Ramazani po na thërret!

Në suren En’am ajeti 54, Allahu i Lartësuar i drejtohet kështu profetit të tij të dashur:
“Kur të vijnë te ti ata që besojnë në shpalljet Tona, thuaj: “Paqja qoftë mbi ju!”. Zoti juaj ia ka bërë detyrim Vetes mëshirën. Nëse dikush nga ju bën ndonjë vepër të keqe pa e ditur, e pastaj pendohet e përmirësohet, ai do ta gjejë Allahun Falës dhe Mëshirues”.

Ku më mirë se në muajin e Ramazanit do të merrte më tepër vlerë ky ajet fisnik.
Në këtë muaj të begatë, në të cilin zemrat e mbushur me besim vrapojnë drejtë kënaqësisë Hyjnore duke agjeruar dhe duke shtuar veprat e mira.

Muaji i Ramazanit është një thirrje e Zotit të lartësuar për mbarë besimtarët, për t’iu ofruar atyre një ndihmesë shumë të madhe dhe për tu dhënë atyre një mundësi të re për të arritur horizontet e larta të devotshmërisë dhe përkushtimit.

Besimtari gjithmonë ka nevojë për ndihmën e Zotit të tij. Këtë nevojë profeti Muhammed (a.s), do ta shprehë në një nga lutjet e tij të mrekullueshme, ku ai do lutej kështu: “O i Gjallë o i Përjetshëm ( ja Hajju ja Kajjum), mëshirën Tënde kërkoj.
Më përmirëso mua në mënyrë të plotë dhe mos ma ler mua në dorë veten time qoftë dhe për një moment sa hap dhe mbyll sytë”.

Kjo lutje madhështore e profetit Muhammed (a.s) gjendet tek dhikri i mëngjesit dhe të mbrëmjes, për të kuptuar akoma më shumë rëndësinë e saj.

Me anë të kësaj lutje, shikojmë se ne mësohemi që ti nënshtrohemi Allahut të Lartësuar në mënyrë të plotë, aq sa kurrsesi mos të mendojmë se ne jemi të aftë të rregullojmë vetet tona pa ndihmën e Tij.
Nëse përmirësimin e veteve tona nuk do ta kishim prej mëshirës së Allahut të Lartësuar, atëherë kurrsesi nuk do të kishim arritur të jemi qoftë dhe prej besimtarëve.

Në muajin e Ramazanit kjo lutje sikur arrinë kulminacionin e pranimit të saj nga ana e Allahut të Lartësuar, kjo sepse i gjithë muaji i Ramazanit nuk është gjë tjetër veçse një mundësi e artë e dhënë prej Zotit për të përmirësuar vetet tona.

Le të mendojmë në këtë mënyrë;
Gjatë gjithë vitit neve kemi ato ulje-ngritjet tona në raport me Allahun e Lartësuar. Ndoshta jo gjithmonë jemi treguar korrekt ndaj urdhëresave të Tij, qoftë për ti zbatuar ato, apo dhe për të qëndruar larg ndalesave.
Duke qënë në këto intervale ulje-ngritje, është shumë vështirë për besimtarin që të arrijë një devotshmëri të mirëfilltë.
Shtoi kësaj dhe armikun tonë të përditshëm, shejtanin e mallkuar, i cili është gjithmonë në gatishmëri për të na sulmuar në pikat tona të dobta dhe për të na shkatërruar devotshmërinë duke na mbushur me gjynahe.
Pikërisht mbas një situate të tillë, vjen ndihma e Allahut të Lartësuar mbi besimtarët, duke u dhuruar atyre dhe një herë mundësinë për të përjetuar muajin e faljes, mëshirës dhe muajin e përfitimit të devotshmërisë sublime.

Allahu thotë në kuran;
“O besimtarë! Ju është urdhëruar agjërimi, ashtu si u ishte urdhëruar atyre para jush, që të mund të ruheni nga të këqijat (të jeni të devotshëm)”
( Bekare,183)

Duke dashur Allahu i Lartësuar që ta ndihmojë besimtarin për ta arritur këtë objektiv, atëherë ndihma vjen më këtë formë;

Së pari; ndihma kryesore është dhënia e mundësisë për të agjeruar, kjo sepse gjatë viti të kaluar shumë besimtarë të cilët i kemi njohur, ndoshta nuk janë më midis nesh. Apo sa besimtarë të cilët ne i njohim nuk munden të agjerojnë, sepse mund të jenë të sprovuar në shëndetin e tyre.

E dyta; ndihma kundrejtë armikut të përbetuar, shejtanin e mallkuar, siç thotë dhe profeti Muhammed (a.s) “Në muajin e Ramazanit prangosen shejtanët, mbyllën dyert e xhehennemit dhe hapen dyert e xhennetit”, pra tashmë armiku të lë të qetë drejt rrugës së devotshmërisë për gjatë një muaji.

E treta; Inkurajimi dhe shpresa e madhe që fiton besimtari në këtë muaj si shkak i shpërblimit të madh që ka ky adhurim.
Thotë Allahu i Lartësuar në hadith kudsij: “Çdo punë e birit të Ademit është për të, përveç agjerimit.
Agjerimi është për Mua dhe Unë do të shpërblej për të”.
Ne e dimë se çdo punë gjatë muajve të tjerë shpërblehet nga 10 deri në 700 fish, por për agjerimin kemi shpërblime aq të mëdha sa Allahu i Lartësuar ka dashur që besimtarëve t’ua lëj surprizë ditën e gjykimit, duke e marrë vetë Ai përsipër shpërblimin e tij.

Për të kuptuar vlerën, madhështinë, shpresën, ndihmën dhe optimizmin e madh që fiton besimtari në këtë muaj si dhuratë prej Allahut të Lartësuar, të shohim këtë ngjarje kaq të bukur dhe dhe shumë domethënëse;
Talha bin Ubejdullah tregon se dy persona u bënë musliman në të njëjtën kohë.
Njëri nga këta të dy, ishte më shumë i dhënë mbas fesë se tjetri, aq sa dhe mori pjesë në një ekspeditë luftareke bashkë me profetin Muhammed (a.s), dhe caktimi I tij ishte që të binte dëshmorë.
Besimtari i dytë arriti që të jetoj një vit më shumë se shoku o tij dëshmor dhe më pas vdiq në kushte normale.
Mbas pak kohësh Talhaja (r.a)i shikon të dy në ëndërr sa bashku me veten e tij në hyrjetë portave të xhennetit.
Ai tregon se roja i xhennetit thërret të parin për tu futur në xhennet,personin i cili vdiq në kushte normale një vit më vonë. Mbas pak kohësh vjen përsëri dhe thërret në xhennet dëshmorin, ndërsa mua më tha që të kthehem se ke ende kohë.
Mbasi zgjohet në mëngjes Talha ibn Ubejdullah, shkon në xhami dhe ja tregon ëndrrën profetit Muhammed (a.s) nga çudia sesi ka mundësi që ky personi që vdiq në kushte normale ja kaloi shehidit dhe u fut para tij në xhennet?
Atëherë profeti Muhammed (a.s) thotë se nuk ka asgjë për tu çuditur.
Ai i pyeti të pranishmit;
-A jetoi një vit më shumë?
-Po i thanë të pranishmit.
-Gjatë këtij viti a ka falur kaq e kaq namaze, a ka bërë kaq e kaq ruku e sexhde?
-Po iu përgjigjën ata.
-Gjatë këtij viti a e ka arritur dhe agjëruar muajin e ramazanit?
-Po i thanë ata.
Atëherë profeti Muhammed a.s tha:
“Distanca midis atyre të dyve është sa distanca midis qiellit dhe tokës, duke treguar kështu se sa grada të larta mund të fitoj një njeriu përgjatë një viti, sidomos kur arrin muajin e Ramazanit. (. Musned, 1/163; İbn Maxhe, Tabir 10, no: 3925)
Prandaj Ramazani thërret për besmitarët që tu mundësojë atyre grada të larta tek Allahu i Lartësuar.
Zoti ynë na begato në këtë muaj dhe na bëj që të dalim pa gjynahe në fund të tij.
Amin!

Leonard Çela

Postime të ngashme