Shkaqet, Natyra dhe Vetekzistenca

  1. Shkaqet dhe rastësitë nuk munden ta bëjnë gjithë­sinë

Rastësia është e kundërta e rregullsisë (rregullit, ligjit), është përjashtim. Ndërsa ligji shpreh një marrëdhënie të caktuar dhe të vazhdueshme që mbështetet dhe zhvillohet mbi një plan, program, rregull dhe harmoni, rastësia është krejt e kundërta e kësaj, është një marrëdhënie e pacaktuar, e pavazhdueshme, pra, spontane, e pambështetur mbi një plan ose program, pra, e parregullt. Dituritë, në përgjithësi, dhe shkencat e natyrës, në veçanti, merren vazhdimisht me ligjet. Ato nuk interesohen për rastësitë dhe nuk i fusin ato në fushën e studimit të tyre. Është një gabim i madh t’i trajtosh dhe studiosh së bashku, në një plan, rastësitë me shkencat dhe ligjet shkencore.

Le ta ilustrojmë këtë vështrim të shkurtër mbi çështjen me një shembull.

Te njeriu ka gjashtëdhjetë trilion qeliza dhe, në një qelizë, af­ro një milion proteina. Kështu, mundësia e krijimit të rastësi­shëm të një proteine është një në gjashtëdhjetë trilion herë një milion. Domethënë se formimi në mënyrë të rastësishme i një proteine është po kaq i pamundur dhe absurd.

  1. Gjithësia nuk mund të bëhet vetvetiu

Në qoftë se themi se një qenie duhet të ekzistojë, duam të themi se mosekzistenca e saj është e pamundur. Qenia që du­het të ekzistojë e ka, pra, ekzistencën të domosdoshme. Ndër­kaq, çdo qenie që s’e ka ekzistencën të domosdoshme, e ka të mundshme, pra, mund të ekzistojë dhe mund të mos ekzistojë; mund të ekzistojë po aq sa mund të mos ekzistojë dhe mund të mos ekzistojë po aq sa mund të ekzistojë. Mundësia shpreh ba­razinë mes ekzistencës dhe mosekzistencës.

Domosdoshmëria e ekzistencës kërkon, në të njëjtën kohë, pafundësinë, sepse ajo e përjashton mosekzistencën. Mirëpo, në gjithësi vërehet se çdo qenie shkon me shpejtësi drejt një fu­ndi. Atëherë, themi se ekzistenca e asnjë qenieje të shfaqur pas në fushën e ekzistencës në gjithësi nuk është e domosdoshme. Mosdomosdoshmëria e ekzistencës është e njëvlershme me mu­ndësinë e saj. Kurse mundësia ka nevojë për një krijues. Ndër­kaq, identifikimi i krijuesit të nevojshëm me materien nevojtare është vetëm një përçartje. Atëherë, themi se krijuesi i një gjëje që ka nevojë për krijues, kurrë nuk mund të jetë lëndë ose një formë lëndore. Krijuesi i gjësë që ka nevojë për krijues mund të jetë një Individualitet me ekzistencë të domosdoshme, që është Allahu, Zoti i gjithësisë.

Nga ana tjetër, po qe se supozojmë se lënda është, në të njëjtën kohë, fuqi që e krijon vetveten, ku është tani ajo fuqi? Është krejt e qartë se fuqia që s’ka fund s’mund të ketë as fillim, s’mund të jetë as e pafillim. Atëherë themi se përtej qenies është një Individualitet i pafillim e i pafund që sundon mbi gjithë qe­nien, që është Allahu, Zoti i gjithësisë.

  1. As natyra dhe ligjet e natyrës nuk mund të jenë kri­jues

Ligji me atë që e vendos atë ligj nuk janë një. Nuk mund të ndodhë që ligjet e natyrës t’i kenë vënë vetë ligjet e natyrës. Nga ana tjetër, është e pamundur që natyra t’i japë diçkaje tje­tër atë që s’e ka vetë. Kështu, asnjëra prej mijëra ndjenjave që ndodhen te njeriu nuk ndodhet në natyrë. Atëherë, si mund t’i japë natyra njeriut atë që s’e ka vetë. Cila mendje mund ta pra­nojë këtë absurditet?

Si mund ta krijojë njeriun natyra e përbërë prej guri, dheu, ajri, dielli dhe nxehtësie që s’mund të krijojë diçka më të për­sosur se veten?

  1. Në unitet ka përputhshmëri

T’ia japësh të gjitha gjërat një gjëje (t’i bësh të gjitha gjërat një) është më e lehtë sesa ta përpjesëtosh një gjë tek të gjitha gjërat. Për krijimin e një grimce (molekule) ka nevojë për tërë gjithësinë. Ai që s’e krijon dot tërë gjithësinë, nuk e krijon dot një molekulë të vetme. Sepse brenda materies ekziston nevoja e gjërave për njëra-tjetrën, marrëdhënia e ngushtë e gjërave me njëra-tjetrën.

Ta vësh një njësi ushtarake nën komandën e një komanda­nti është mënyra më e thjeshtë dhe e lehtë e administrimit, kur­se komandantin ta bësh ushtar e ushtarët komandantë e ta vësh atë ushtar nën komandën e tërë atyre komandantëve, është më­nyra më e vështirë dhe absurde e administrimit.

T’ia atribuosh tërë gjithësinë Zotit është e njëjta gjë sikur t’ia atribuosh Atij krijimin e një qelize. Në të njëjtin rezultat të çon edhe e kundërta. Domethënë, kush ta ketë krijuar një molekulë, ka krijuar edhe gjithësinë. Si krijim, nuk ka ndryshim mes kriji­mit të molekulës dhe planetit, mikrobit dhe rinocerontit, pikës dhe detit, pjesës dhe të tërës. Ai që s’mundet ta krijojë planetin, rinocerontin, detin, të tërën, nuk mund ta zotërojë molekulën, mikrobin, pikën e ujit, pjesën!

Postime të ngashme