Të jesh i drejtë!
Sidku shpreh, ose duhet të shprehë, njësimin e mendimit, të veprës dhe të sjelljes te njeriu. Nëse dikush pohon apo mëton vazhdimisht që të jetë përfaqësues i së mirës, së bukurës, së drejtës, por me sjelljet e tij i përgënjeshtron këto pohime e mëtime, tek ai është copëtuar tërësia morale dhe shpirtërore. Besimtari i plotë jeton gjithmonë në njëshmëri të mendimit dhe të sjelljes. Nëse individi vijon të qëndrojë e të sillet në kundërshtim me mendimet e veta, nuk është e mundur që të mbërrijë moralin e bukur dhe të përparojë drejt përsosjes si njeri. Madje në shkallë më të përparuara e në nivele më të larta, prej njeriut besimtar pritet, në kuptimin e tasavvufit, që të jetë i ekuilibruar, i drejtë, besnik e i ndershëm në gjendjen e brendshme e në thellësi të shpirtit, në mendime e në synime, në ide e në qëllime.
Ajo çka e bënte të shkëlqejë dritën e pendesës në ballin e Ademit (a.s.) ishte sidku… Në një kohë kur bota u varros prej furtunës, varka e shpëtimit e Profetit të furtunës ishte sidku. Ajo çka Ibrahimin (a.s.) e hedhur mes flakëve të zjarrit e nxori në freski e paqe ishte sërish sidku…
Në ajetet e ndryshme të Kuranit, të jesh besimtar i vërtetë do të thotë që fjalët dhe veprat, gjer në botën e brendshme, t’i skicosh sipas sidkut dhe t’i organizosh rreth vërtetësisë. Veç kësaj, një rend e rregullim i tillë është vlerësuar edhe si thelbi i lumturisë në këtë jetë dhe në jetën e amshuar. Ja disa diamante nga mësimet kuranore për sidkun:
“Thuaj: O Zoti im! Më mundëso që në vendin ku do të hyj të hyj me drejtësi e në vendin nga do të dal të dal me drejtësi!…” (Isra, 80) “Më bëj të kujtohem ndër pasardhësit me lisan sidk (apo me gjuhë të së mirës, të së drejtës)” (Shuara, 84) “Atyre që besuan jepu sihariq për kademe sidk (apo pozitë të lartë të së vërtetës) te Zoti i tyre!” (Junus, 2) “Pa dyshim, të përkushtuarit janë në kopshte të parajsës e në lumenj që rrjedhin, në vendin e sidkut pranë Sundimtarit të Sundimtarëve…” (Kamer, 54-55)
Me titujt mud’hale sidk, muhraxhe sidk, lisane sidk, kademe sidk, mak’ade sidk, në një linjë që zgjatet nga kjo botë në tjetrën botë, është bërë shenjë edhe për te një udhë e gjatë, edhe në nisje të udhës, edhe në përfundim të udhës.
Në krye të gjithçkaje qëndron të qenit i drejtë e i besës (sadik). Mendimi i drejtë, nijeti për vendim e sjellje të drejtë është shkalla e parë e sidkut. Veç kësaj, njeriu që është i vendosur për të qenë i drejtë nuk duhet ta ndryshojë vendimin dhe nijetin dhe është kusht që të qëndrojë larg mjediseve dhe nxitjeve që mund t’ia lëkundin mendimin dhe vendosmërinë.
Shkalla e dytë është që të ushqesh dëshirën për të qëndruar e jetuar në këtë botë vetëm për të lartësuar të vërtetën dhe për të mbërritur kënaqësinë e Allahut dhe kjo ka, gjithashtu, disa shenja. Disa prej tyre janë: të shohësh gjithmonë mangësitë dhe dobësitë e vetvetes, të mos dorëzohesh përballë bukurive më joshëse të kësaj bote, të mos ndryshosh rrugë e drejtim prej shqetësimesh tokësore.
Shkalla e tretë është kthimi i sidkut në një mjeshtëri të vërtetë të shpirtit dhe kthimi i së drejtës në pjesë të natyrës së njeriut në çdo gjendje e në çdo sjellje. Drejtësia dhe besnikëria më e madhe qëndron në të dorëzuarit me kënaqësi e dëshirë ndaj Allahut duke e pranuar atë si Zot, në të pranuarit e Islamit si një sistem hyjnor dhe në të dorëzuarit ndaj udhëheqjes së më të mirit shpirt të krijimit, Profetit Muhamed (paqja qoftë mbi të!).