Sinqeriteti, çlirimi i zemrës nga çdo gjë përveç Zotit

Sinqeriteti është një nga cilësitë thelbësore që duhet të ketë një besimtar. Është kjo cilësi që i jep vlerë dhe pranim te Zoti çdolloj vepre që ne bëjmë. Nëse gjëja e parë që mësojmë nuk është sinqeriteti, atëherë puna jonë do të jetë e pavlefshme dhe ne s’do të arrijmë të përfitojmë gjë prej saj. Sinqeritet do të thotë që me veprën tënde të synosh vetëm kënaqësinë e Allahut dhe pëlqimin e Tij. E kundërta e sinqeritetit është syfaqësia, shtirja dhe dëshira për t’u dëgjuar. Nëse këto të fundit zënë vend në zemrën tonë, atëherë puna jonë do të jetë e dëmtuar dhe ajo do të bëhet barrë për ne Ditën e Gjykimit.

Për ta kuptuar më mirë vlerën e sinqeritetit në veprat tona dhe dënimin që marrim si pasojë e mungesës së tij, le të shohim hadithin e mëposhtëm. Profeti (a.s) na ka njoftuar se zjarri i Xhehenemit do të ndizet me tre persona. Ata janë përkatësisht; dijetari, luftëtari në rrugën e Zotit dhe bamirësi i madh. Allahu i Lartësuar do t’ua paraqesë këtyre njerëzve veprat e tyre dhe ata do t’i pranojnë të gjitha dhuntitë e Allahut mbi ta. Më pas, do t’i pyesë: “Për çfarë i vepruat këto? Për çfarë e mësove dijen? Për çfarë luftove në rrugën Time? Për çfarë i ndihmove njerëzit?” Të tre do të thonë se për kënaqësinë Tënde, O Zot, por Allahu do t’i thotë të vërtetën dhe ajo është: “Gënjyet! Ju i bëtë ato vepra vetëm për t’u dukur para njerëzve, prandaj sot s’keni asnjë lloj shpërblimi dhe fundi juaj është në Zjarr!”

Sa panoramë e frikshme është kjo për gjithësecilin prej nesh, pavarësisht fushës së veprimit të tij në jetë. Ky hadith na mëson se kënaqësia e njerëzve është diçka që i përket vetëm kësaj bote, por ajo s’arrin të na shpëtojë në botën tjetër. E nëse synojmë kënaqësinë e Allahut, atëherë s’na dëmton kënaqësia e njerëzve, edhe nëse nuk e kemi atë. Sigurisht, punët tona do t’i vlerësojnë të gjithë ata njerëz që e duan të mirën, përpiqen për të, e sidomos besimtarët e sinqertë. Sinqeritet do të thotë zbrazje e zemrës nga çdo gjë tjetër veç Allahut.

Për ta kuptuar sinqeritetin e vetes, le t’i hedhim një sy punëve tona dhe gjendjes sonë gjatë kryerjes së një pune. Nëse njerëzit nuk i përkrahin, duartrokasin dhe shohin veprat tona, a gjejmë sërish motivin për të punuar? Nëse nuk e gjejmë dhe thyemi lehtësisht në këtë rrugë, atëherë ka diçka që s’shkon me gjendjen tonë. Pavarësisht vëmendjes apo jo të njerëzve, i sinqerti vazhdon i palëkundur rrugën e tij. Ai e di se çdo vepër e vëren Krijuesi dhe i mjafton ai si i informuar për punën që bën. Madje, kritikat e njerëzve i përdor për ta forcuar edhe më tepër cilësinë e tij të sinqeritetit dhe vazhdon rrugën e tij pa u ndaluar aspak.

Gjithashtu, njeriu duhet të monitorojë veprimet e tij në sy të njerëzve dhe në fshehtësi. Nëse gjithnjë përpiqesh të veprosh shumë në sy të njerëzve dhe tregon kujdes të veçantë kur je në vëmendjen e tyre, atëherë kjo është një shenjë për t’u shqetësuar. Shqetësimi është më i madh nëse kur je i vetmuar, nuk vepron po njësoj dhe sidomos kur nuk vepron asgjë. Për ta testuar më mirë sinqeritetin, vepra që bëhet në fshehtësi duhet të jetë më e shumtë se ajo që bëhet në prezencë të njerëzve. I sinqerti mundohet që gjithnjë t’i fshehë veprat e tij nga shikimi i njerëzve. Ajo që synon ai është vetëm kënaqësia e Allahut.

Postime të ngashme

%d bloggers like this: