Sëmundja e lakmisë
Lakmia ka të bëjë me dëshirën e madhe që ka njeriu për ta pasur diçka, me çdo lloj kushti. Ai ka një etje të pashuar për gjërat që kanë të tjerët dhe për arritjen e tyre mund të përdorë çdo lloj rruge të mundshme. Kjo dëshirë e brendshme, nëse lihet të jetojë e pa kontrolluar mund të na e dëmtojë shumë botën tonë shpirtërore, psikologjike dhe fizike. Dëshirave që nuk u vendosen cak, nuk do të kenë asnjëherë së mjaftuari dhe ngopuri me gjëra të jetës së kësaj bote. Në një hadith thuhet:
لا يشبع اثنان: طالب العلم و طالب الدنيا
“Dy njerëz nuk ngopen kurrë, kërkuesi i dijes dhe ai i dynjasë.”
Lakmia është një cilësi e cila mund të kurohet në disa mënyra dhe më e mira është kërkimi i mbrojtes prej saj nga ana e Allahut të Madhëruar. Kurani na tregon se lakmia është pjesë e natyrës njerëzore dhe mbrojtja prej saj i sjell njeriut shpëtimin dhe suksesin.
وَ مَنْ يُوقَ شُحَّ نَفْسِهِ فَأُولٓئِكَ هُمُ المُفْلِحُونَ
“Kushdo që ruhet nga lakmia e vetvetes, me siguri që do të jetë fitues.” (Hashr, 59/9)
Një rrugë tjetër se si mund të shërohet kjo sëmundje është të kënaqurit me gjërat që Allahu na ka dhënë dhe mjaftueshmëria me to. Njeriu lakmitar nuk arrin dot t’i vlerësojë të mirat që i ka dhënë Allahu, sepse syri, mendja dhe zemra e tij janë te gjërat e të tjerëve, apo tek ato që i mungojnë. Më herët kanë thënë:
الخَيْرُ فِيمَا اخْتَرَهُ اللَّهُ
“E mira është tek ajo që ka zgjedhur Allahu.”
Hadithi thotë: “Kënaqu me atë që të ka caktuar Allahu dhe do të jesh njeriu më i lumtur.”
Njeriu lakmitar dënohet që në këtë botë me sëmundjen e tij, ku nga njëra anë nuk i vlerëson dot gjërat që ka dhe nga ana tjetër ai nuk ndihet asnjëherë i motivuar.
“Ai që nuk falënderon për pakicën, nuk falënderon as për shumicën.” Ai që nuk i jep të drejtën që i takon mirësive të Zotit sot, të mos presë se e nesërmja dhe shtimi i të mirave do ta ndryshojë për mirë.
I Dërguari i Allahut (a.s) thotë:
لَوْ أَنَّ لِإِبْنِ آدَمَ وَادِيًا مِنْ ذَهَبٍ أَحَبَّ أَنْ يَكُونَ لَهُ وَادِيَانِ وَ لَنْ يَمْلَأَ فَاهُ إِلَا التُرَابُ وَ يَتُوبُ اللَّهُ عَلَى مَنْ تَابَ
“Sikur biri i Ademit të kishte një luginë me ar, ai do të dëshironte edhe një të dytë dhe gojën e tij nuk e mbush veçse dheu. Allahu ia pranon pendimin atyre që pendohen.”
Islami nuk është kundra dëshirave të njeriut për të pasur një jetë më të mirë, apo për të ecur përpara. Por njeriu duhet që vazhdimisht ta kontrollojë lidhjen e tij me Zotin dhe të shohë se çfarë synon me gjërat që ai kërkon. Edhe prej shokëve të Profetit kishte prej atyre që ishin shumë të pasur, siç ishte Abdurrahman b. Aufi (r.a). Ai kishte një pasuri aq të madhe, saqë kur kthehej prej tregtisë që kishte bërë, dukej sikur një ushtri e tërë kishte pushtuar vendin. Por cila ishte frika e tij më e madhe dhe si e ruante ai veten?
Ai ishte parë të bënte tavaf rreth Qabes dhe në gjuhë përsëriste pa pushim të njëjtën lutje.
اللَّهُمَّ قِنِي شُحَّ نَفْسِي، اللَّهُمَّ قِنِي شُحَّ نَفْسِي، اللَّهُمَّ قِنِي شُحَّ نَفْسِي…
“O Allah më ruaj nga lakmia e vetes sime, o Allah më ruaj nga lakmia e vetes sime…”