Si ta kultivojmë cilësinë e falënderimit te vetja dhe fëmijët tanë?

Kapërcimi i sprovave

Ne ecim në një rrugë të mbushur me sprova në këtë botë. Pavarësisht se kush je dhe pavarësisht se ku e gjen veten në këtë jetë, të lutem, bindu se nuk je i vetëm. Allahu ka vendosur vështirësi në rrugën e jetës sonë, në mënyrë që ne të rritemi më tepër. Mënyra se si ne zgjedhim t’i përgjigjemi këtyre vështirësive, varet e gjitha nga ne.

Të përballesh me realitetin

“Nuk i kam krijuar xhinët dhe njerëzit, veçse për të më adhuruar Mua.” (Dharijat, 51:56)

Mund të mos duket kështu në pamje të jashtme, por gjithsecili prej nesh bart një histori të tijën. Ne jemi të gjithë produkte të rrethanave të ndryshme, por të gjithë jemi të drejtuar kah një destinacioni final të pashmangshëm, takimin me Krijuesin tonë.

Çdo gjë që ndodh në jetë është një mundësi për t’u afruar më shumë me Krijuesin, ose e kundërta e kësaj. Askush prej nesh s’mund t’i kontrollojë shumë gjëra në jetë; si llojin e familjes në të cilën kemi lindur, motin, çfarë ndodh në shkollë apo në punë, por ne mund të zgjedhim mënyrën se si përgjigjemi.

Falënderimi

“Dhe kur Zoti yt deklaroi, ‘Nëse më falënderoni, do t’ua shtoj të mirat, por nëse tregoheni mosmirënjohës, dijeni që dënimi Im është i dhimbshëm.” (Ibrahim, 14:7)

S’ka rëndësi se sa të vështira mund të të duken gjërat në këto çaste, unë të ftoj t’i drejtosh vetes pyetjen; cila është ajo gjë për të cilën mund të falënderoj tani? Dhe në çastin kur mund të thuash një, atëherë përmende edhe një tjetër. Syno të gjesh pesë gjëra për të cilat mund të ndiesh thellësisht mirënjohës dhe lejoji ato të depërtojnë thellë në qenien tënde.

Ka shumë gjëra që ne i marrim si të mirëqena, deri në çastin që ato merren prej nesh.

Të kthehesh pas në sjelljet fëminore

Shumë prej sjelljeve tona problematike e kanë origjinën që në mekanizmin kopjues të sjelljeve në fëmijërinë tonë. Çfarë na ka ndihmuar të kalonim fazën tonë të fëmijërisë, tanimë vepron kundra nesh, në kohën kur jemi të rritur.

Kërkon ndërgjegjësim, punë të madhe dhe shpeshherë mbështetje profesionale, që të na ndihmojë ta riprogramojmë mendjen tonë. Por ndryshimi është gjithnjë i mundur, me ndihmën e Allahut.

T’u mësojmë fëmijëve falënderimin

Mësojuani fëmijëve tuaj zakonin e mirënjohjes. Bëjeni këtë një praktikë tuajën të përditshme, në kohën e ushqimit, apo kur shkoni për të fjetur. Varësisht moshës dhe temperamentit të fëmijës tuaj, ju mund ta bëni këtë edhe në formën e një loje, duke kërkuar prej tyre t’ju përshkruajnë tri gjëra që i bëjnë ata të lumtur. Cilat janë ato gjëra që ata mund të thonë “elhamdulilah” për to? Ushqimi i mirë i përgatitur nga mami, ndihma që u dha babi për të fjetur, apo shoqëria e shokëve me të cilën luajtën…

Teksa fëmijët rriten, mund t’i ndihmoni që ata të formojnë zakonet e tyre të falënderimit. Akti i shkrimit në letër të gjërave për të cilat janë mirënjohës, ndihmon shumë në realizimin e këtij procesi. Kjo është gjithashtu një mënyrë e mirë edhe për prindërit, që ata ta forcojnë edhe më tepër cilësinë e falënderimit.

Fëmijët mësojnë nga ajo që ne jemi dhe jo gjithmonë nga ato që ne themi. Nëse ata na shohin që ne punojmë fort të jemi mirënjohës, atëherë pavarësisht rrethanave të jetës, ata do të ndjekin pas shembullin tonë. Kjo është një farë e mrekullueshme që mund të mbillet në zemrat e fëmijëve. Shpresojmë që brezat e ardhshëm të kenë zemra të mbushura plot mirënjohje dhe dashuri për Zotin e të Dërguarin e Tij (s.a.s).

Përkthim

Raidah Shah Idil

 

Postime të ngashme