Versioni më i mirë i besimtarit

Muaji i ramazani është muaji i cili nxjerr në pah karakterin dhe moralin më të mirë të besimtarit.
Cilësitë më të dashura nga ana e Zotit, jetësohen si asnjëherë tjetër në këtë muaj të begatë, ku besimtarët përpiqen në maksimum për të arritur kënaqësinë Hyjnore.
Kur shikojmë në Kuranin Famëlartë, mësojmë se në shumë ajete të tij kalojnë cilësitë më të dashura të Zotit që duhet ti posedojë njeriu.
Njëra nga këto cilësi, është cilësia e të qëndruarit larg fjalëve dhe veprave të kota.
Në suren Muminun Allahu i Lartësuar thotë kështu: “Kanë shpëtuar Besimtarët, ata të cilët qëndrojnë larg fjalëve të kota” (1,3).
Kjo është një cilësi shumë e vyer dhe e dashur nga ana e Zotit të Lartësuar, aq sa edhe do të jetë prej shpërblimeve të xhennetit.
Në xhennet kur’ani na mëson se atje nuk do të ketë pikëllim e mërzi, por vetëm kënaqësi dhe lumturi.
Për këtë fakt Zoti i Lartësuar na tregon se banorët e xhennetit nuk do të kenë atje shqetësime prej fjalëve dhe gjërave të kota.
Në kur’an thuhet kështu: “Atje nuk do të dëgjojnë biseda të kota e as gënjeshtra” (Nebe 35)
Islami e orienton njeriun drejtë virtyteve të larta, drejtë qëllimeve serioze dhe drejt një karakteri sublim.
Islami bëhet pengesë që njeriu të bjerë në grada të ulta të karakterit dhe moralit dhe kësisoj të degradojë drejt një jetë të pakuptimtë dhe pa qëllime.
Jo më kot në një thënie të tij Muhammedi a.s do të porosiste kështu: “Të qëndrosh larg asaj që nuk të intereson, larg të kotës është prej bukurisë së karakterit të njeriut”.
Ku më mirë se në ramazan fitohet kjo cilësi kaq e dashur nga ana e Allahut të Lartësuar.
Besimtari gjatë agjerimit është shumë i kujdesur në të folurën dhe sjelljen e tij.
Nga gjuha e tij nuk dalin fjalë ofenduese, nënçmuese dhe kurrsesi mashtrime dhe gënjeshtra.
Gjithashtu prej veprimeve të tij nuk vjen ndonjë e keqe kundrejtë askujt që gjendet rreth e qark tij, sepse nëse një njeri i cili agjeron dhe nuk qëndron larg fjalëve të kota, thashethemeve, ngatërresave që ja bën njerëzve apo dashakeqësia ndaj tyre, ai prej agjerimit nuk ka fituar gjë tjetër vetëm se etje dhe uri.
Muhamedi a.s thotë: “Mulsiman i mirë është ai që njerëzit ndjehen të sigurtë prej fjalëve dhe veprave të tij.”
Me këtë edukim të pashoq që merr besimtari gjatë agjerimit ai duhet që më pas të gjitha këto cilësi të bukura dhe të dashura tek Zoti, ti pasqyrojë në familjen e tij dhe mbarë shoqërinë.
Paqja e Zotit qoftë mbi ju.

Leonard Çela

Postime të ngashme