Si t’i lutemi Zotit?
Përsa i përket mënyrës sesi t’i lutemi Zotit, mund të themi se pikë së pari kur i lutemi Zotit duhet të besojmë sinqerisht se Ai do të na e pranojë lutjen. Asnjëherë nuk duhet të lutemi me mendimin se edhe po nuk u pranua, gjithsesi nuk prish punë, apo t’i lutemi Zotit sikur po testojmë fuqinë e Tij në ka apo nuk ka mundësi të na i pranojë lutjet. Para dhe gjatë lutjes duhet besuar realisht se Allahu është i Plotfuqishëm dhe ka fuqinë të realizojë çdo gjë. Nëse Ai dëshiron, mund ta bëjë të varfrin mbret për një çast të vetëm. Prandaj le të punojmë shumë për pranimin e lutjes dhe le të kërkojmë nga Zoti arritjen e objektivave më të larta, p.sh., në vend të parajsës duhet të kërkohet Firdeusi. Ja pra, kështu na ka mësuar të lutemi Profeti ynë i nderuar. Së dyti, lutjet duhen drejtuar me mendimin se Zoti plotëson dëshirat dhe kërkesat tona, duke pranuar kështu fuqinë dhe forcën e Tij të pafund. Përsëri ne e dimë se Ai mundet dhe ka fuqinë e krijimit të një bote tjetër siç është parajsa dhe prandaj kërkojmë nga Ai Xhenetin. Kjo nuk është vetëm lutje apo pasqyrim i gjendjes sonë, por është një lloj peticioni i thellë në të cilin shprehim të gjitha cilësitë e madhëruara dhe emrat e Tij të bukur. Një lutje e tillë është një adhurim i pastër dhe asnjëherë nuk refuzohet. Krahas kësaj kur lutemi nuk duhet të neglizhojmë, por të lutemi me shumë këmbëngulje dhe vendosmëri. A i keni pare lypësit para dyerve të xhamive, nganjëherë thonë fjalë të tilla dhe kërkojnë diçka me aq shpirt, saqë ty nuk të bëhet të ikësh pa u dhënë diçka. Ja pra, dhe ne duhet t’i lutemi Zotit në atë mënyrë nëse duam të na mbështjellë me mëshirën e Tij. Disa njerëz kanë shpëtuar nga këta lutje të përzemërta dhe të sinqerta. P.sh., njeriu mund të lutet kështu: “O Zot! Unë e njoh veten time, me veprat që kam bërë e kam të vështirë të futem në parajsë, por nëse Ti e urdhëron diçka të tillë, atëherë edhe mundem. Edhe nëse më shpie në zjarrin Tënd, do t’u flas për Ty njerëzve aty.” Ndërsa një tjetër lutet kështu: “O Zot! Unë e njoh veten time, por të njoh dhe Ty; mua nuk më shkojnë këta mëkate, po Ty me të vërtetë që të takon falja.” Fjalë të tilla të përzemërta sjellin mëshirën e Zotit dhe Ai bën atë që i shkon madhështisë së Tij, dhe i bën lutjet e tyre një mjet për faljen e mëkateve. Njeriu duhet të shkrihet në atmosferën e lutjes dhe asnjëherë nuk duhet të lodhuri nga lutja. Zoti padyshim që e dëgjon zërin e njeriut por nganjëherë njeriu kërkon gjënë e gabuar dhe Zoti i jep atë që është më e mirë për të. Siç e thotë dhe një dijetar i njohur, robi i kërkon Zotit një djalë, dhe Zoti i jep atij një vajzë si Merjemja e nderuar, e cila do të jetë më e mirë për të.