Thjeshtësia e Profetit Muhamed s.a.s

Modesti do të thotë thjeshtësi, përulësi dhe është e kundërta e mendjemadhësisë. Kjo mund të interpretohet dhe si pranimi i njeriut, si një individ mes të tjerëve, dhe si një pjesë e krijimit, mendimi i të qenurit në prani të Zotit dhe veprimi sipas tij, vlerësimi i këtij mendimi në marrëdhëniet me të tjerët. Përulësia dhe thjeshtësia e tij, si dimension më vete i zgjuarsisë së tij, shkëlqejnë si yll. Sa më shumë t’i shtohej popullariteti e të pranohej nga të tjerët, aq më shumë thellohej thjeshtësia e tij. Dukej sikur përulësia dhe thjeshtësia kishin lindur bashkë me të. Po ashtu, ato e shoqëruan gjer në vdekje duke u zhvilluar gjithmonë e më shumë.  Ai thotë: “Kush tregohet modest, Zoti do ta lartësojë, kush tregohet mendjemadh dhe krenohet, Zoti do ta ulë më poshtë.”[1] dhe e ka zbatuar dhe përfaqësuar thjeshtësinë në trajtën më të mirë. Ai gjithmonë e pati parë veten një njeri si të gjithë njerëzit dhe asnjëherë nuk e pati diferencuar veten prej të tjerëve. Sigurisht, pozitat dhe funksionet nuk duhet ta ngashnjejnë njeriun dhe nuk duhet ta bëjnë që të humbasë mendjen pas tyre. Njeriu mund të bëhet edhe mbret, edhe rojtar fushe. Por edhe mbreti, edhe rojtari i fushës vazhdojnë të kenë një pikë të përbashkët, të jenë njerëz. E nëse është kështu, do të thotë se cilësia e përgjegjësisë që merr përsipër një njeri, nuk mund ta shndërrojë atë në një qenie tjetër. Për rrjedhojë, njeriu, kudo dhe kurdo duhet ta pranojë veten si njëri prej njerëzve të tjerë.

I Dërguari i Allahut s.a.s, qe shkrirë me jetën, qe bërë njeri i natyrshëm. Shpesh herë, ata që vinin për herë të parë në faltore, nuk e gjenin dot se kush ishte Profeti. Ata mundeshin ta dallonin vetëm sipas sjelljeve të sahabeve, pasuesve të tij ose kur ai fillonte të fliste. Gjatë emigrimit, shumica e medinasve që s’e kishin parë Profetin gjer atëherë, atë ditë kishin vrapuar t’i puthnin dorën Ebu Bekrit r.a, se e kishin kujtuar atë për të Dërguarin e Allahut s.a.s. Kur Ebu Bekri r.a, pastaj, kishte marrë një elpaze e kishte filluar t’i bënte fresk Profetit s.a.s, të gjithë e kishin kuptuar si qëndronte e vërteta. Ja, kështu kishte ndodhur, sepse i Dërguari i Allahut s.a.s, nuk mbante ndonjë qëndrim që ta dallonte prej Ebu Bekrit r.a. Është bërë legjendare hyrja thellësisht e përulur e Profetit s.a.s, në Mekë pas triumfit të saj. I hipur mbi devenë e tij, i përthyer më dysh sa koka do t’i prekte në këmbët e kafshës. Ja, pra, ai Profet i nderuar kishte hyrë në atë zonë të shenjtë me këtë shpirt modest. Shenja e madhështisë tek të mëdhenjtë është thjeshtësia dhe modestia. Ndërsa mendjemadhësia është tipar i vogëlsisë. I Dërguari i Zotit është njeriu më i madh ndër njerëz. Prandaj dhe modestia e Tij duhet të ishte e tillë.

Gjatë ndërtimit të xhamisë, ndërkohë që të tjerët mbanin nga një tullë, Ai mbante dy, kur të tjerët lidhnin një gur nga uria, ai lidhte dy.[2] Një burri që i kishte dalë përballë duke u dridhur nga dashuria për Të, i kishte thënë këto fjalë: “Mos ki frikë, edhe unë jam si ti, një njeri i cili ha bukë të thatë.” Ai padyshim që ishte më modesti ndër njerëz.

Kadi Ijadi transmeton: Një ditë, erdhi një grua me probleme mendore. Duke e marrë të Dërguarin e Zotit për dore, i tha: “Hajde më rregullo diçka në shtëpi!” Gruaja e tërheq të Dërguarin prej krahu dhe Ai shkon pas saj. Ndërkohë dhe sahabet shkojnë pas tyre. I Dërguari i Zotit krejt i qetë rregullon në shtëpinë e saj atë ç’kishte për të rregulluar dhe kthehet.[3]

Të gjithë mund ta shohin Atë më të madh se të mëdhenjtë, por Ai shprehet kështu: “Askush nuk mund të hyjë në xhenet me veprat e tij.” Atyre që e pyesin: “Edhe Ti?”, i përgjigjet: “Po, edhe unë, nëse Zoti nuk do të më mbështjellë me Mëshirën e Tij.”[4]  Pikërisht Zoti në Kuran urdhëron të qenurit modest nga ana e Profetit: “Dhe bëhu i butë me besimtarët që të pasojnë ty.”[5]

Shoqja e jetës, Hz. Aishja, thotë: Nuk kam parë njeri me moral më të bukur se Profeti. Kushdo që e ka thirrur atë, nga shokët apo familja qoftë, Ai i është përgjigjur gjithnjë ‘Lebbejk– urdhëroni’.[6] Një hadith i rrëfyer nga Hz. Aisheja, na tregon këto: “Në shtëpi, i Dërguari i Allahut sillej si një pjesëtar i zakonshëm i familjes. I arnonte vetë rrobat e veta, riparonte këpucët dhe i ndihmonte gratë në punët e shtëpisë.” Kur ai i bënte këto, emri i tij kujtohej në të katër anët e njerëzimit, njerëzit flisnin për të dhe për fenë e sjellë prej tij. Ai e rregullonte kohën në atë mënyrë që, mes aq përgjegjësish të rëndësishme, të gjente kohë edhe për punë të tilla.

 

[1] Fejzul-Kadir, 6/80; Bezzar, 3/160; Kenzul-Ummal, 7/343.

[2] Taberani, Mu’xhemul-Evsat, 6/249; Hejsemi, mexhmeuz-zevaid, 7/487.

[3] Kadi Ijaz, 1/131.

[4] Buhari, 5/2147, 2373; Muslimi 4/2169; Ahmed b. Hanbel, 2/264.

[5] Shuara 26/215.

[6] Kadi Ijaz, 79.

Postime të ngashme