Sprova e Agjërimit

Njeriu është një udhëtar që lëviz gjithmonë dhe që s’njeh ndalime. Udhëtimi i tij ka filluar nga bota e shpirtërave për tek babai, nga babai tek barku i nënës, nga atje ka ardhur si fëmijë në këtë botë. Nga fëmijëria në rini, pleqëri, varr, ringjallje, ura e siratit e deri në pafundësi (Haxh, 5). Ne nuk e dimë se sa kohë kemi qëndruar në botën e shpirtërave, sa do të qëndrojmë në këtë botë apo sa do të qëndrojmë në varr, por e dimë shumë mirë se do të jetë e pafundme jetesa në botën e përtejme.

Për të shpjeguar se sa e shkurtër është jeta këtu, Profeti (a.s.) thotë: “E ç’lidhje kam unë me botën. Unë jam si shembulli i udhëtarit. Ai ka dalë për një udhëtim të gjatë, duke ecur qëndron për t’u rehatuar nën hijen e një peme. Më pas ka filluar udhëtimin. Edhe shembulli im është si ai (Gazali, Ihjau Ulumid-Din).

Ja pra, kjo botë pse është shumë e shkurtër është një vend sprovimi shumë i vështirë. Po ta fitojmë këtë sprovë, do të fitojmë kënaqësinë e Tij (xh.sh.) dhe po të fitojmë kënaqësinë e Tij, kemi fituar çdo gjë.

Agjërimi i Ramazanit është një nga sprovat e forta dhe të vështira për njeriun. Ai mund ta fitojë këtë sprovë me besim dhe përkushtim ndaj Krijuesit të tij. Në fakt e gjithë jeta e njeriut është një sprovë. Allahu (xh.sh.) na ka sjellë në këtë botë për të na sprovuar, të shihet, a do të bëhet një njeri i denjë për xhennet, apo me veçoritë e qymyrit do të meritojë xhehenemin. Këtë fakt Allahu i Madhëruar e shpjegon në ajetin e dytë të sures Mulk: “Ai është që krijoi vdekjen dhe jetën, për t’ju provuar se cili prej jush është më vepërmirë. Ai është Ngadhënjyesi, Mëkatfalësi”. Ndërsa në ajetin 155 të sures Bekare thuhet: “Ne do t’ju sprovojmë me ndonjë frikë, me uri, me ndonjë humbje nga pasuria e nga jeta, e edhe nga frytet, po ti përgëzoji durimtarët”. Po, Allahu na sprovon me jetën, me ato që na jep, me ato që na merr, me urdhërat dhe ndalimet, me uljet dhe zbritjet tona dhe me shumë fenomene të tjera. Rruga për të fituar këto sprova është falenderimi ndaj Allahut (xh.sh.), për mirësitë dhe begatitë që na dhuron dhe durimi përballë fatkeqësive dhe të këqijave, largimi nga gjërat e ndaluara dhe kryerja e obligimeve të urdhëruara nga Ai (xh.sh).

Edhe agjërimi i muajit të Ramazanit është një nga sprovat e forta, sidomos në kohët tona kur pretendimet kanë marrë tatëpjetën. Është akoma më e fortë kur ushqimi i mirë, akomodimi luksoz dhe kërkesat e panumërta të njeriut për këtë jetë, janë shtuar së tepërmi duke lënë mbrapa për ta varfëruar akoma më tej shpirtin e tij. Jemi mësuar të hamë shumë dhe shpesh, por ne, duke e ditur se agjërimi është sprovë dhe, për të fituar kënaqësinë e Allahut (xh.sh.), në dashtë Zoti do ta kryejmë sa më mirë këtë obligim.

Agjërimi është një adhurim i pastër dhe i sinqertë. Sepse në adhurimet e tjera ekziston mundësia e përzierjes së hipokrizisë, por tek agjërimi, jo. Pra, agjërimi është i sinqertë, i papërzier me qëllime të tjera përveç qëllimit për të fituar pëlqimin e Allahut (xh.sh.). Agjërimi dallohet nga adhurimet e tjera për vetë faktin se sekreti i tij lidhet me qëllimin e agjëruesit, të cilin se di kush tjetër, veçse Krijuesi i Madhëruar. Prandaj Zoti e konsideron agjërimin të Tijin, në një hadith kudsi të transmetuar nga Ebu Hurejre ku thuhet: “Çdo punë e njeriut është e tija, përveç agjërimit. Ai është i Imi dhe vetëm Unë e jap shpërblimin për të. Besimtari e lë ushqimin për Mua, largohet nga gruaja e tij vetëm për Mua dhe braktis dëshirat e tij vetëm për Mua” (Sahihu ibn Huzejme). Krijuesi i Lartë në një tjetër hadith kudsi thotë: “Kush agjëron një ditë për mua, shpërblimin e tij do e jap unë” (Buhari). Kjo do të thotë se ky shpërblim i Zotit, nuk llogaritet me njësi matëse apo peshore, por jipet drejpërdrejt nga Ai, në masën që e di vetëm Ai.

Shkëputur nga libri “Ditët dhe netët e mira në Islam”

Këshilli botues, KMSH

Postime të ngashme