radhë secilit njeri, përfshi edhe armiqtë e tij vrasës dhe ua paraqiti mesazhin hyjnor. Po, s’dihet se sa herë u shkoi edhe armiqve të fesë e të besimit si Ebu Xhehl dhe Ebu Leheb dhe u tregoi se ç’ishte e drejta dhe e vërteta. Shëtiste nëpër panaire, vërtitej nga çadra në çadër për t’u bërë pretekst i orientimit edhe të një njeriu të vetëm. Portat ku trokiste, i mbylleshin para syve, por një radhë tjetër ai prapë trokiste në atë portë dhe përsëriste të njëjtat gjëra… Kur iu prenë shpresat në Mekë, shkoi në Taif. Taifi ishte një vend klimaterik e turistik. Të përkëdhelur prej rehatit dhe mirëqenies, taifasit dolën më brutalë se mekasit. U mblodhën gjithë fundërrinat dhe e përzunë me gurë të Dërguarin e Madh, atë diellin e diejve… Me vete ai kishte marrë birin për shpirt, Zejdin e Harisesë i cili, duke e bërë mburojë trupin e vet, u përpoq ta mbronte Profetin. Megjithatë, disa gurë që e goditën, ia përgjakën trupin e bekuar.
Duke u shmangur nga ajo atmosferë keqkuptimi, Profeti qe tërhequr në rrëzë të një peme kur ia behu Xhebrail Emini që i kërkoi leje t’u përmbyste mbi kokë malin atyre njerëzve azganë. Qoftë edhe në këto çaste kur ndihej i thyer keqas, nuk mendonte ashtu dhe i përgjigjej “jo” Engjëllit. Duke pasur parasysh se dikush nga ata do të mund të hapte sytë te besimi, ai kundërshtonte ndëshkimin…
Pastaj ai hapi duart dhe iu lut Zotit të tij:
“Zoti im! Të ankohem Ty për pafuqinë, dobësinë dhe për faktin që njerëzve u dukem i pavlerë! O Mëshirues e Bamirës! Ti je Zoti i atyre të pashpresëve që duken të dobët e të pavlerë! Ti je Zoti im! Atëherë, në dorë të kujt po më lë? Në dorë të gojëkëqinjve, të fytyrëprishurve apo të armiqve që përzihen në punët e mia? Nëse me këtë nuk kërkon të më ndëshkosh, nuk ua vë veshin fare belarave e mundimeve. Ndërkaq, mirësia Jote, ashtu siç dëshirohet, është shumë më prehëse, shumë më e gjerë. O Zot, për t’u mbrojtur nga përfshirja e ndëshkimit Tënd apo nga meritimi i pakënaqësisë Tënde, në kompetencën Tënde të merituar të punëve të të dy botëve strehohem, në Fytyrën Tënde-Dritë strehohem! O Zot, e pres faljen Tënde gjersa ta miratosh atë! O Zot, gjithë fuqia dhe transformimi vetëm në dorën Tënde janë!”
Ndërsa ai lutej kështu, dikush afrohet në heshtje dhe i vë përpara të Dërguarit të Allahut një tabaka me vile rrushi dhe thotë: “Urdhëro e ha!” Duke zgjatur dorën për të marrë rrush, Profeti thotë “Bismillah”, “Në emër të Allahut!” Për skllavin me emrin “Addas” që solli rrushin, kjo ishte një ngjarje e papritur. Dhe pyet me habi: “Kush je ti?” I Dërguari i Allahut i përgjigjet: “Jam i dërguari i fundit dhe profeti i fundit!” Addasi i hidhet sipër dhe fillon ta puthë… Atë që me vite e kishte kërkuar në qiej, e gjeti tani para vetes, madje krejt pa pritur! Dhe i pohon besimin!
Po të mos kishte ndodhur kjo ngjarja e fundit, Profeti do të kthehej shumë i mërzitur nga Taifi. Mërzitja dhe hidhërimi nuk ishin për shkak të qëndrimit kundër tij, por si rrjedhojë e faktit se ai askujt s’do të kishte mundur t’i kumtonte diçka. Kurse tani fluturonte nga gëzimi, sepse Addasi ishte vënë në rrugë të drejtë me dorën e tij!
Po, nëse është me vend të thuhet, ai ishte pëllumbi i profetëve. Kërkonte pa pushuar e në çdo vend fytyra dhe zemra të pastra e të shtëna pas së vërtetës dhe, kur i gjente, u frynte atyre frymëzimet shpirtërore. E, kështu, rrethi dritësor i mjedisit të tij zgjerohej çdo ditë, gjë që e bënte të tërbohej herezinë.
Ky tërbim i çoi ata në një marrëzi të tillë, saqë erdhi dita dhe u ngritën ta shuanin krejtësisht këtë pishtar si të deshin të shuanin me të fryrë diellin në qiell! Kur’ani e përshkruan kështu situatën qesharake të heretikëve: “Ata kërkojnë ta shuajnë nurin e Allahut me gojët e tyre. Edhe nëse mosbesimtarëve nuk u pëlqen, Allahu nuk dëshiron gjë tjetër veçse ta plotësojë dritën e Vet!” (Kur’ani, Tevbe: 32).
Ai ndezi një pishtar edhe në shekullin XX dhe me të pothuaj na futi prush në zemra. Mijëra dhe qindramijëra vetë vunë ballin në rrugën e tij dhe nisën shërbimin për të lartësuar kauzën e tij. Kjo do të thotë se Providenca Hyjnore deshi të sendërtonte përsëpari një situatë Muhammediane, një rreth drite dhe një zinxhir të artë, gjë që s’mundet ta ndalë as zemërimi, tërbimi e dhuna e herezisë, as dhe sulmi i ushtrive të djallit. Sigurisht, këto farëra të hedhura me pastërti, edhe nëse jo sot, nesër me siguri do të marrin zhvillim dhe drita e shpërndarë prej të Dërguarit të Allahut kurrë nuk do të shuhet!
Kur Meka, më në fund, nuk mundi ta pranonte të Dërguarin e Allahut, ai mërgoi në Medinë. Përhapjen e dritës atje do ta vazhdonte. Do të merrej me çifutët dhe hipokritët, do të organizonte ushtri kundër mohuesve e heretikëve e do të ndodhej vetë në krye të atyre ushtrive, do të vërtitej në fushat e luftës me dhëmbë të thyer, me fytyrë të plagosur, i uritur e i etur, por i vendosur të ecë në rrugën e tij. Dhe ashtu pati bërë. Ai nuk e la qoftë edhe për një çast të vetëm detyrën e kumtesës profetike. E kumtoi, e tregoi, e përshkroi, e sqaroi çdo gjë gjer në çështjen më të vogël të fesë. Edhe në kohët kur ndodhej në Medinë, edhe kur përleshej me shtetet, kurrë nuk e la pas dore orientimin e individit. Nëse një beduin do të vinte e ta pyeste për një çështje që ai e kish rrëfyer qindra herë, ai do t’i përgjigjej me të njëjtën dëshirë dhe pasion pa shfaqur as më të voglën mungesë dëshire!
Kumtesa profetike ka vetëm një kuptim: t’i fusë njerëzit në rrugë të drejtë. Dhe, në esencë, ky është edhe qëllimi i ardhjes së të gjithë profetëve si dhe i Mbretit të Profetëve. Rrugën e drejtë që ne e quajmë “Sirati Mustakim”, duhet ta njohë çdo musliman dhe e njeh. Çdo ditë ne, në namazet tona, e lusim Zotin që të na orientojë në “Sirati Mustakim”, domethënë në rrugën e profetëve, e besnikëve, e dëshmorëve. Ajo është një rrugë e gjerë dhe çdokush e ka pjesën e vet të paracaktuar në të, sepse, sipas pohimit të ajetit-argument përkatës të Kur’anit, Profeti i Fundit është dërguar si mëshirë për të gjithë botët!
Veçanërisht ai është dëshmues, myzhdedhënës dhe paralajmërues e qortues, gjë që e shpreh ajeti-argument i mëposhtëm: “O ti Nebi, Ne me të vërtetë të dërguam ty dëshmues, myzhdedhënës e qortues!” (Kur’ani, Ahzab: 45).
Profeti ynë është një njeri i jashtëzakonshëm i cili pati bartur për njëzet e tre vjet me radhë një barrë shumë të rëndë si profetësia, përgjegjësitë e së cilës i pati çuar në vend në atë mënyrë që në histori nuk e kishte arritur dhe nuk do të mund ta arrinte asnjë burrë që i kishte dalë për zot një kauze. Dhe me këtë shpirt e me këtë vetëdije ai i afrohej çdo ditë e nga pak fundit të tij të bekuar.
Po kryente haxhin e ndarjes…Le që vetëm një herë pati bërë haxh në jetën e tij! Meqë në atë rast bashkoheshin umreja me haxhin, ne i themi edhe “Haxhi Ekber”, “Haxhi i Madh”. Ja, në këtë haxhin e fundit të tij, i Dërguari i Allahut i hipi edhe një herë tjetër devesë së vet dhe u përpoq të thoshte çdo gjë që duhej thënë e t’i jepte fund. Po, foli për çdo gjë, nga gjakmarrjet te të drejtat e grave, nga faizi te marrëdhëniet midis fiseve. Pastaj, në fund, e pyeti xhemaatin, bashkësinë: “A e kryeva kumtesën?” Dhe, pasi mori përgjigjen “po, e kryeve”, e kërkoi Zotin për dëshmitar duke thirrur tri herë: “Ji dëshmitar, o Zot!”
Ai e kishte kryer detyrën drejtësisht. Prandaj edhe ishte me ndërgjegjen të qetë, me zemrën të kënaqur dhe përgatitej hap pas hapi të shkonte te Zoti i tij. Por ai në përgjithësi kishte qenë njeriu i vetëkontrollit dhe më i ndjeshmi ndër të ndjeshmit. Për rrjedhojë, të gjithë jetën në një të tillë përgatitje e kishte kaluar duke pyetur vetveten: A munda ta jetoj, vallë, në përshtatje me qëllimin për të cilin më dërgoi Zoti im?