Tri Atributet e Mëdha të Profetit Muhamed s.a.s.
Përveç pesë cilësive të profetëve, ekzistojnë edhe tri cilësi të tjera madhështore që i përkasin vetëm Profetit Muhamed s.a.s të cilat janë:
- Profeti Muhamed s.a.s është quajtur Habibullah, më i lartë se të gjithë profetët dhe ai është më i nderuari i njerëzimit.
- Ai u dërgua të gjithë njerëzve dhe xhinëve. Feja që solli do të mbetet deri në fund të botës. Profetë të tjerë u dërguan për një kohë të përkohshme dhe në një fis të caktuar. Në këtë aspekt, mrekullitë e secilit profet janë specifike për kohën e tyre, ndërsa mrekullitë e Profetit Muhamed s.a.s janë të zbatueshme për të gjitha kohërat. Në veçanti, Kurani është i vlefshëm deri në Kijamet si mrekullia më e madhe që i është dhënë.
- Ai është Vula e Profetëve, domethënë i fundit i profetëve. Nga ana tjetër, Profeti s.a.s ka thënë: “Unë isha një profet kur Ademi ishte midis ujit dhe tokës.” Ai është “i pari” për sa i përket krijimit, megjithëse është i fundit me qenien e tij të dërguar si profet në sferën e njerëzve dhe xhinëve. Përveç këtyre, Profetit s.a.s iu dha mekam-i mahmud dhe ndërmjetësimi për Ditën e Gjykimit. Për këtë arsye, ai profet i mëshirës do të ndërmjetësojë për mëkatarët e umetit të tij dhe ky ndërmjetësim do të pranohet. Në ajet thuhet:
“Ne nuk dërguam asnjë të dërguar vetëm që me urdhërin e Allahut t’i bëhet respekt (nga njerëzit) atij. E sikur të vinin ata te ti, pasi që ta kenë dëmtuar veten e tyre (nuk kanë pranuar gjykimin tënd), e të kërkonin ata vetë ndjesë te Allahu, e edhe i dërguari të kërkojë ndjesë për ta, ata do të kuptonin se Allahu pranon pendimin dhe është mëshirues.”[1]
Ebu Hurejra r.a ka transmetuar se Profeti Muhamed s.a.s ka thënë:
Unë do të jem prijësi i njerëzimit në ditën e gjykimit. Po, a dëshironi të dini përse? Në ditën e gjykimit Allahu do t’i grumbulloj të gjithë njerëzit të parët dhe të fundit në një vend. Ata do të dëgjojnë një thirrës, shikimi i tyre do të jetë vëzhgues dhe dielli do t’u afrohet atyre. Njerëzit do të ndiejnë një ankth dhe vështirësi të padurueshëm. Ata do t’i thonë njëri tjetrit: “A nuk po e shihni se në çfarë gjendje jemi, a nuk po kërkoni ndonjërin që të ndërmjetësoj për ju tek Zoti juaj?”
Ata do t’i thonë njëri tjetrit: “Shkoni tek Ademi a.s.”
Kështu, ata do të shkojnë tek Ademi a.s dhe do t’i thonë:
“O Adem! Ti je babai i njerëzimit. Allahu të krijoi ty me dorën e Tij, të fryu shpirtin në ty, i urdhëroi melekët që të bëjnë sexhde. Ndërmjetëso për ne tek Zoti yt! A nuk po e sheh se në çfarë gjendje jemi?”
Atëherë Ademi a.s do t’u thotë: “Zoti im kurrë nuk ka qenë aq i hidhëruar dhe kurrë nuk do të jetë aq i hidhëruar sikurse Ai është sot. Ai më ndaloi të haja nga pema por unë nuk iu binda. Vetja ime! Vetja ime! Vetja ime! Shkoni tek dikush tjetër, shkoni tek Nuhu a.s.”
Ata do të shkojnë tek Nuhu a.s dhe do t’i thonë: “O Nuh! Ti je i dërguari i parë i Allahut te banorët e tokës dhe Allahu të ka quajtur rob falënderues. Ndërmjetëso për ne tek Zoti yt. A nuk po e sheh se në çfarë gjendje jemi?”
Ai a.s do t’u thotë: “Zoti im kurrë nuk ka qenë aq i hidhëruar dhe kurrë nuk do të jetë aq i hidhëruar sikurse Ai është sot. Në dynja unë pata një lutje (që mu përgjigj) dhe atë e bëra kundër popullit tim. Vetja ime! Vetja ime! Vetja ime! Shkoni tek dikush tjetër, shkoni tek Ibrahimi a.s!”
Kështu, ata do të shkojnë tek Ibrahimi a.s dhe do t’i thonë: “O Ibrahim! Ti je miku i ngushtë i Allahut dhe profeti i Tij në tokë. Ndërmjetëso për ne tek Zoti yt. A nuk po e sheh se në çfarë gjendje jemi?”
Ai a.s do t’u thotë: “Zoti im kurrë nuk ka qenë aq i hidhëruar dhe kurrë nuk do të jetë aq i hidhëruar sikurse Ai është sot. Ai përmendi tre “gënjeshtrat” e tij dhe thotë: Vetja ime! Vetja ime! Vetja ime! Shkoni te dikush tjetër, shkoni tek Musai a.s!”
Pastaj njerëzit do të shkojnë te Musai a.s dhe do t’i thonë: “O Musa! Ti je i dërguari i Allahut. Allahu të veçoi mbi njerëzit e tjerë me shpalljen e Tij dhe të folurit e drejtpërdrejtë me ty. Ndërmjetëso për ne tek Zoti yt. A nuk po e sheh se në çfarë gjendje jemi?”
Ai a.s do t’u thotë: “Zoti im kurrë nuk ka qenë aq i hidhëruar dhe kurrë nuk do të jetë aq i hidhëruar sikurse Ai është sot. Dhe unë kam vrarë një njeri të cilin nuk isha urdhëruar ta vras. Vetja ime! Vetja ime! Vetja ime! Shkoni tek dikush tjetër, shkoni tek Isai a.s!”
Kështu ata do të shkojnë tek Isai dhe do t’i thonë: “O Isa! Ti je i dërguari i Allahut. Ti je fjala e Allahut (bëhu) që Ai ia dërgoi Merjemes. Ti u fole njerëzve kur ishe foshnje në djep. Ndërmjetëso për ne tek Zoti yt. A nuk po e sheh se në çfarë gjendje jemi?”
Ai a.s do t’u thotë: “Zoti im kurrë nuk ka qenë aq i hidhëruar dhe kurrë nuk do të jetë aq i hidhëruar sikurse Ai është sot. Ai nuk do të përmendë ndonjë mëkat, por do të thotë: “Vetja ime! Vetja ime! Vetja ime! Shkoni tek ndokush tjetër, shkoni tek Muhammedi a.s.”
Atëherë ata do të vijnë tek unë dhe do të më thonë: “O Muhammed! Ti je i dërguari i Allahut dhe je vula e profetëve. Allahu t’i ka falur të gjitha gjynahet (e mëhershme dhe të mëvonshme). Ndërmjetëso për ne tek Zoti yt. A nuk po e sheh se në çfarë gjendje jemi?”
Atëherë unë shkoj deri sa të arrijë nën arshin e Allahut dhe do t’i bie në sexhde Zotit tim. Pastaj Allahu do të më frymëzojë që t’i bëj Atij hamde dhe falënderime në një mënyrë që nuk e ka lejuar askënd tjetër të bëjë. Pastaj do të thuhet: “O Muhammed! Ngrije kokën! Kërko, se ajo që kërkon do të jepet! Ndërmjetëso dhe do të pranohet ndërmjetësimi!” Unë do të ngre kokën dhe do të them: “O Zot! Umeti im! Umeti im!” Do të thuhet: “O Muhammed! Ata nga pasuesit e t’u që nuk do të japin llogari futi nga dera e djathtë e xhenetit e cila do të jetë vetëm për ta ndonëse ata do të hyjnë edhe nga dyert e tjera bashkë me njerëzit e tjerë.” Betohem në Atë, në dorën e të Cilit është shpirti im! Se gjerësia mes dy dyerve të xhenetit do të jetë sa largësia midis Mekës dhe Haxhar, ose sa largësia midis Mekës dhe Busra.”[2]
[1] Surja en-Nisa, 64
[2] Bukhari (7510) dhe Muslimi (194).