Cila është rëndësia e Agjërimit?

Duke qenë se agjërimi, siç u tha, është një prej pesë kushteve të fesë islame, ky fakt më së miri dëshmon për vlerën dhe rëndësinë që ka ky lloj adhurimi. Pejgamberi a.s. na ka mësuar përkitazi me këtë duke theksuar:

Allahu i Lartësuar ka thënë: – Çdo vepër e njeriut është e vet atij, me përjashtim të agjërimit, sepse atë e bën vetëm për Mua dhe Unë do ta shpërblej për atë. Për agjëruesin ka dy momente të gëzuara: njëri kur ha iftar dhe tjetri kur e takon Zotin e tij. Aroma e gojës së agjëruesit është më e këndshme te Allahu se sa aroma e miskut.” (Transmetojnë Buhariu, Muslimi, Tirmidhiu, Ibni Maxhe dhe Nesaiu).

Përmes këtij lloj adhurimi, njeriu e braktis përkohësisht aspektin trupor dhe i përkushtohet më shumë atij shpirtëror. Ai lë ushqimin, pirjen, dëshirën epshore dhe kështu sikur lirohet nga lidhjet materiale të kësaj bote dhe synon t’i afrohet sa më shumë Allahut xh.sh. Në këtë mënyrë, ai synon të arrijë gradë të lartë të devotshmërisë dhe përkushtimit ndaj të Gjithëmëshirshmit. Më pastaj, duhet thënë edhe fakti tjetër se agjërimi e cilëson në masë të madhe besnikërinë e njeriut ndaj Allahut të Lartësuar, ngase kur besimtari vendos se do të agjërojë, ai do ta bëjë këtë edhe pa e këqyrur njeri. Durimi është cilësi e besimtarit të sinqertë, sepse agjërimi nuk mund të bëhet pa durim të mjaftueshëm. Prandaj, kur njeriu agjëron, ai brumoset me durim dhe me sukses e përballon agjërimin, kurse sevapet e pakrahasueshme i vijnë nga Ai për të Cilin ka agjëruar-nga Allahu i Gjithëmëshirshëm. Shoku i Pejgamberit a.s., i quajtur Ebu Umame (r.a.), thotë: “Në një rast i kërkova Pejgamberit a.s. të më thoshte që ta bëja një punë të rëndësishme me të cilën do të kisha shpërblime dhe ai më tha: – Agjëro, sepse ai nuk krahasohet me asgjë!” Unë e pyeta së dyti dhe Pejgamberi a.s. ma dha të njëjtën përgjigje. Unë këmbëngula edhe për të tretën herë e Pejgamberi a.s. prapë ma dha po atë përgjigje: – Agjëro, sepse ai nuk krahasohet me asgjë!” (Transmeton Nesaiu)

Me një rast tjetër, përsëri për agjërimin, Pejgamberi a.s. kishte thënë: “Te Allahu nuk ka adhurim tjetër që të ketë shpërblim sa agjërimi.” (Transmeton Nesaiu). Madje, kishte shtuar Pejgamberi a.s.: “… në Xhenet është një portë nga hyjnë vetëm ata që agjërojnë.” Ajo quhet “babu rejjan” e kushtuar nga i Gjithëmëshirshmi vetëm për ata që agjërojnë.

Postime të ngashme

%d bloggers like this: