Ibn Musa El Khavarizmi

Ebu Abdullah Muhamed Ibn Musa el-Khavarizmi lindi në Khavarizm (Kheva), në jug të detit Aral. Shumë pak dihet për jetën e tij të hershme, përveç faktit që prindërit e tij kishin emigruar në një vend në jug të Bagdadit. Nuk dihen as datat e sakta të lindjes dhe vdekjes së tij, por është e vërtetuar se ai u rrit gjatë sundimit të El-Mamun në Bagdad gjatë viteve 813-833 dhe ndoshta vdiq rreth vitit 840 e.s.

Khavarizmi ishte një matematikan, astronom dhe gjeograf. Ndoshta mund të konsiderohet një nga matematikanët më të mëdhenj që ka jetuar ndonjëherë, pasi ai ishte themeluesi i disa degëve dhe koncepteve themelore të matematikës. Në gjykimin e Filip Hit, ai ndikoi në mendimin matematik më shumë se çdo shkrimtar tjetër mesjetar. Kontributi i tij në algjebër ishte i jashtëzakonshëm. Ai e zhvilloi Matematikën në masën e zgjidhjeve analitike të ekuacioneve lineare dhe kuadratike, të cilat i dhanë atij titullin e themeluesit të Algjebrës. Vetë emri Algjebër është marrë nga libri i tij i famshëm “El-Xhebr ue-el-Mukabileh”. Aritmetika e tij sintetizoi njohuritë greke dhe indiane, por përmbante edhe kontributin e tij, i cili kishte një rëndësi themelore në matematikë dhe shkencë. Kështu, ai shpjegoi përdorimin e zeros, një numër i rëndësishëm i prezantuar nga arabët. Në mënyrë të ngjashme, ai zhvilloi sistemin dhjetor të numrave. Përveç prezantimit të sistemit indian të numrave (tani i njohur përgjithësisht si numra arabë), ai zhvilloi gjerësisht disa procedura aritmetike, duke përfshirë veprimet me thyesat. Puna e tij bëri që sistemi i numrave të prezantohej fillimisht te arabët dhe më vonë në Evropë, nëpërmjet përkthimeve të tij në gjuhët evropiane. Ai zhvilloi në detaje tabela trigonometrike që përmbajnë funksionet e sinusit, të cilat u zgjeruan më vonë në funksionet tangenciale nga Maslama. Ai gjithashtu përsosi paraqitjen gjeometrike të seksioneve konike dhe zhvilloi llogaritjen e dy gabimeve, të cilat praktikisht e çuan atë në konceptin e derivimit. Raportohet se ka bashkëpunuar në matje të caktuara të urdhëruara nga Mamun el-Rashid që kishin për qëllim matjen e vëllimit dhe perimetrit të tokës.

Zhvillimi i tabelave astronomike prej tij ishte një kontribut i rëndësishëm në shkencën e astronomisë, mbi të cilën ai shkroi edhe një libër. Kontributi i Khavarizmit në gjeografi është gjithashtu i pashembullt, sepse jo vetëm që rishikoi pikëpamjet e Ptolemeut mbi gjeografinë, por gjithashtu i korrigjoi ato në detaje, si dhe hartën e tij të botës. Kontributet e tij të tjera përfshijnë vepra origjinale në lidhje me orët, numrat e diellit dhe astrolabët.

Disa nga librat e tij u përkthyen në latinisht në fillim të shekullit të 12-të. Madje, libri i tij mbi aritmetikën, Kitab el-Xhema uel- Tefrik bil Hisab al-Hindi, humbi në arabisht, por mbijetoi në një përkthim latinisht. Libri i tij mbi algjebrën, el-Mekala fi Hisab-el Xhebr ue-el- Mukabileh, u përkthye gjithashtu në latinisht në shekullin e 12-të, dhe ishte ky përkthim që e prezantoi këtë shkencë të re në perëndim, “plotësisht të panjohur deri atëherë”. Gjithashtu, tabela astronomike të tijat, u përkthyen në gjuhët evropiane dhe, më vonë, në kinezisht. Gjeografia e tij me titullin Kitab Surat-el-Ard, së bashku me hartat e saj, u përkthye gjithashtu. Përveç kësaj, ai shkroi një libër mbi kalendarin hebre Istikhraxh Tarikh el-Jehud dhe dy libra mbi astrolabin. Ai gjithashtu shkroi Kitab el-Tarikh si dhe nj libër mbi diagramet e diellit që u titullua Kitab el-Rukhmet, por të dyja kanë humbur.

Ndikimi i Khavaraizmit në rritjen e shkencës, në përgjithësi, dhe matematikës, astronomisë e gjeografisë në veçanti, ka rolin e tij të pakundërshtueshëm në histori. Disa nga librat e tij u përkthyen lehtësisht në një sërë gjuhësh të tjera dhe përbënin tekstet shkollore universitare deri në shekullin e 16-të. Qasja e tij ishte sistematike dhe logjike. Jo vetëm që ai bashkoi njohuritë mbizotëruese të asaj kohe mbi degë të ndryshme të shkencës, veçanërisht matematikës, por e pasuroi atë përmes kontributit të tij origjinal. Pa dyshim që ai ka pasur reputacion të lartë gjatë shekujve që nga ajo kohë.

Postime të ngashme