Sa është numri i rekateve të namazit të teravive?

Sipas Medh’hebit Hanefi numri i rekateve të namazit të teravive bazohet në praktikën e Omerit (r.a), i cili i bashkoi sahabët për faljen e namazit të teravive pas imamit Ubej ibn Kabit (r.a). Namazi i teravive që u fal në kohën e tij ishte i përbërë prej 20 rekatesh. Pas periudhës së Katër Halifeve askush nuk e kundërshtoi faljen e namazit të teravive me 20 rekate.

Dijetarët vepruan në bazë të hadithit të mëposhtëm në lidhje me këtë çështje: “Pas meje, ndiqni rrugën time dhe rrugën e Kalifëve të udhëzuar.” (Tirmidhiu, Ibn Hanbeli)

Për më tepër, është transmetuar se Abdullah ibn Abbasi (r.a) e fali namazin e teravisë me 20 rekate dhe në fund fare fali namazin e vitrit me 3 rekate në muajin e Ramazanit. Kur Imam Ebu Hanifja u pyet rreth praktikës së Omerit (r.a) lidhur me këtë çështje, ai u përgjigj:

“Padyshim që namazi i teravisë është një namaz që ka dispozitën sunnet muekked. Përcaktimi i këtij namazi me 20 rekate nga ana e Omerit (r.a) nuk është as një preferencë e tij personale dhe as ndonjë risi (bidat). Ai e ka bërë këtë gjë mbështetur mbi ndonjë dispozitë juridike dhe mbi dëshirën e Profetit Muhamed (s.a.s.).” (Tahtawi, Hashije, 334)

Është më e preferuar që namazi i teravive të falet duke dhënë selam pas çdo dy rekatesh, duke dhënë selam kështu 10 herë. Është gjithashtu e lejuar që të jepet selam edhe pas çdo katër rekatesh.

Nëse dikush e fal namazin e teravisë duke dhënë selam pas çdo dy rekatesh, ai e fal atë njësoj siç fal sunnetin e namazit të akshamit. Nëse e fal me nga katër rekate, atëherë e fal njësoj siç falen katër rekatet sunnet para namazit të jacisë. Profeti (a.s) ka thënë: “Kush falet gjatë Ramazanit me besim dhe shpresë, atij do t’i falen të gjitha mëkatet e kaluara.” Dijetarët janë të mendimit se ky hadith ka të bëjë pikërisht me namazin e teravive, i cili është specifik vetëm për muajin e Ramazanit.

Postime të ngashme