Shumë mëkate të bëra, megjithëse kanë kaluar vite, nuk na hiqen aspak nga mendja, për më tepër, bëhen nxitës për të njëjtat mëkate. Sot rrugët janë pushtuar prej pamjesh që të kujtojnë kësi lloj mëkatesh. Nuk dimë se ç’duhet bërë. Vetëm lutemi të biem dëshmorë, duke gjetur kështu, rrugën e pastrimit prej mëkateve.

Kjo nuk është pyetje, por pohim i një zemre të sinqertë. Është shprehja e anktheve të një zemre që është ngritur e revoltuar në këmbë në rrugën për t’iu afruar sahabeve, shokëve të Profetit. Ne kemi marrë vendim të mbetemi brenda kësaj shoqërie, mes këtyre njerëzve në kushtet kur rruga e tregu mbushen e derdhen prej mëkateve. Me këtë rast, ju lutem të më lejoni të ritregoj këtu një ndjenjën time që e kam treguar edhe herë tjetër mes këtyre bisedave.

Kur për së pari vizitova të Dërguarin e Allahut, duke shkuar për në Varrin e Tij[1], më dukej sikur do të më ikte mendja. Më bëhej sikur do të takohesha me atë vetë. Shihja majtas e djathtas e e kërkoja për ta parë. Veten ma kishte mbështjellë ndjenja e të shtënit të plotë ndaj Tij duke mos dashur të di për asgjë tjetër, madje duke qenë i vendosur për të kundërshtuar edhe ftesën për në parajsë sikur të hapeshin dyert e saj e të ftohesha brenda. Po deshët, kësaj mund t’i thoni “t’i bëhesh ashik fshatit të dikujt”.

Por unë kam një porosi për shokët. Po qe se një ditë do ta braktis këtë vend e do të shkoj atje, këtë do ta bëj për përfitime personale. Le të më kapin mua atëherë për jake e lë të më sjellin zvarrë prapë këtu! Në mos qoftë kështu, para Zotit jam fajtor ndaj jush…

Ja, pra, dy fytyrat e veçanta të kësaj çështjeje. Nga një anë malli i paduruar për dheun e Profetit dhe, nga ana tjetër, domosdoshmëria për të përballuar detyrën që më takon këtu. E para është krejt personale, kurse e dyta ka të bëjë me fatin e një kombi, madje të tërë botës islame…

Që të gjithë ne, një e nga një, para një zgjedhjeje të njëjtë ndodhemi. Edhe ju, të paktën po aq sa unë, jeni të dashuruar pas atyre anëve. Megjithatë e quani veten të detyruar të mbeteni këtu. Sepse këtu ka rënë flamuri për tokë, brezi këtu ka nisur të shkatërrohet dhe çdo gjë këtu ka mbaruar. Nëse diçka ka për të nisur nga e para, që këtu do të nisë. Edhe ne do të vuajmë, do të flijojmë ndjenjat e përfitimeve materiale e shpirtërore dhe këtu do të mbetemi.

Po, e pranoj, mëkatet na i zënë rrugët dhe ne ndjejmë se si na plagoset zemra për çdo çast. Megjithatë, pavarësisht nga kjo, qëllimet i kemi të shëndosha e të pastra. Eshtë vetëm një mendim që na e stolis zemrën, t’i vëmë supet fesë së Zotit tonë, ta shtrojmë të Dërguarin e Allahut në zemrat e rinisë e të brezit tonë si dhe, duke qenë të vendosur qysh në krye për të pranuar të gjitha të këqijat që mund të na bien mbi krye në këtë rrugë, të jemi të vendosur për të qëndruar këtu. Pikërisht për të gjitha këto ne zgjedhim të mbetemi mes njerëzish e të ndajmë me ta vuajtjet e tyre, të tërhiqemi në male duke hequr dorë prej gjithçkaje dhe, duke u mbyllur në një qoshe, të bëjmë dhikër. Do të rrimë mes njerëzish e do të shtypemi herë pas here nën zinxhirët e shoqërisë, por, megjithatë, do të vazhdojmë të mbetemi po atje. Sepse jemi të detyruar të punojmë këtu, madje të dënuar…

[1] Në origjinal: Ravza-i Tahire, Kopshti i Bleruar.

Postime të ngashme

%d bloggers like this: