Virtytet e Profetit Muhamed a.s.
Profeti Muhamed a.s. ka një pozitë të lartë dhe një vlerë të veçantë te Zoti i tij. Ai është mbi çdo krijesë tjetër, zotëria i bijve të Ademit a.s., zotëria i gjithësisë dhe esenca e saj. Ai është më i lartë sesa engjëjt, më i vlefshëm sesa arshi dhe të vërtetën e pozitën e tij të lartë nuk e di askush tjetër përveç Krijuesit të tij Suprem.
Zoti ynë e ka veçuar atë me lëvdata të ndryshme, duke e përmendur në Kur’an me cilësitë më të bukura. E cilësoi atë me mëshirë dhe tha: “Dhe Ne nuk të kemi dërguar ty (o Muhamed), veçse si mëshirë për botët”. (Enbija, 21/107) Gjithashtu tha: “Tashmë ju ka ardhur një i Dërguar nga mesi juaj. Atij i vjen rëndë për gjynahet që bëni ju, jua dëshiron të mirën me gjithë zemër, që ju të shkoni rrugës së drejtë dhe është i butë e i mëshirshëm me besimtarët.” (Teube, 9/128) Allahu i Lartësuar e përshkroi atë si dritë udhëzuese drejt së vërtetës dhe u shpreh: “O Profet! Ne të kemi dërguar ty si dëshmitar, sjellës të lajmit të mirë dhe paralajmërues.” (Ahzab, 33/45) Përsëri tha: “O ithtarët e Librit! Juve ju erdhi i Dërguari Ynë, i cili ju shpjegon gjëra nga ato që i keni fshehur ju prej Librave (Teuratit dhe Ungjillit) dhe ju fal shumë. Juve ju erdhi prej Allahut dritë (i Dërguari) dhe Libër i qartë (Kur’ani).” (Maide, 5/15)
E lavdëroi atë me moralin e tij duke thënë: “Vërtet që ti je në një shkallë të lartë morali” (Kalem, 68/4).
Profeti e përmendi qëllimin e dërgimit të tij duke thënë: “Unë nuk jam dërguar, veçse për t’i përsosur moralet e larta”. (Transmeton Ahmed b. Hanbel)
Ai që hulumton rreth Kur’anit Famëlartë, shikon se Allahu i drejtohet profetëve të tjerë, përpara tij me emrat e tyre specifikë. Zoti i Lartësuar thotë: “O Nuh, ai nuk është nga familja jote”. (Hud, 11/46) “O Ibrahim, shmangu prej kësaj!” (Hud, 11/76) “O Musa! Në të vërtetë, Unë jam Zoti yt!” (Taha, 20/12) “O Isa! Unë do të të marr, do të të ngre pranë Meje.” (Ali Imran, 3/55) Dhe, “O Daud! Ne të kemi bërë mëkëmbës në Tokë.” (Sad, 38/26)
Për sa i përket Profetit tonë a.s., Allahu i Lartësuar nuk e thirri atë asnjëherë vetëm me emrin e tij në Kur’an, por gjithnjë iu drejtua: “O Profet”! “O i Dërguar”! “O ti, i Mbështjellë!” (Muddethir, 74/1) “O ti i mbuluar!” (Muzzemmil, 73/1)
Askush nuk mund ta fshehë ndikimin e butësisë së tij dhe përballjen e tij me vështirësitë. Prej çdo njeriu të butë është njohur ndonjë gabim, sado i vogël, ndërsa Profeti ynë, me shtimin e vështirësive, e forconte edhe më shumë durimin e tij dhe me teprimin e të paditurve e shtonte butësinë, si pjesë e karakterit të tij.
Moralin e tij të lartë e tregon edhe më shumë lutja e Profetit a.s. për popullin e tij, të cilët e keqtrajtuan dhe e luftuan atë. Ai nuk u lut kundra tyre, edhe pse kjo e fundit nuk është ndonjë lloj mangësie, sepse njeriu mund të lutet kundër të padrejtëve. Lutjen kundra popujve të tyre e bënë edhe Profetët më të dalluar si Nuhu dhe Musai a.s. Duanë e Nuhut a.s. kundër të keqes së popullit të tij, Kur’ani e shpreh kështu: “Nuhu tha: O Zoti im, mos lër mbi tokë asnjë femohues!” (Nuh, 71/26)
Ndërsa duaja e Musait a.s., shprehet në këtë formë: “Musai a.s. tha: O Zoti ynë! Ti i ke dhënë Faraonit dhe parisë së tij stoli dhe pasuri në jetën e kësaj bote, o Zoti ynë, ata na largojnë nga rruga jote! O Zoti ynë! Shkatërroje pasurinë e tyre dhe ngurtësoi zemrat e tyre, që të mos besojnë, derisa të shijojnë dënimin e dhembshëm.” (Junus, 10/88)
Të dy ata vepruan në formë të drejtë, por Profeti Muhamed a.s. ishte akoma më i drejtë.
Taberiu transmeton këtë ngjarje: “Ditën e Uhudit u thyen dhëmbët e Profetit a.s. dhe u plagos fytyra e tij, gjë që i rëndoi shumë sahabet dhe thanë: “Sikur të luteshe kundra tyre”. Profeti a.s. iu përgjigj: “Unë nuk jam dërguar si mallkues, por u dërgova si ftues dhe mëshirë. O Zoti im, fale popullin tim, sepse ata nuk dinë.”
Buhariu transmeton nga Aishja r.a., se ajo e pyeti Profetin a.s., nëse ai ishte përballur me ndonjë ditë më të vështirë sesa ajo e luftës së Uhudit. Ai tha: “Unë kam vuajtur shumë nga populli yt dhe dita që u keqtrajtova më shumë prej tyre ishte ajo e Akabesë, kur shkova te fisi i Ibn Abdi Jalijl b. Kilal dhe ata nuk iu përgjigjën ftesës time. U largova diku në një kodër të vogël dhe ndërkohë pikëllimi kishte kapluar fytyrën time. Ngrita kokën dhe sipër meje pashë një re që më bënte hije. Ngrita sytë dhe pashë Xhibrilin a.s. që më thirri: “Allahu e ka dëgjuar përgjigjen që të dha populli yt dhe dhunën që ata treguan ndaj teje, prandaj të ka dërguar ty engjëllin e maleve, për ta urdhëruar me çfarë të duash”. Engjëlli më përshëndeti me selam dhe më tha: “O Muhamed, më urdhëro çfarë të duash, nëse ti dëshiron, këto dy male i shemb sipër tyre”. Profeti a.s. iu përgjigj: “Jo, sepse unë shpresoj që Allahu të nxjerrë prej brezit të këtij populli, qoftë edhe një njeri, që do ta adhurojë atë një të vetëm, pa i shoqëruar Atij asgjë”.
Profeti a.s. e fali edhe beduinin, i cili i tërhoqi me forcë rrobën e tij dhe i dha atij atë që kërkonte, duke i shtuar edhe më shumë. Ai e fali gruan çifute që ia helmoi atij mishin e deles dhe e pohoi vetë gabimin e saj. Ky është shembulli më i mirë, udhërrëfyesi më i lartë, prej të cilit është i kënaqur Zoti i tij.
Ali Xhumua