Të ndyshosh jetën tënde me mësimet e Kuranit dhe Muhammedit a.s

Besimtar i mirë është ai i cili jetën e tij e jeton në bazë të një plan-programi dhe jo të jetoj si të vijë.

Vetë urdhëresat ditore apo dhe vjetore që janë të përcaktuara nga Allahu i Lartësuar, tregojnë se besimtari duhet të ecë në bazë të disa rregullave të cilat përcaktojnë ditën e tij apo dhe me gjërë.
Kjo llogari bërje nga ana e besimtarit i shërben atij që herë pas herë të shikoj gjendjen e tij se si është në raport me Allahun e Lartësuar.
Prandaj një nga thëniet me shumë peshë dhe shumë kuptim është ajo e hz Omerit r.a, i cili ka porsositur kështu: ”Llogariteni veten tuaj para se të merreni në llogari”, gjë që aludon në atë se duhet të shikojmë sesi po e jetomë jetën në këtë botë, sepse në bazë të saj do përcaktohet dhe bota tjetër.

Prandaj me të drejtë herë pas herë duhet të pyesim veten se a ke pasur ndryshim në jetën tonë si mysliman krahasur me një periudhë të mëparshme të jetës tonë?

A jemi ne të aftë të gjejmë tek vetja jonë disa pika apo karakteristika të reja që vijnë prej mësimeve të islamit, të cilat nuk i ke pasur një muaj apo një vit më parë?
A kam arritur unë të shtoj mësimin e Kuranit, apo leximin e librave, apo kam hequr dorë nga një gjynah i caktuar?
Pra a ka ndonjë ndryshim në jetën tonë në këtë aspekt?
Nëse ka, atëherë duhet të themi elhamdulilah.
Kjo do të thotë se je në rrugën e duhur.
Ashtu siç na porosit Muhammedi a.s :”Puna më e dashur tek Allahu, është ajo që bëhet në vazhdimësi, qoftë dhe pak”.

Mirëpo nëse nuk ka një ndryshim të theksuar, por jemi në vend numëro, apo mos më keq, jemi në përkeqësim, atëherë nuk jemi aspak në rrugën e duhur.

Nëse një ajet, apo një hadith nuk të ka bërë dobi në jetën tënde shpirtërore, apo dhe fizike, atëherë me të drejtë duhet me i bërë vetes pyetjen se a ka me të vertetë rëndësi Allahu i Lartësuar dhe i dërguari i Tij në jetën tonë ashtu siç pretendojmë, apo mos vallë po gënjejmë veten?

Pse e bëjmë këtë pyetje?!
Këtë pyetje e bëjmë sepse është e pamundur që një njeri që e beson me sinqeritet Allahun dhe të dërguarin e Tij dhe të mos ndikohet prej mësimeve islame!

Mësimet e Kuranit dhe të Muhammedit a.s, janë mësime të cilat kanë hapur zemrat më të ngurtësuara që ndoshta mund të dimë.
Mësimet e Islamit, janë mësime të cilat jetën e njeriut e ndryshojnë 180 gradë.
Janë mësime që njeriun e shtyjnë gjithmonë drejtë përparimit dhe e pengojnë atë nga përkeqësimi.
Janë mësime që përmirësojnë jetën e tij individuale, familjare dhe atë shoqërore.

Këtë gjë bëri Muhammedi a.s në kohën e tij me mësimet Islame që ua paraqiti shokëve të tij.
A nuk ishin Arabët ata të cilët për shkak të turpit dhe të ashtëquajtur nder, groposnin vajzat e tyre për së gjalli?!
Ishte Muhammedi a.s, ai i cili do ta ndryshoje me themel këtë traditë kaq të poshtër, ku do të japi përgëzime se :”kush rrit dhe edukon siç duhet vajzat e tij, ai i ka dyert e xhennetit të hapura”.
Me këtë mësim ai tashmë shtoi dëshirën për të pasur vajza tek ata njerëz që deri para pak kohe e kishin turp një gjë të tillë.

Fisi Evs dhe Hazrexh kishin më shumë se një shekull që ishin në luftë me njeri-tjetrin për arsye krenarie dhe fodullëku, ku çdo ditë ziheshin e vriteshin me një armiqësi shumë të egër.
Por ja, erdhi Islami me mësimet e tij, ku këta armiq të përbetuar do ti bënte vëllezër prej besimit, ku marrëdhlnia midis tyre tashmë ishte e atillë që nuk mund të mendohej që kjo gjë do mund të ndodhte ndonjëherë.

Këtë e shpalli Zoti i Madhëruar në suren Ali Imran, 103
“Dhe kapuni që të gjithë ju për litarin (fenë dhe Kuranin) e Allahut, e mos u përçani! Përkujtojeni nimetin e Allahut ndaj jush, kur ju (para se ta pranonit Fenë Islame) ishit të armiqësuar, e Ai i bashkoi zemrat tuaja dhe ashtu me dhuntinë e Tij u bëtë vëllezër. Madje ishit në buzë të greminës së xhehenemit, e Ai ju shpëtoi prej tij. Po kështu Allahu ua sqaron juve argumentet e veta, që ju ta gjeni të vërtetën e lumtur.

Është shumë e rëndësishme në këtë ajet pjesa ku thuhet: “Madje ishit në buzë të greminës së xhehenemit, e Ai ju shpëtoi prej tij”, që dmth se nëse do kishin vdekur në atë gjendje, atëherë përfundimi i tyre do të ishte zjarri i xhehennemit.

Pra janë mësimet e Islamit të cilat e shpëtojnë njeriun të bjerë më batakun e errësirës dhe të kotës në jetën e kësaj bote.
Janë mësimet e Kuranit dhe të Muhammedit a.s të cilat e nxjerrin njeriun prej errësirës në dritë dhe e bëjnë atë njeri të nderuar midis të njerëzve.
Ashtu siç Islami arriti që pikërisht atyre njerëzve të asaj kohe t’ua zbusë zemrat e tyre dhe prej tyre të dilnin Ebu Bekra dhe Omera, që sot për neve, çdo sahab (shok) i Profetit Muhammed a.s është si një yll i cili na orienton në errësirën e natës në mes të shkretëtirës, po ashtu njëjtë këto mësime munden ta lartësojnë besimtarin drejt horizonteve të larta.
Prandaj besmitari gjithmonë duhet që ashtu siç kujdeset përnë jetën e tij materiale, të kujdeset dhe për jetën e tij shpirtërore.
“Uji që nuk leviz, ndotet” thotë populli, prandaj dhe dituria që nuk ripërtëritët harrohet.
Besimtari urdhërin e parë që ka shpallur Allahu në Kuran “LEXO”, duhet që ta ketë gjithmonë në vëmëndje dhe kurrë mos të neglizhojë lidhur me të.

LEONARD ÇELA

Postime të ngashme