Agjërim në kohën e diktaturës!

Nga Ferit Lika

Ramazani te shqiptarët

Për afro çerek shekulli feja tek ne u ndalua nga ligjet e kota dhe të pabaza të atij absurdi mbi tokë, që ngrinte krye mbi shpirtra të pafajshëm duke potencuar forcën e tij të “pamatë”. Por ky përbindësh nuk e pati forcën e pretenduar për të shuar dritën e besimit në Zot në zemrat e myslimanëve shqiptarë, nuk pati forcën të ndalonte as ritet edhe pse praktikoheshin fshehurazi. Rënia e regjimit komunist dhe fillimi i lindjes dhe zhvillimit të demokracisë, solli menjëherë edhe ripërtëritjen e besimit dhe të ringritjes së institucioneve fetare. E tashmë që prej 22 vjetësh shqiptarët praktikojnë fenë e tyre si qytetarë të lirë të një vendi demokratik.

Qysh në vitin e parë të lejimit të praktikimit të besimit fetar dhe me afrimin e Ramazanit në vitin 1990, u konstatua ringjallja e traditës së hershme myslimane, tradita e bukur e Ramazanit. Tashmë myslimanët kishin mundësi të dilnin lirisht e të “bërtisnin” gjer në kupë të qiellit: Unë agjëroj…! Askush nuk mund t’i ndalte, askush nuk mund t’i gjykonte apo t’i shihte me përçmim, tashmë ata kishin lirinë e shumëpritur prej vitesh. Disa shpreheshin për këtë muaj “na çeli sytë e zemrës së errësuar për gjysmë shekulli”, disa të tjerë thonin “na përtërin imanin e zbehur prej vitesh”.

Dalëngadalë filloi të ringjallet ajo traditë e bukur që ka qenë aq e përhapur ndër familjet tona; kurrë nuk mendohej që iftari të kalohej vetëm me familjen, sepse ishte nderim i veçantë që për Ramazan, kryefamiljari, ose pjesëtarë të tjerë të familjes, të ishin të ftuar për iftar tek komshinjtë, tek miqtë e farefisi, madje kaq rëndësi i jepej këtij zakoni, saqë burrat e rezervonin ditën që do të ishin të ftuar tek njëri-tjetri.

Gjatë këtyre viteve, në shumë qytete tona, Komuniteti Mysliman, shoqata e njerëz bamirës shtrojnë iftare kolektive ose përgatisin pako me ushqime, me qëllim që të gjithë ta gëzojnë këtë muaj. Edhe nëpër fshatra vazhdon tradita e bukur e thirrjes dhe pritjes së mysafirëve për iftar gjatë gjithë muajit.

Në vazhdim të traditës, qysh në ditët e para të këtij muaji, myslimanët shkojnë pas teravive tek njëri-tjetri për vizitë. Pas namazit të teravisë bashkohen në grupe për të kaluar një pjesë të kohës, madje edhe për të qëndruar deri në kohën e syfyrit, duke biseduar çështje feje e morali, apo duke kënduar Kuran. Edhe dora e ndihmës shtrihej shumë në këtë muaj duke i ndihmuar me furnizim të ngratët, jetimët, të varfrit, skamnorët dhe ata pa përkrahje, duke mbretëruar ndjenja e mëshirës, mirësisë dhe dashurisë për njëri-tjetrin dhe për Krijuesin.

Nga e kaluara e deri në ditët e sotme, Ramazani ka shtuar një pasuri të veçantë në të gjitha shoqëritë islame. Tradita e Ramazanit manifestohet në forma të ndryshme nga qyteti në qytet. Përjetimi i këtyre ndryshimeve kanë bërë që kultura e Ramazanit të ndikojë në shumë fusha të jetës. Kuzhina e këtij muaji është e veçantë. Bukët speciale që gatuhen gjatë këtij muaji, gjellët e ndryshme, sofrat e stolisura të iftarit nga hurmat, ëmbëlsirat dhe sallatat e ndryshme, pastaj edhe thirrja nëpër iftare dhe zijafete është ëndërr e paharrueshme në zemrat e shqiptarëve. Kandilat në këtë muaj vazhdojnë të vezullojnë nëpër minaret e xhamive nga akshami e deri në sabah (agim).

Në të kaluarën në trojet shqiptare kërciste topi dhe binin daullet për t’i përkujtuar njerëzit se është koha e iftarit, ndërsa në kohën e syfyrit gjithashtu u bihej daulleve nëpër rrugët e qytetit dhe fshatrave.

Të moshuarit, ata të cilët kanë jetuar në tre sisteme të ndryshme qeverisëse, tregojnë se përgatitja e shtëpisë fillonte madje një muaj më herët, laheshin rrobat, hekurosej deri në gjënë më të vogël, fërkoheshin dërrasat e shtëpive, pastroheshin me përpikëri shtëpitë, qilarët kontrolloheshin edhe një herë në detaje, hapeshin raftet që ekzistonin në to për t’u radhitur ushqimet që përgatiteshin për iftar dhe syfyr, pazari kryhej herët, blihej me shumicë për gjithë muajin, gjërat e shqepura dhe gjithçka që kishte nevojë të qepej, qepej dhe rregullohej qysh më parë. Sofra po ashtu do të lahej veçanërisht për këtë muaj, por edhe shtrojat (shiltet), do të merreshin dhe do të pastroheshin, do të riparoheshin dhe nëse kishte nevojë do të ndërrohej pjesa e jashtme e tyre.

Në muajin Ramazan fytyrat e njerëzve shndërroheshin në fytyra që vazhdimisht përuleshin në sexhde, ndërsa zemrat drejtoheshin me përmallim tek Allahu, duke larguar edhe grimcën më të vogël të urrejtjes, shpërfilljes, të së keqes.

Edhe sot e kësaj dite, tradita e Ramazanit ruhet me fanatizëm si në qytete ashtu edhe në fshatra. Edhe pse jemi në epokën e teknologjisë e materializmit të skajshëm, çdo ditë e më shumë shtohen të rinjtë të cilët praktikojnë ritet e fesë islame mes të cilave edhe agjërimin.

 

Agjërimi nën diktaturë i 63-vjeçares nga Bërxulli

Regjimi komunist që pushtoi vendin tonë, u kthye në armikun numër një të fesë dhe këtë armiqësi e manifestoi hapur duke prishur xhamitë e duke ndaluar njerëzit të agjëronin, me qëllim çrrënjosjen e besimit nga zemrat e gjithsecilit.

Naile Dervishi, 63-vjeçarja nga Bërxulli i Tiranës, tregon barbarizmat e këtij regjimi që ushtronte mbi të dhe të gjithë ata që agjëronin gjatë asaj periudhe.

Ajo ka filluar të agjërojë që në moshën 12 vjeçare në shtëpinë e babait të saj në familjen Picari nga fshati Mazrek, një familje e vjetër tiranase kjo, e njohur për traditat e hershme fetare. Në moshën 18 vjeçare ajo martohet në një familje myslimane, tek Dervishët e Bërxullit, në vitin 1967, atëherë kur edhe filloi reprezalja komuniste mbi fenë dhe besimtarët.

“Në komunizëm nuk na linin të agjëronim, na bënin presion, na thonin se nuk ju japim punë, na jepnin karamele e llokume, na çonin në punë të rënda, por unë kurrë nuk e kam prishur agjërimin”, tregon nënë Nailja. Urdhrit: Prishe agjërimin se nuk do të të jap punë, nënë Nailja, atëherë nuse e re, i përgjigjej: “Vetëm kur të të prishet fytyra jote, se unë agjërimin nuk e prish.”

Besimin e thellë ngulitur në zemrën e saj, nuk kishte forcë ta çrrënjoste. Ajo jetonte në një familje prej 40 vetash, 7 kurora në një shtëpi, dhe që të gjithë agjëronin edhe përkundër presioneve të atij regjimi, që siç thotë 63-vjeçarja, shkoftë e mos ardhtë! Ajo rrinte deri natën vonë duke dëgjuar hoxhallarët që flisnin për fenë në shtëpinë e saj, ku dhe mësoi rregullat e faljes, e që prej vitit 1985 ajo nuk e ka ndërprerë për asnjë moment faljen e namazit dhe agjërimin.

“Edhe kur isha lehonë me fëmijë të vogël, edhe pse hoxhallarët thonin se nuk ka problem mos agjëro se fëmija duhet ushqyer, unë përsëri agjëroja dhe falënderoj Allahun se qumështi i gjirit më vinte më shumë se sa edhe kur merrja ushqim dhe fëmijët ishin shëndoshë e mirë, as sëmundje, asnjë gjë”, tregon ajo.

Njëherë, tregon e moshuara, ishte Ramazan dhe ishte duke agjëruar, kur shkon në punë brigadieri i thotë, shko në shtëpi se nuk do të të jap punë nëse nuk e prish agjërimin. Mirëpo nëse ikte, i humbiste dita e punës, lekët i duheshin, ishin familje e madhe. Në nervozizëm e sipër ajo ngrihet e i thotë brigadierit: “Më jep punë se për atë Zot do të të rrah. Derisa ti s’ke turp që më thua mua prish agjërimin, as unë nuk kam turp që të vë dorë mbi ty” dhe nën vete thoshte: “ Allahu s’po ma merr për keq këtë veprim”. Edhe burrin e saj Ismailin, i cili punonte në blegtori, disa herë kanë dashur ta pushojnë nga puna vetëm se pse agjëronte.

Nënë Nailja tregon se, përkundër njerëzve të tillë kishte edhe njerëz të mirë që i jepnin ditën e punës dhe e linin të pushonte, por këto raste ishin të rralla. Kalvari i vuajtjeve të kësaj nëne mes agjërimit dhe komunizmit nuk ka të sosur. Por ashtu si ajo ishin të gjithë myslimanët shqiptarë të asaj kohe, të cilët kurrsesi nuk pranuan të braktisnin besimin e tyre.

Ajo tregon: “Familja jonë ishte në shënjestër. U thoja kunatave: nxitoni të shkojmë më herën në punë që të mos kenë shkak për llafe”, por edhe përkundër kësaj ato shpesh herë ktheheshin në shtëpi pa ditën e punës, herë të tjera dërgoheshin larg nëpër fshatra duke ecur 3 orë në këmbë, duke agjëruar në piskun e vapës për të bërë punë të rënda, me qëllim që të dorëzoheshin e të prishnin agjërimin. Por nënë Nailja, kurrë nuk e prishi agjërimin dhe në punë ishte e para me kapjen e normës. “Edhe sikur të vdisja nga lodhja, unë kurrë nuk do ta prishja agjërimin”. Përkundër lodhjes e mundimit në fund të ditës ajo ishe e lumtur sepse kishte agjëruar për hir të Zotit.

“Mbaj mend njëherë që ishte shumë vapë, më thahej buza e më bëhej gjak, por falënderoj Allahun që më jepte fuqi e shëndet për ta përballuar. Në vaktin e drekës gratë e tjera që nuk agjëronin u ulën për të ngrënë drekë dhe më thanë edhe mua ulu e pusho, por unë nuk pranova. Zoti më dha një fuqi që e hapa gropën e kumbullës një metër katror me një metër e gjysmë të thellë, shumë shpejt, se në atë kohë punonim me hapjen e gropave për mbjelljen e pemëve, punë shumë e vështirë pasi toka ishte grill, gurë, rrënja dhe nuk hapej kollaj. Gratë e tjera u habitën dhe thoshin kush e ndihmoi. Unë buzëqeshja dhe njëkohësisht më vinte keq, sepse ato nuk e kuptonin se fuqia e Allahut është e pakufishme”.

Nënë Nailja kujton me dhimbje një ditë të cilën ajo e quan si ditën më të vështirë të jetës së saj. “Isha shtatzënë në muajin e shtatë duke agjëruar, ishte vapë, shumë vapë dhe më çuan të punoja në sera për të vjelur, bajtur dhe ngarkuar trangujt në traktor. Arka me tranguj ishte shumë e rëndë dhe mezi e ngrija, kishte plot djem të rinj aty që ngarkonin, por nuk i linin të më ndihmonin, vetëm e vetëm që të prishja agjërimin. Me zor e kam përballuar atë ditë, por agjërimin nuk e prisha. Në darkë më zunë dhimbjet dhe e humba fëmijën”, tregon e përlotur e moshuara.

Përkundër urrejtjes që ka për atë regjim barbar dhe për ata persona që i shkaktuan vuajtjet e torturat e pafundme, që siç thotë “na nxorën shkumën”, ajo ndjen një kënaqësi të madhe, pasi përballë këtyre sfidave ka qëndruar besnike në lidhjen e saj me Krijuesin dhe kurrë nuk e ka prishur agjërimin, kurrë nuk e ka lënë faljen e pesë vakteve, kurrë nuk ka reshtur së adhuruari Krijuesin e Gjithësisë.

Kur u shemb komunizmi në vitin 1990 aty “Ishte jeta jonë, na dukej sikur kishim dalë n’dynja tjetër”, shprehet e lumtur besimtarja e moshuar. Tashmë ajo kishte mundësi të shkonte lirisht në xhaminë që ndërtoi fisi i saj, kishte mundësi të agjëronte lirshëm pa u stërmunduar nga punët e rënda. “Tashi në kët koh osht gjynof mos agjinosh, mi nonë…”, thotë ajo.

63-vjeçarja shprehet e kënaqur kur thotë “tani kanë ndryshuar kohërat, tani je i lirë të bësh çfarë të duash. Shoh shumë të rinj e të reja që vijnë në xhami për t’u falur, agjërojnë e janë të lidhur fort me besimin. Ai sistem na rropi për së gjalli, por Allahu është i Plotfuqishëm nuk na la të humbasim, nuk u dorëzuam kurrë.”

Ajo tregon se ka edhe nga ata persona që atëherë e detyronin të mos agjëronte, e sot janë kthyer në besimtarë që shkojnë në xhami dhe agjërojnë, – janë penduar, thotë, – ndoshta Allahu ua fal, por unë e kam të vështirë.

Gruaja që ka agjëruar 51 ramazane në çdo periudhë të vitit, dimër, verë, në tre sisteme të ndryshme, nënë e 7 fëmijëve, tani edhe pse është 63 vjeçe, mezi pret që të agjërojë Ramazanin e 52-të.

 

Postime të ngashme

%d bloggers like this: