A është pasuria kriter i lumturisë?
Njerëzit me karakter dhe ata të cilët synojnë përsosmërinë e shpirtit të tyre, kanë edhe një veçori tjetër: ata kurrë nuk bëhen robër të pasurisë. Paraja kurrë nuk arrin të zotërojë shpirtin e tyre. Por ka edhe të tjerë, që për para dhe pasuri kanë shitur shpirtin dhe nderin e tyre, pa marrë parasysh asnjë normë morale. Është paraja që duhet t’i shërbejë njeriut dhe jo njeriu parasë.
Është diçka normale, që në jetë njeriu duhet të fitojë para. Mirëpo ky fitim duhet të jetë i drejtë dhe i ndershëm. Paraja nuk duhet të bëhet kurrë qëllimi kryesor i synimeve dhe kërkesave të njeriut.
Njerëzit e mëdhenj janë gjithmonë të kënaqur shpirtërisht me atë që kanë. Pasuria e vërtetë nuk matet me ar, por me lumturinë e paqen e shpirtit.
Profeti Muhamed (a.s) ka thënë: “Të vdekuri e përcjellin tre gjëra, familja, pasuria dhe veprat e tij. Dy kthehen, kurse njëra vazhdon të mbetet me të. Kthehet familja dhe pasuria e tij, kurse mbesin veprat e tij.”