Veprat e mira dhe shikimi i njerëzve

Hasan Basriu (v. 110 hixhri) ka thënë: “Njerëzit që kemi takuar prej brezave të mëparshëm, sa herë që ishte e mundur, përpiqeshin t’i bënin veprat e mira në privatësi.”

Gjithësecili prej nesh duhet të përpiqet, që një pjesë të madhe të veprave të tij, t’i bëjë në fshehtësi, larg syve të njerëzve. Veprat e bëra në fshehtësi demonstrojnë devotshmërinë e njeriut, e ruajnë zemrën e njeriun nga mundësia e prekjes nga sëmundje si syfaqësia dhe mendjemadhësia. Këto vepra mundësojnë që personi të bëjë përpjekjet maksimale, që të jetë i pastër dhe i përulur para Allahut. Ato sjellin kënaqësinë e Allahut, përmendim këtu hadithin e shtatë grupeve të njerëzve, që do të jenë nën hijen e arshit, ku njëri prej tyre e kujton Allahun në vetmi dhe i mbushen sytë me lot.

Aktet e bamirësisë, ndihma ndaj të tjerëve, faljet suplementare, dhikri personal, leximi i Kuranit dhe shumë vepra të tjera, mund dhe duhen bërë larg shikimeve të të tjerëve. Më së paku, bëj një lutje të sinqertë për një vëlla apo motër, pa u treguar gjë atyre.

Po, është e vërtetë që disa vepra duhen bërë haptazi, siç janë namazet në xhemat, urdhërimi i së mirës dhe mësimi i të tjerëve. Sigurisht, këto mund të bëhen në publik, sërish duke ruajtur qëllimin. Edhe veprat e tjera, ndonjëherë sugjerohen të bëhen në publik, siç është lëmosha, për të nxitur të tjerët. Më së paku, në kohën e instagramit dhe në kulturën e internetit, ku çdo gjë ka tendencën të publikohet, ne gjithmonë duhet të sigurohemi, që kemi një dozë të madhe të veprave private, që nuk i di askush tjetër, përveç Allahut.

Dijetarët e hershëm do të thonin: “Kush kujdeset që jeta e tij private të jetë e pastër, do të begatohet nga Allahu, me ruajtjen e reputacionit të tij publik si të pastër.”

Postime të ngashme