Të mendohemi mirë para se të flasim

Në botën e sotme, telekomunikimi është zhvilluar dhe përshpejtuar shumë, por shumë gjëra që fliten, në realitet nuk janë aspak të vërteta. Shumë shpesh ndodh që derisa e vërteta të shpaloset, bëhet shumë vonë dhe dëmet e shkaktuara janë të mëdha e të paevitueshme.

Është shumë me rëndësi që para se të flasim të jemi të sigurt se ajo që do të themi është e vërtetë dhe me këtë nuk mbartim ndonjë lloj trillimi apo gjëra të shpikura, siç ndodh me ca njerëz, që për motive personale trillojnë tregime e shpifje të ndryshme. Veç kësaj, ndodh që të flasim pas shpinës së njerëzve, sepse nuk kemi guxim t’ua themi në sy çfarë na shqetëson. Nganjëherë edhe i tallim.

E vërteta pikëlluese është se kur flasim për njerëzit bëhemi shumë të pavetëdijshëm, duke mos i vërejtur dëmet që shkaktojmë. Nganjëherë bisedat na çojnë deri aty sa t’i lëndojmë njerëzit shumë keq. T’i hedhim një sy ajetit: “O ju që keni besuar, nëse ndonjë i pandërgjegjshëm ju sjell ndonjë lajm, ju shqyrtojeni mirë, që të mos goditni ndonjë popull pa e ditur realitetin, e pastaj të pendoheni për ç’keni vepruar.”

Ky ajet na mëson qartazi se kur të marrim ndonjë lajm, doemos duhet të sigurohemi se vërtetë lajmi apo informata e dhënë është e vërtetë, përndryshe mund të shkaktojmë dëme dhe vuajtje të mëdha.

Postime të ngashme