Si t’ua shpjegojmë fëmijëve Zotin?
Një nga pikat më kritike në edukimin e fëmijës është dhe edukimi fetar. Si duhet t’u shpjegohet fëmijëve Zoti? Si duhet t’u përgjigjemi pyetjeve dhe çfarë duhet pasur kujdes gjatë dhënies së përgjigjeve?
Sigurisht që nuk është aspak e thjeshtë t’i flasësh një fëmije rreth Zotit, parajsës, ferrit, vdekjes, adhurimeve, tema këta të vështira për t’u kuptuar edhe nga të rriturit. Por përgjigjet që mund t’u jepen pyetjeve të një fëmije i cili nuk e ka fituar akoma aftësinë e të menduarit subjektiv si: “Ku rri Zoti? A ka shtëpi ? Çfarë ngjyre është Zoti? Pse nuk e shohim? ” luajnë një rol të rëndësishëm në marrëdhënien Krijues – krijesë. Krahas kësaj shpjegimi i vdekjes së një të afërmi në mënyrën e duhur mbron shëndetin emocional të fëmijës dhe luan një rol kyç në pikëpamjen e tij për jetën.
Çfarë duhet patur kujdes për një edukim të mire fetar?
2-3 vjeç
Në këtë moshë fillojnë të krijohen bagazhet e para të fjalëve dhe të marrin formë vlerat dhe besimi. Për këtë arsye fëmijës, i cili ka filluar të flasë mund t’i mësohet kelimei-teuhidi dhe mund të fillohet edukimi fetar. Prindi duhet të përdorë sa më shumë terma në lidhje me Zotin, pejgamberët, engjëjt.
4-5 vjeç
Në këtë moshë ku mësohen konceptet e lidhura me dashurinë duhet t’i flitet për dashurinë që ka Zoti ndaj nesh dhe sesi na e shfaq këtë me anë të gjërave që ka krijuar për ne. Në periudhën parashkollore mund t’i mësoni shumë gjëra me ndihmën e përrallave dhe historive fetare duke parë se roli i tyre është shumë i rëndësishëm. Krahas kësaj në këtë moshë fëmijët pëlqejnë të luten dhe bëjnë adhurimet bashkë me prindërit, prindërit duhet t’i lejojnë t’i ndjekin ato gjatë lutjeve. Të falësh namaz pranë fëmijës, ta marrësh me vete në xhami, të falënderosh me zë Zotin para dhe pas buke, të lutesh me zë pas namazit e afron më shumë fëmijën me Zotin.
Nga ana tjetër studimet kanë treguar se frika nga vdekja është shumë e theksuar tek fëmijët e periudhës parashkollore. Fëmijët e kësaj moshe kanë frikë nga vdekja e nënës, babait dhe vetes së tyre. E vetmja zgjidhje për t’ia pakësuar frikën është t’i flasim për botën tjetër duke ia përshkruar si vendin ku do të takohemi me të dashurit tonë.
Fëmija i cili mendon se çdo gjë bëhet me dorën e njeriut do ta përngjasojë Zotin me një njeri të madh dhe do të bëjë shumë pyetje rreth kësaj teme. Por duhet pasur kujdes në këtë pikë në mospërdorimin e shprehjeve si “Baba Zoti” apo “Zoti ulet në qiell apo parajsë”. Nuk është e udhës të jepen përgjigje të kundërta me parimet e besimit. Fëmijës i duhet shpjeguar qartë se Zoti nuk është një krijesë si ne dhe nuk zotëron veçoritë tona.
6-7 vjeç
Në fëmijët e kësaj moshe vihet re prirja për të fituar pëlqimin e nënës-babait dhe gjyshërve. Prandaj është shumë e rëndësishme që adhurimet, lutjet e bëra në këtë moshë të stimulohen me dhurata të vogla ose thjesht të lavdërohet me fjalë.
8-9 vjeç
Në këtë moshë fëmija fiton aftësitë e të menduarit subjektiv ose fillon të bëjë llogarinë e vetes. Për këtë arsye mendohet se deri në moshën 8 vjeç fëmijës të mos i flitet rreth ferrit, koncepteve mëkat-sevap dhe gabimet e bëra nga ai nuk duhen përkufizuar si mëkate. Krahas kësaj fëmijët nuk luajnë më me prindërit, ato fillojnë të luajnë me bashkëmoshatarët, shohin tv. Edukimi fetar në këtë moshë mund të jepet i shoqëruar me lojëra, filma vizatimorë dhe fjalëkryqe.
10-14 vjeç
Në këtë periudhë fëmija fillon të mbajë një qëndrim kritik dhe të jetë më dyshues apo reagon më shumë ndaj fjalëve që mund t’i thonë prindërit. Gjatë kësaj periudhë sugjerohet që fëmijët ta marrin edukimin fetar nga persona që merren me këtë fushë, në xhami, shkollë apo institucione tjera.
Modeli i pesë shqisave në fitimin e dashurisë për Zotin
Specialistët flasin për modelin e pesë shqisave i cili mund të përdoret në shpjegimin e Zotit duke filluar që nga mosha 3-4 vjeç. Fëmija i fokusuar në përdorimin e një organi çdo javë ose çdo muaj do të thurë një marrëdhënie më të ngushtë me natyrën dhe objektet, do të mësojë ekzistencën e Krijuesit dhe veçoritë e tij nisur nga sendet e prekshme.
Në javën e parë fëmijëve u flitet për funksionimin e syrit. Flitet për bukuritë e gjendura në natyrë. Tërheqja e vëmendjes së fëmijës me gjëra si lulet, perëndimi i diellit e të tjera. Gjatë javës së dëgjimit vlerësohen zërat e dëgjuar si zëri i dallgëve të detit, i erës kur fryn, zëri i derës kur hapet. Në javën e nuhatjes flitet për aromën e tokës, luleve, detit, kekut, byrekut, mishit. Pas kësaj mund të bëhen komente si “sa bukur i paska krijuar Zoti për ne. Ai na e tregon dashurinë e Tij me anë të tyre.”
E njëjta gjë bëhet edhe gjatë javës së prekjes dhe shijimit.