Tre të izoluarit në shpellë
Transmetohet nga Abdurrahman Abdullah ibn Umer ibn el-Hattab r.a. se ka thënë:
E kam dëgjuar Të Dërguarin e Allahut s.a.v.s. duke thënë: “Tre veta nga gjeneratat para jush u nisën për në rrugë, e një ditë i zuri nata para një shpelle në të cilën hynë dhe bujtën. Një shkëmb u rrokullis nga kodra dhe plotësisht e mbylli hyrjen e shpellës. Ata thanë: “Shpëtimi nga ky shkëmb është vetëm që ta lusim Allahun e Madhërishëm që ta largojë për hir të veprave tona të mira.”
Njëri prej tyre tha: “O Zoti im, unë i kam pasur prindërit pleq të thinjur dhe asnjëherë para tyre nuk ju kam dhënë të hanë e as të pijnë fëmijëve të mi e as mallit tim (shërbëtorëve). Një ditë më hutoi kërkimi i kullotës më të mirë për kopenë time, e nuk ju erdha me kohë dhe ata kishin fjetur. Unë e mola qumështin në enë dhe ua solla por i gjeta duke fjetur. Më erdhi keq t’i trazoj, por edhe që t’i ushqej para tyre familjen dhe shërbëtorët, andaj kam pritur me enë në dorë dhe kam shikuar kur do të zgjohen, e kjo pritje ka zgjatur deri në agim. Fëmijët e mi aty te këmbët e mia klithnin të uritur, të cilëve u kam dhënë qumësht pasi janë zgjuar prindërit dhe e kanë pirë qumështin të cilin ua kisha sjellë. O Zoti im! Nëse këtë e kam bërë vetëm për Ty, e për askënd tjetër, atëherë na e largo këtë shkëmb nga hyrja e kësaj shpelle në të cilën gjendemi!”Shkëmbi pak u lëviz, por jo edhe aq sa të mund të dalin!
Njeriu i dytë tha: “O Zoti im, e kam pasur një kushërirë të afërme të cilën e kam dashuruar më tepër se tërë botën, – sipas një transmetimi tjetër – e kam dashur aq fort siç i duan burrat gratë, andaj kërkova prej saj (siç kërkojnë burrat prej grave të tyre), por ajo nuk më lejoi. Një vit mbretëronte uria e kushërira e dashur u detyrua të vijë tek unë dhe unë i dhashë 120 dinarë (monedha ari) që të vetmohet vetëm ajo me mua, dhe kur ajo ashtu veproi dhe unë plotësisht e përfitova ajo (duke qarë) më tha: “Frikësoju Allahut dhe mos e përbiro unazën (mos e kryej aktin) pa të drejtë“. Atëherë u largova prej saj duke e kursyer nga akti i turpshëm edhe pse e doja më tepër se çdokënd tjetër, e lëshova në liri duke ia dhuruar të hollat e dhëna. O Zoti im, nëse unë këtë e kam bërë vetëm për të fituar kënaqësinë Tënde, na e largo këtë në të cilën jemi!” Shkëmbi përsëri edhe pak lëvizi nga hyrja e shpellës, por jo edhe aq sa të mund të dilet prej saj.
Njeriu i tretë tha: “O Zoti im, unë kam pasur rrogtarë dhe të gjithëve ua kam paguar menjëherë fitimin e merituar përveç një njeriu i cili u largua para se ta marrë shpërblimin. Unë shpërblimin e tij pastaj e kam përdorur si duhet dhe pasuria e tij u shumëzua. Pas një kohe rrogtari im më erdhi e më tha: “O robi i Zotit, m’i jep të hollat për shpërblimin tim të papaguar!” Unë i thashë: “Krejt çka sheh, pasuria, delet, lopët, devet dhe robërit janë prej rrogës tënde që është shtuar“. Ai tha: “O robi i Zotit, mos u tall me mua!” Unë atëherë i thashë: “Unë nuk po tallem me ty”, pastaj e mori tërë mallin dhe e çoi, duke mos më lënë asgjë. O Zoti im, nëse unë këtë e kam bërë vetëm për Ty, atëherë na e largo këtë shkëmb nga hyrja e shpellës!” Shkëmbi u rrokullis, kurse udhëtarët dolën dhe e vazhduan rrugën!“ (Muttefekun alejhi)