Vonimi i syfyrit dhe shpejtimi i iftarit është virtyt i agjëruesit

Është traditë e Profetit a.s. shtyrja e syfyrit mundësisht deri në përmbyllje të kohës së tij, pra deri në kohën e imsakut. Dobitë e kësaj shtyrjeje janë të shumta, por ne po i përmendim dy prej tyre:

1. Mundëson, sadopak, shkurtimin e kohës ditore të agjërimit.

2. E zvogëlon në minimum mundësinë e kapërcimit të namazit të sabahut.

Ja se ç’porosi  jep Profeti a.s.: Ymeti im do të ketë mbarësi për sa kohë do ta shpejtojë iftarin dhe do ta shtyjë syfyrin.(Transmeton Ebu Davudi).

Enes bin Maliku r.a. transmeton se si Profeti a.s. ka thënë: Ngrihuni në syfyr se në ngritjen dhe ngrënien e syfyrit ka bereqet. (Transmeton Buhariu).

Ngrënia e syfyrit të shtyhet deri vonë, natyrisht, brenda limiteve të caktuara, pa e tejkaluar kohën e imsakut. Prandaj, syfyri është mirë të shtyhet deri në kohën e imsakut, kurse 18-20 minuta më vonë mund të falet namazi i sabahut. Lidhur me këtë, Zejd bin Thabiti ka një rrëfim të tijin: “Ne hanim syfyr bashkë me Profetin a.s., e pastaj e falnim namazin e sabahut.” Enesi e kishte pyetur: “Sa kohë kishte kaluar mes syfyrit dhe namazit të sabahut? -Sa për t’i lexuar 50 ajete, – i ishte përgjigjur ai.”

Duke u bazuar në këtë rast, disa dijetarë kanë pohuar se ky interval kohor është i mjaftueshëm sa për të lexuar suren “El-Hakka” që ka 52 ajete, ose suren “El-Murselat” që ka 50 ajete.

Në anën tjetër, është synet që personi i cili agjëron të hajë iftar sapo të hyjë koha e akshamit. Profeti a.s. gjatë Ramazanit njëherë bënte iftar e pastaj falte namazin e akshamit. Madje, ai edhe thoshte: Për sa kohë që njerëzit të vazhdojnë të nxitohen në iftar, do të kenë mbarësi. Kështu, pra, iftari nuk duhet vonuar duke u marrë me angazhime të tjera, ndërsa darka është mirë të hahet pas faljes së namazit të akshamit.

Postime të ngashme