Cila është pozita jonë përballë intrigave të kohës së mbrame dhe si mund të mbrohemi prej tyre?
Shekulli i nëntëmbëdhjetë është emri i një periudhe kur vende të ndryshme islame iu nënshtruan pushtimit dhe u shtypën nën hegjemoninë e mendësisë dhe botëkuptimit bestyt të perëndimit.
Në të vërtetë, mizorët dhe hipokritët europianë i patën lënë dhe qenë tërhequr më pas fizikisht prej këtyre vendeve, por vetëm pasi patën hedhur e shpërndarë gjithandej si një farë të helmuar, ashtu siç hidhet fara në arë, të gjitha llojet e gënjeshtrave ideore e botëkuptimore. Ja, pra, shekulli që po jetojmë, është një shekull fatkeq, pasi produktet e degjeneruara të atyre farërave kanë hedhur shtat në zemrën tonë dhe, në planin mendor-moral na kanë katandisur në mjeranë e varfanjakë! Shkëndijat e shpërndara prej tyre kanë shkaktuar një zjarr ferri që po djeg e përcëllon jetën e shoqërisë. Këto intriga janë me qindra. Dhe brezi i ditëve tona pyet se ç’qëndrim duhet mbajtur ndaj tyre. Ne na gëzon qoftë edhe fakti që fillojnë të bëhen pyetje të tilla. Sipas meje, kjo duhet pranuar si simptoma e kapërcimit të një etape dhe duhet vlerësuar.
Fronti i mohimit, së pari, shigjetën e pati hedhur mbi besimin monoteist, pati dashur t’i turbullojë mendjet në lidhje me ekzistencën dhe njësinë e Zotit dhe njëfarë kohe edhe pati arritur sukses. Ky popull qe bërë dëshmitar edhe i periudhave kur mohimi i Zotit qe bërë modë. Në ato periudha, feja qe nënvleftësuar me të tëra dhe konceptet e konsideruara si të shenjta nga feja, i qenë nënshtruar goditjeve, sharjeve e përbuzjeve.
Atëherë qenë bërë përpjekje që lidhja dhe besnikëria e popullit ndaj Kuranit të fshihej sistematikisht nga zemrat dhe vendin e tyre ta zinin libra të tjerë, që emri i lartë i Hz. Muhamedit (a.s.) të shkulej nga gjokset e besimtarëve ku ai kishte ngritur një fron dashurie krejt të veçantë dhe aty të shtresoheshin emra të tjerë, madje, në vend të Qabes, qenë propozuar të tjera vende e orientime dhe kështu, duke i shtyrë brezat në një kaos, ishte dashur të shkëputeshin prej origjinës dhe rrënjës së tyre. Edhe nëse të gjitha këto veprime nuk patën ndikuar në të gjithë popullin, meqë brezat e rinj naivë patën humbur vullnetin dhe aftësinë për t’iu kundërvënë atyre, një shumicë e madhe e tyre e patën lëshuar veten në atë rrjedhë e patën marrë fund.
Sa e sa shpirtra të plagosur ka sot për shkak të këtyre intrigave, sa koka të sëmura dhe sa ndërgjegje sterrë të zeza! Nuk kanë të llogaritur dëmet e largimit nga feja! Në asnjë shekull nuk ka arritur në përmasa të tilla tronditëse numri i njerëzve-armiq të emrave që bartin vetë, armiq gjer atje sa të adhurojnë edhe faraonët, megjithëse emrat që bartin u përkasin personave për hir të të cilëve jemi gati të sakrifikohemi. Në këtë periudhë shikimi u drejtua vetëm kah bota. U bënë të dashura gjërat që nxisnin dëshirat trupore dhe kërkesat materiale. Njerëzit, në vend të përjetësisë, blenë këtë botë kalimtare e të vdekshme, sepse tek ajo ishte përqendruar opinioni dhe mendësia e përgjithshme që ishte sjellë në rend të ditës. Dhe çdokush, në mënyrë të ndërgjegjshme apo jo, ishte futur në një garë të tillë. Ata që ecnin në rrugën e përjetësisë, përbuzeshin, kurse të tjerët respektoheshin. Dhe të gjitha këto ishin nga një intrigë më vete që e largonin njeriun nga feja…
Ja pra, brezi ynë u detyrua të kalonte nëpër një urë të tillë të vështirë. Një urë e tillë në anët e së cilës qenë të varura si karrem femra, pije, bixhoz, ryshfet, faiz, etj. Të rinjtë mund të shpëtonin prej një grepi, por binin në grepin tjetër. Kurse të zgjedhurit që mund të kalonin pa u penguar kund, ishin më pak se ç’mund të merret me mend, shumë më pak se më e pakta…
Nga të bihet në një gropë, prej andej edhe do të jetë dalja dhe shpëtimi. E pra, fakti që Pishtari Gjigant i kohës (Bediuzzaman Said Nursi), që ishte njëri prej atyre që e patën rrokur më herët këtë të vërtetë, filloi nga meremetimi i pikave ku qenë bërë shkatërrime, duhet të jetë konkretizimi i kësaj të vërtete. Armiqtë patën dashur të ndezin një zjarr, kurse Providenca Hyjnore dëshiroi dhe urdhëroi të shuhej zjarri i intrigës së ndezur prej tyre. Fitimtari është Allahu, kështu që zjarrit të intrigës i është zënë fryma pikërisht në vrimën prej nga qe përvjedhur në besimin. Sa për intrigat lidhur me aktet dhe veprimet, për shkëndijat lidhur me mëkatet, dashtë Zoti, edhe ne do të përpiqemi ta shuajmë atë zjarr me përftimet e nxjerra nga mësimet e marra prej shprehjeve të ndritshme të Kuranit e të të Dërguarit të Allahut e prej veprave të studiuara. Vetëm se s’ka dyshim që në këtë fushë kemi nevojë të padiskutueshme për njerëzit tanë, për mbështetjen e xhematit, bashkësisë tonë. Sepse, kur intrigat të na hidhen sipër si një ushtri armike, është mjaft e vështirë t’i përballojmë ato individualisht, madje, e pamundur. Dhe s’duhet të harrojmë që mëshira e Zotit është gjithmonë bashkë me bashkësinë.