SI TË QËNDROJMË LARG GJYNAHEVE (SEDD-I DHERRÂII)
Besimtarët janë të bindur se punët dhe veprat e tyre shënohen nga Melaiket shënues, Kiramen katibinët.
Allahu i Lartësuar në Kuranin Fisnik thotë kështu: “ndonëse mbi ju ka rojtarë (që ju vëzhgojnë), shënues të nderuar, që dinë gjithçka që bëni.(Infitar 10-12).
Çdo punë që bën njeriu, qoftë edhe e vogël sa një grimcë atomi, këta melaike e shënojnë në fletorën e veprave, e cila do të paraqitet përpara nesh ditën e gjykimit si argument pro apo kundër.
Allahu i Lartësuar thotë: “Kush ka bërë ndonjë të mirë, qoftë sa një thërrmijë, do ta shohë atë, e kush ka bërë ndonjë të keqe, qoftë sa një thërrmijë, do ta shohë atë. (Zelzele 7-8)
Këto melaike shënojnë atë çfarë njeriu vepron në të jashtmen e tij, mirëpo ata kurrsesi nuk e dinë atë çfarë njeriu ka në zemrën e tij. Prandaj gjykimi përfundimtar të veprës tonë i mbetet vetëm Allahut të Lartësuar.
Ai di qëllimet dhe njeh sekretet e zemrave tona.
Njeriu është gabimtarë dhe kjo është botërisht e ditur.
Nuk ka asnjë njeri pa gabime dhe gjynahe. Perfekt dhe pa të meta është është vetëm Krijuesi i botëve.
Në lidhje me këtë i dërguari I Allahut (a.s) thotë: “Ademi (a.s) gaboi, po ashtu gabuan dhe bijtë e tij, Ademi (a.s) harroi, po ashtu harruan fëmijet e tij (Tirmidhiu).
Gjëja më e rëndësishme mbas gabimit me dashje apo harresë është pendimi me sinqeritet kundrejt Allahut të Lartësuar, sepse në këtë formë njeriu fiton një cilësi të mirë dhe bëhet prej njerëzve të cilët zotërojnë cilësi dhe virtyte të mira, siç është cilësia e kërkimit të faljes.
Thotë i dërguari I Allahut (a.s): “Çdo bir i Ademit është gabimtarë, por më i mirë i gabimtarëve është ai i cili pendohet)
(Tirmidhiu, Ibn Maxhe)
Njeriu çdo gabim që bën duhet ta pasoj me pendim dhe kërkim falje (teube, istigfar), për vetë faktin sepse është një prej cilësive më të dashura të Zotit.
Allahu i Lartësuar në Kuranin Fisnik na mëson që njeriu duhet ti kërkoj falje Zotit për gjynahet dhe gabimet e tij, qofshin këto me dashje apo jo, me vetëdije apo në harresë.
Allahu i Lartësuar thotë kështu në Kuran: “Zoti ynë mos na ndëshko për atë që harrojmë ose veprojmë pa qëllim”. (Bakare,286).
Kur njeriu këshillohet që të kërkojë falje për gjërat të cilat ai ka vepruar pa dashje ose në harresë, atëherë nga kjo kuptohet se sa e rëndësishme është dhe sa shumë duhet që njeriu të kërkoj falje dhe të pendohet për gjërat të cilat i vepron me vetëdije.
Prandaj ruajtja nga gjynahet duhet të jetë qëllimi dhe preokupimi më i rëndësishëm në jetën e besimtarit.
Duhet që besimtari të mbrojë zemrën e tij nga gjynahet, sepse në këtë formë ai mbron besimin, nderin, moralin dhe dinjitetin e tij.
Në të kundërtën, njeriu do të rrezikonte shumë besimin e tij, sepse siç dhe thuhet nga dijetarë të shumtë; “çdo gjynah është një rrugë për në mosbesim”.
Këtë na e pasqyron i dërguari I Allahut a.s ku thotë: “Kur robi vepron një gjynah, vendoset në zemrën e tij një pikë e zezë. Në momentin që ky njeri pendohet, atëherë kjo pikë e zezë fshihet dhe pastrohet.
Nëse ai përsëri vepron gjynah dhe është i vazhdueshëm në të, kjo pikë e zezë sa vjen dhe zmadhohet në zemrën e tij dhe e kaplon të gjithë atë. Më pas i dërguari i Allahut (a.s) shton dhe thotë: Pikërisht për këtë gjë Allahu i Lartësuar thotë në Kuran “Nuk është ashtu! Por veprat e tyre (të këqija) ua kanë mbuluar zemrat. (Mutaffifin 14)
(Transmeton İbn Xherir Taberiu në tefsirin e tij)
Sedd-i dherrâii (سد الذراءع) është një terminologji e përdorur në literaturën islame (Në uslulu fikh të imam Ahmedit dhe Malikut), e cila do të thotë të vendosësh pengesa për gjynahet dhe për të arritur tek diçka më e mirë.
Kjo për vetë faktin sepse Allahu i Lartësuar në Kuranin fisnik përdor termin “Ue le tekrrabu” -dhe mos ju afro x gjynahu (Enam 152, Isra 32).
Kjo bën atë që një mysliman duhet që ti peshojë gjërat në bazë të asaj çfarë thotë feja e Zotit.
Merret situata dhe filtrohet sipas ligjeve islame.
Nuk filtrohen ligjet e Kuranit në bazë të situatës, nuk përshtatet Kurani sipas situatës, por situata duhet të dali në konkluzionin përfundimtar sipas Kuranit.
Prandaj kur dikush përballet me një vepër e cila është haram, ai nuk ka aspak medyshje nga mënjanimi I saj, sepse është plotësisht i bindur se ai gjynah mund të bëhet shkak për zemërimin e Zotit, por dhe nga ana tjetër është plotësisht i bindur se largimi nga ai gjynah mund të bëhet shkak për kënaqësinë e Zotit, ku si shpërblim arrinë gradë të lartë në dynja dhe ahiret.
Që të mos arrihet tek gjynahu, atëherë mund të ketë disa veprime parandaluese të cilat e mbrojnë besimtarin që të mos përfundojë në veprim të diçkaje të gabuar.
Mund të sjellim si shembull historinë më të bukur të cilësuar nga Kurani Fisnik, atë të Jusufit (a.s);
-Ai në momentin që u përball me gjynahun menjëherë kujtoi mirësitë e Zotit të Tij, ku në fakt të kujtosh mirësitë e Zotit tënd në momentet drejt gjynahut, mund të bëhet një “Sedd-i dherrâii”.
Duke qënë afër për të rënë në gjynah, situatën dhe reagiminin e Jusfit (a.s) Kurani e shpjegon kështu: “Por ajo, në shtëpinë e së cilës gjendej ai, nisi ta joshë në kundërshtim me dëshirën e tij. Ajo ia mbylli të gjitha dyert dhe tha: “Jam e gatshme për ty!” Kurse ai tha: “Allahu më ruajt! Me të vërtetë, Zoti im ka treguar kujdes për mua dhe, pa dyshim, keqbërësit nuk do të shpëtojnë kurrë”.(Jusuf: 23)
Jusufi (a.s) jo vetëm këtë reagim, por ai do të kënaqej edhe sikur të burgosej për vite të tëra, por kurrsesi ai mos të binte në një gjynah të tillë. Ai tha: “O Zoti im, më shumë e dua burgun se atë ku më shtyjnë ato. Nëse Ti nuk e largon prej meje dredhinë e tyre, unë do të prirem drejt atyre dhe do të bëhem nga ata që nuk (i) dinë (ligjet e Tua).” (Jusuf: 33)
-Pikë tjetër që duhet të kemi kujdes ndaj gjynaheve është dhe qëndrimi larg atmosferës së gjynaheve.
Allahu i Lartësuar thotë kështu: “Dhe mos i’u qasni zinasë, se ajo është shfrenim dhe rrugë e shëmtuar! (Israa: 32).
Pra, qëndro larg çdo dere e cila nëse do të hapet, mbas saj qëndron një humnerë, ku nëse bie do të rrezikosh besimin tënd dhe ahiretin tënd.
Të qëndrosh afër gjynahut do të thotë që herët a vone do e veprosh atë.
Prandaj këshillon Allahu i Lartësuar në këtë formë, sepse Ai është Krijuesi ynë dhe kush më mirë se Ai e njeh krijesën e Tij.
-Një pikë tjetër pengesë për gjynahet është shoqërimi me njerëz të mirë, besimtarë.
I dërguari I Allahut a.s këshillon që kur dikush prej jush udhëton, atëherë minimumi të jenë tre veta, sepse në këtë formë mund të bëhen pengesë ndaj njëri-tjetrit për mos të rënë në gjynahe. (Ebu Davud, Tirmidhiu).
-Të shfrytëzosh mirësitë e hallallit në kohën e duhur është një pengesë tjetër për gjynahet. P.sh njeriu e ka hallall të martohet në moshë të re, kur ai i plotëson kushtet e nevojshme, mirëpo nëse ai këtë gjë nuk e aplikon dhe e vonon, atëherë ai është shumë më i ekspozuar drejt nefsit dhe shejtanit të mallkuar që të përdorin epshet e tij dhe kësisoj të përfundojë në gjynah.
Në këtë formë besimtari ruan zemrën e tij nga gjynahet, ku duke ruajtur zemrën ruan besimin e tij.
Punët e zemrës janë një prej punëve aq sa delikate, por aq dhe të rëndësishme për të pasur sukses në të dy botët.
Prandaj nga lutjet më të shpeshta në përditshmërinë e Muhammedit a.s ishte: “O Forcuesi i zemrave ma forco zemrën time në fenë tënde”.
Kur Aishja (r.a) e pyet të dërguarin e Allahut se pse ai e thotë kaq shpesh këtë lutje, Ai (s.a.s) përgjigjet: “pa diskutim që zemra e njeriut është midis “dy gishtave të Allahut”, kë do Ai e bën që të devijojë dhe kë do Ai e forcon”. (Musnedi i imam Ahmedit ,ndërsa Tirmidhiu e transmeton me dialogun e Enesit (r.a) ).
Allahu i Lartësuar në Kuranin Fisnik shpesh herë na mëson lutje specifike, të cilat në fakt sipas shumë dijetarëve janë lutjet me potencialin më të madh për tu pranuar. Në të njëjtën kohë janë lutjet të cilat plotësojnë të gjitha nevojat e njeriut qoftë të dynjasë qoftë dhe të ahiretit. Duke u lutur me lutjet që Allahu na mëson në Kuran, atëherë do të thotë se i je bindur Zotit tënd i Cili sikur thotë kështu: “lutu me lutjen që Unë të mësoj, sepse jam Unë Ai i Cili të njoh ty më mirë sesa ti njeh vetveten tënde”. Nisur nga kjo Ai na mëson të lutemi kështu: (Ata thonë:) “O Zoti ynë! Mos lejo që zemrat tona të shmangen (nga e vërteta), pasi na ke udhëzuar në rrugën e drejtë, dhe jepna mëshirë prej Teje; vërtet, Ti je Dhuruesi i Madh! (Ali Imran 8)
Të jesh besimtar, të jesh praktikant, të jesh i qëndrueshëm në fe dhe të qëndrosh larg gjynaheve, nuk është gjë tjetër vetëm se një mirësi e madhe e Allahut të Lartësuar kundrejt robërve të Tij.
Besimtarët duhet të jenë të vetëdijshëm për këto mirësi të mëdha dhe duhet të bëjnë çdo përpjekje të mundshme që kurrsesi mos të largohen nga to.
Allahu na bëftë të qëndrueshëm në fe dhe na largoftë nga gjynahet.
Amin!
LEONARD ÇELA