Shpenzoi vetëm katër dërhemë për të kërkuar kënaqësinë e Zotit
Sipas transmetimit të Abdullah ibn Abasit (r.a), Hz. Aliu kishte vetëm katër dërhemë dhe ato i dhuroi të gjitha në rrugën e Allahut. Njërin dërhem e dhuroi natën, tjetrin të nesërmen, njërin në mënyrë sekrete dhe tjetrin haptazi. Ky lajm i shkoi Profetit (a.s), i cili e pyeti Aliun për arsyen e këtij veprimi. Ai i tha se ishte në kërkim të kënaqësisë së Allahut në njërën prej këtyre rrugëve, prandaj kishte vendosur që të përdorte metoda të ndryshme dhurimi, duke mos e ditur se në cilën prej tyre fshihej mëshira dhe kënaqësia e Zotit.
Për këtë ngjarje, Allahu shpalli: “Ata të cilët japin nga pasuria e tyre natën dhe ditën, fshehtazi dhe haptazi. Shpërblimi i tyre do të jetë te Zoti dhe për ta s’do të ketë frikë dhe as mërzi.”
Në pamje të parë ky ajet duket sikur flet për një person i cili ka pasuri tepër të madhe, por në fakt zbriti për një njeri që kishte vetëm katër dërhemë dhe me to kërkonte kënaqësinë e Allahut. Nuk është e rëndësishme sasia e saj që jep, por qëllimi yt dhe gjendja e zemrës tënde. Nëse zemra është e mbushur plot me sinqeritet dhe qëllimi është i pastër, atëherë shpërblimi i një vepre të vogël do të jetë tepër i madh.
Zoti i gjithësisë e ka fshehur kënaqësinë e Tij në veprat e mira dhe kështu njeriu nuk e di se cila vepër do ta bëjë atë të denjë për kënaqësinë e Allahut. Duke u nisur nga ky fakt, ai duhet t’i kërkojë me këmbëngulje rrugët e mirësisë dhe duhet të shfrytëzojë çdo rast të mundshëm për të bërë mirë. Ky sekret është një motiv i fortë për ta mbajtur të gjallë zemrën tonë dhe për të mos reshtur kurrë së vepruari mirë. Urtësia e Hz. Aliut bëri që Zoti të shpallte për të një ajet Kurani, kështu ta lavdëronte dhe ta pranonte punën e tij të mirë.