Rritja dhe përgatitja e fëmijëve të mirë

Në çështjen e rritjes dhe përgatitjes së fëmijëve, nëna dhe ba­bai pa tjetër duhet të jenë në të njëjtën mendje. Fëmijët që ndodhen nën prindësinë e një nëne pa aftësi për të rritur dhe përgatitur fëmijë ose të aftë por që nuk merr përsipër asnjë përgjegjësi, dhe të një babai që nuk merret me asnjë problem të tyre, janë jetimë edhe pse me nënë e baba.

Nëna, të cilën Allahu e ka pajisur me mëshirë, dhemb­shuri, ndjeshmëri e delikatesë, aftësinë e së cilës për të rritur e për­gatitur fëmijë e ka kthyer në një cilësi të thellë të na­tyrës së saj, këtë potencial të shpirtit të saj duhet ta përdorë pa tjetër për t’i lartësuar ata në vlerat si njeri. Fundja, për nga krijimi i saj, nëna është mësuese, edukatore dhe udhë­rrëfyese. Detyra më e rëndësishme e saj duhet të jetë për­gatitja e fëmijës së vet. Edhe porosia profetike, sipas së cilës, “atë që i ndan nënën me fë­mijën nga njëri-tjetri, në ditën e kiametit Allahu e ndan nga nje­rëzit e dashur”[2], e shtron në shesh në mënyrë mjaft të qartë rolin përjashtimor të nënës në edukimin e fëmijës.

Duke e sjellë në vend nëna domosdoshmërinë imediate të pa­jisjes së saj, edhe babai, ashtu siç e kërkon krijimi dhe pozi­cioni i tij, duhet të jetë gjithmonë i matur, serioz, i zgjuar dhe i vëmendshëm. Babai merret me politikë, nëpunësi, tre­gti, buj­qësi etj. dhe, pak edhe si domosdoshmëri e natyrës së tij, mbush në familje një zbrazëtirë të posaçme. Sigurisht, ai, me forcën, qëndresën dhe strukturën e tij të veçantë, është i caktuar për punë të veçanta. Fundja, qysh në krye të herës ai ka qenë gjithmonë njeriu i një përgjegjësie të posa­çme dhe si i tillë ka ardhur gjer në ditët e sotme. Nisni me prerjen e druve në pyll, me plugimin e tokës, me mbjelljen dhe vjeljen e të lashtave e gjer te punët e rënda të ndërtimit ose industrisë, çdo gjë është kryer dhe çuar para duke u lidhur me qenien e tij e duke u mbë­shtetur te ai. Sipas meje, burri duhet ta ruajë vendin e vet të qëndresës ndaj punëve të tilla të rënda në saje të trupit dhe vullnetit të vet dhe s’duhet femërzuar me punë femrash; po kështu edhe femra nuk duhet vënë në punë të rënda që e ka­përcejnë forcën fizike të saj.

Sidomos, mashkulli është monument qëndrese, por jo hero dhembshurie! Dhembshuria është thellësia më e rën­dësishme e femrës. Ajo e shëtit fëmijën në bark për nëntë muaj. E sjell në botë me njëqind mundime, kujdeset dhe e rrit me një mijë vë­shtirësi. Kur fëmija rënkon natën, nëna ngrihet dhe i shkon me­njëherë në ndihmë dhe, kur qan, e merr në gji. Me një dëshirë dhe instinkt të buruar prej naty­rës së saj, nëna jeton për ta mbaj­tur gjallë atë. Ja, pra, nga njëra anë femra e nga ana tjetër mashkulli, me unitetin fa­miljar të përbërë prej tyre, ngrenë një fole familjare që të ku­jton pallatet parajsore, në fytyrën e së ci­lës mund të sodisin botën përtej!

Në Perëndim, burri punon në një vend pune e gruaja në një vend tjetër. Në këto kushte, fëmijët ndodhen ose pranë dikujt tjetër ose në çerdhe apo kopshte. Kështu, kur punojnë edhe babai, edhe nëna, fëmijët braktisen, në një farë mase, në vetmi, në pakujdesi. Pastaj, këta njerëz ngushëllohen kë­shtu në vetve­te: “Atje ka njerëz shumë të dhembshur e të mësuar. Ata kuj­desen për fëmijët tanë më mirë se ne!” Kur­se përtej kësaj ek­zistojnë edhe shumë gjëra për të cilat ka nevojë fëmija!

Në çerdhe apo kopësht, fëmijës mund t’ia lajnë rrobën, mund t’ia japin ushqimin në kohë, mund ta nxjerrin jashtë, kur duhet, për pushim ose shëtitje në ajër të pastër ose ta çojnë për të dëfryer në një park lojërash. Por ata që i bëjnë të gjitha këto, kurrë nuk mund të bëhen nëna dhe babai i fëmijës, nuk mund t’ia japin atij dhembshurinë për të cilën ka nevojë më tepër se për çdo gjë tjetër. Dhembshuria është interesimi, lidhja e bash­këlindur të cilën fëmija e lexon në sytë e nënës, e gjen në gjirin e saj, e ndjen në prehrin e babait. Po qe se institucionet në fjalë s’ia japin dot këtë, nuk mund ta kënaqin fëmijën me asnjë lloj fantazie tjetër!

T’i lëmë fëmijët e vegjël të braktisur në çerdhe apo kop­shte e të shohim se ç’ndodhte me fëmijët e rritur të dorëzuar ustait apo kallfës në periudhën e çirakllëkut. Po qe se ustai apo kallfa do të ishin të mangët nga dhembshuria dhe pak edhe të ashpër, këta fëmijë të trajtuar vazhdimisht me ash­përsi, me kohë do të bë­heshin aq të pa ndjenjë, aq zemër­gurë e aq të pamëshirë, sa­që jo vetëm ndaj të huajve, por edhe ndaj prindërve do të sille­shin trashë. Dhe kështu, po qe se ndikimi negativ i ushtruar nga njerëz të tillë të ashpër si ustai dhe kallfa të periudhës së çi­rakllëkut në shpirtrat e butë të atyre fëmijëve të pafajshëm do të lindte rezultate ne­gative të këtyre përmasave, nuk do të ishte e vështirë të përcaktonim se ç’ndryshime pësojnë nën ato vësh­trime të huaja fëmijët tanë të sotëm që i dorëzojmë në çerdhe apo kopshte ende pa lindur ose pa u rritur mirë!

Allahu i Lartë (xh.xh.) që gjithmonë na e prezanton neve veten si Mëshirues (Rahman) dhe Bamirës (Rahim), që na i tregon mëshirën dhe bamirësinë e Tij brenda fjalës së lartë, “Bismil’lahi’r-rahmani’r-rahim, Me emrin e Allahut Mëshiru­es e Bamirës” e cila përsëritet në Kur’an njëqind e katër­mbëdhjetë herë, duket sikur me këto atribute dhe cilësi të bekuara shfaqet te nëna. Po, shfaqjen e Allahut (xh.xh.) me mëshirën dhe bami­rë­sinë e Tij në një banesë mund ta le­xojmë në përqëndrimin e nënës me një mijë kujdesje mbi fëmijën dhe shërbimet e saj për të. Nuk ka dyshim se një dinjitet dhe meritë e tillë është aq e lartë sa të mos mund të shkëmbehet me asgjë tjetër në botë!

Në një periudhë, pati ca të rinj që kishin mbaruar univer­sitetin, madje që kishin bërë studime pasuniversitare ose ki­shin doktoruar, por që kishin rënë në duar të qendrave te­rroristike dhe u rritën breza pa ndjenjë e pa mëshirë që i bënin prindët të qanin e që ua copëtonin zemrën. Vetëm se këta qenë një për­jashtim dhe jo gjëra që do të përbënin ar­gument kundër më­simit dhe arsimimit. Askush nuk e rrit dhe përgatit fëmijën që të vritet me një plumb ose që ta prishë qetësinë e shoqërisë; nuk e rrit, por disa herë edhe nuk e parandalon dot që fëmija të rrë­mbehet nga rryma të papritura. Ja, pra, qoftë para gjërave të tilla negative të pa­pritura, qoftë para rreziqeve të mundshme, nëna dhe babai gjithmonë duhet ta përdorin folenë familjare si një serë mbrojtëse, edukimin moral të fëmijëve duhet ta bëjnë synim përparësor dhe s’duhet t’i japin rast humbjes së fëmijëve!

Si përfundim, mund të themi se nëna dhe babai duhet të bëjnë gjithçka që duhet për rritjen dhe përgatitjen e një brezi të ndjeshëm, të vetëdijshëm, të lidhur fort pas atdheut, ko­mbit dhe fesë dhe nuk duhet të japin rast që ai të përjetojë boshllëk mendor, ndjesor, logjik. Po qe se prindët do të jenë besimtarë, të lidhur pas Kur’anit dhe njohës të islamit, edhe fëmijët, në dashtë Zoti, do të rriten dhe përgatiten të vetë­dijshëm dhe do ta bëjnë të ndriçojë yllin e kombit të tyre!

Postime të ngashme

%d bloggers like this: