Thuhet se shokët e Profetit (s.a.s.), fëmijët dhe gratë e tyre, kur kishin për të qarë për dëshmorët e vet, më parë qanin për Hamzain (r.a). A mund të na e thoni shkakun?
Ashtu pati ndodhur për një kohë të gjatë. Ashtu e patën komentuar dhe interpretuar ndjeshmërinë e Profetit në këtë çështje.
Vendi i Hz. Hamzait mes hashimitëve, ishte vendi i një burri dhe trimi të vërtetë. Ai qe shfaqur mes tyre si një rrufe e ashtu qe larguar. Dhe pas vetes nuk pati lënë kënd që t’i trashëgonte brezin. Ashtu siç pati bërë një jetë të posaçme vetëm për të, po ashtu edhe ikjen e bëri në një mënyrë të posaçme vetëm për të. Ai iku pa lënë pas askënd. Dhe si përgjigje ndaj këtij realiteti, zuri një vend të tillë në zemrën e të gjithë njerëzve që e njohën, ashtu edhe në zemrën tonë, saqë do të ishim gati, në më lejofshi të shprehem kështu, të quheshim jo më bij të tij, por t’i bëheshim roje në portë e t’i puthnim këmbët!
Hyrja e tij në Islam qe, në të njëjtën kohë, edhe fillimi i periudhës së mbarësisë për myslimanët. Profeti i Dy Botëve e donte shumë dhe krenohej me të. Një radhë, në një prej ditëve kur pijet alkoolike ende nuk ishin ndaluar, Hz. Hamzai kishte pirë e ishte dehur. Dhe i Dërguari i Allahut, që i kishte shkuar ndoshta për ta qortuar për shkak të një gabimi që ai kishte bërë, e kishte parë në atë gjendje si dhe kishte dëgjuar ca marrëzi që ai i kishte nxjerrë prej goje nën ndikimin e alkoolit. Por Profeti ishte kthyer pa i bërë asnjë lloj qortimi. Ndoshta i Dërguari i Allahut kishte frikë se mos ai rrëshqiste edhe më keq. Ndoshta i dinte që më parë shërbimet që kishte për të kryer Hamzai për Islamin…
Në luftën e vështirë të Uhudit, Hz. Hamzai ra dëshmor në një mënyrë që i shkonte vetëm atij. Në asnjë vend, asnjë gaziu, fitimtari, nuk i ka rënë në pjesë një trimëri e tillë!
Me ç’na thonë historianët, atë ditë ai kishte vrarë plot tridhjetë e tri vetë dhe pastaj kishte rënë dëshmor. Mendoni si e sulmojnë idhujtarët trupin e tij dhe e bëjnë copë-copë. E motra, Safije, i hidhet sipër, qan me të madhe dhe, ndoshta, në anën tjetër, përpiqet t’ia mbledhë copat e trupit që ia kanë këputur e hedhur andej-këtej. Ndërkaq, nga njëra anë gjendja e Hz. Hamzait e nga ana tjetër gjendja e Safijes, nënës së Zubejrit dhe hallës së Profetit, e preknin shumë këtë të fundit e ia bënin zemrën copë. Nga myslimanët nuk kishte mbetur njeri pa marrë plagë. Myslimanët kishin dhënë gjer më gjashtëdhjetë e nëntë dëshmorë. Gjatë kthimit për në Medine, secili derdhte lotë për të afërmit e vet. Qahej për të vrarët, qahej për të plagosurit dhe në qiell ngjiteshin klithmat e vajit për të plagosurit që vdisnin pasi ktheheshin në shtëpi. Në atë mjedis vajtimesh ishte dikush që ishte harruar e për të cilin nuk kishte njeri që të derdhte lot. Ishte më fisniku i dëshmorëve, ishte kryedëshmori, por s’kishte kush ta qante! Ja, pra, kjo pamje e preku edhe një herë tjetër thellë të Dërguarin e Allahut. Fjalët që nisën t’i derdheshin prej buzëve, ishin si rënkimet e një zemre të bërë copë-copë: “Oh, si s’ka njeri që të qajë për Hamzain!…” Kur i dëgjoi këto fjalë Sa’d b. Ubade, sikur e goditi dikush në kokë. Shkoi me vrap e i mblodhi gratë medinase. Dhe u tha: “Qani një herë Hamzain, pastaj të vdekurit tuaj!” Pastaj kjo u kthye në zakon. Ç’është e vërteta, ky zakon s’arriti gjer në ditët tona, sepse një ditë u pre. Ç’e do që edhe sikur të gjithë myslimanët ta qanin Hz. Hamzain, para të vdekurve të vet, gjer në kiamet, prapë se prapë kjo do të kishte qenë pak për luanin e Allahut…
Dashuria që ndjejmë ne për Hz. Hamzain, nuk rrjedh prej personit të tij, por prej dashurisë së të tjerëve ndaj tij. I Dërguari i Allahut e donte, edhe ne e duam. Atë e do Zoti dhe emri i tij, “Esedullah, Luani i Allahut”, është i shkruar në qiell; prandaj edhe ne e duam.
Përveç këtyre, personaliteti i Hz. Hamzait bartte një kuptim të veçantë si pasojë e afërsisë së tij ndaj të Dërguarit të Allahut, gjë që është jashtë horizontit tonë të të kuptuarit. Shikimi ynë nuk shkon dot gjer atje. I Dërguari i Allahut qe sjellë ndryshe edhe në lidhje me Xhaferin. Kur kishte vdekur ky sahabi, pasues e shok i Profetit, për të cilin ky thoshte “me anën e jashtme dhe moralin më ngjet mua”, kishte shkuar, i kishte mbledhur rreth vetes fëmijët e tij, i kishte marrë në prehër dhe kishte qarë mbi krye të tyre! Edhe tek Xhaferi kishte diçka si rrjedhojë e afërsisë me të Dërguarin e Allahut, gjë që ne përsëri nuk jemi në gjendje ta kuptojmë.
Ndoshta ndjeshmëria e treguar në këtë çështje nga i Dërguari i Allahut, sipas shikimit të Zotit, ka qenë shprehje e marrjes së një pozicioni. E shihni, ka gjithë ata pasues të rënë dëshmorë në Uhud. Ka, por, me ç’kanë vëzhguar shumë njerëz të mëdhenj, të urtë e të lartësuar shpirtërisht, të merituar për zbulimin para tyre të së fshehtës, kush të ketë mbetur në vështirësi e të ketë thirrur emrin e Hamzait, ky i është shfaqur menjëherë aty me kalin dhe shpatën në dorë. Kjo është diçka e posaçme vetëm për të.
Mund të ketë shumë e shumë trima që kanë dhënë ose kanë për të dhënë jetën më pas në po ato kushte të rënda, që janë bërë ose kanë për t’u bërë shoshë nga plumbat. Por kurrsesi nuk mund të krahasohen me ata që kanë luftuar në nisje të kësaj pune, në kushte shumë të rënda, si dhe në mjedisin e ndritshëm të të Dërguarit të Allahut. Vendi i Hz. Hamzait është i veçantë edhe midis tyre! Në këtë mes, mund të dalin edhe të tillë të cilët do të donin ta interpretonin këtë çështje si rrjedhojë e një afërsie të natyrshme, por një interpretim i tillë është i dobët aq sa s’është për t’i dhënë rëndësi.