Llojet e agjërimit
Agjërimi mund të jetë farz, vaxhip apo sunet, sipas situatave. Gjithashtu ka edhe situata dhe ditë që është e ndaluar të agjërohet.
- Agjërimet Farz
Agjërimi i ramazanit
Në Islam, njëri prej adhurimeve që duhet të kryejnë personat përgjegjës, është edhe agjërimi. Përgjegjësia fetare në Islam formohet kur personi ka zhvillim mendor normal dhe ka arritur moshën e pubertetit. Një mysliman që i plotëson këto kushte, e ka për detyrim (farz) që një herë në vit gjatë muajit të ramazanit të agjërojë sipas kushteve të përcaktuara nga Kurani, hadithi dhe mendimi i njëzëshëm i autoriteteve (ixhma).
- Agjërimi kaza
Agjërimi kaza ndahet në agjërim farz dhe vaxhip: Agjërimi kaza pas ramazanit i agjërimeve të pambajtura ose të prishura të ramazanit për shkaqe të justifikueshme fetarisht. Kështu, po qe se dikush nuk mban agjërim ose e prish agjërimin sepse është në udhëtim ose i sëmurë, gjithashtu, po qe se një femër nuk mban agjërim ose e prish agjërimin për shkak se është me të përmuajshme ose lehonë, të gjithë këta i zëvendësojnë pas ramazanit, në një kohë të përshtatshme, një për një ditët e paagjëruara gjatë ramazanit për shkaqet e përligjura fetarisht si më sipër. Këtë, Kurani e shpreh kështu: “Kush nga ju është në udhëtim ose i sëmurë, aq ditë sa nuk ka mundur t’i agjërojë, t’i agjërojë në ditë të tjera!”[1]
Një personi të cilit i mbeten ditë të paagjëruara nga Ramazani dhe ndërkohë vjen muaji tjetër i Ramazanit ende pa agjëruar ditët e mbetura, në fillim mban agjërimin e Ramazanit që ka hyrë, pas tij ditën e prapambetura nga Ramazani i kaluar.
Agjërimi kaza i agjërimit nafile të prishur shndërrohet në vaxhip. Po qe se një adhurim si namazi ose agjërimi, i filluar si nafile, lihet në mes pa u plotësuar për ndonjë shkak çfarëdo, është vaxhip të zëvendësohet më pas. Lidhur me këtë, Hz. Aishja na përcjell këtë hadith: “Unë dhe Hafsaja ishim të agjëruara. Por neve na sollën një gjellë që na pëlqeu dhe e hëngrëm. Më pas, kur erdhi i Dërguari i Allahut, Hafsaja i foli menjëherë para meje: “O i Dërguari i Allahut! Ne ishim të agjëruara. Por neve na sollën një gjellë që na pëlqeu dhe e hëngrëm!” Dhe i Dërguari i Allahut na tha: “Në vend të kësaj dite, agjëroni një ditë tjetër si kaza!”[2]
- Agjërimi i kundërshpërblimit (kefaret)
Është agjërimi i mbajtur si kundërshpërblim për prishjen e agjërimit të ramazanit pa ndonjë shkak të justifikueshëm, në mënyrë të vetëdijshme e të ndërgjegjshme. Kohëzgjatja e agjërimit për kundërshpërblim është dy muaj radhazi. Argument për këtë është hadithi i përcjellë nga Ebu Hurejre:
“Një njeri erdhi te i Dërguari i Allahut dhe i tha: “O i Dërguari i Allahut, unë u shkatërrova!” Profeti paqja qoftë mbi të e pyeti: “Ç’është ajo gjë që të shkatërroi ty?” Njeriu iu përgjigj: “Hyra në marrëdhënie me gruan në ramazan!” Atëherë, Profeti paqja qoftë mbi të tha kështu: “A mund të gjesh mall sa për të çliruar një skllav?” Njeriu iu përgjigj: “Jo!” Profeti paqja qoftë mbi të e pyeti: “A mund të mbash agjërim dy muaj radhazi?” Njeriu iu përgjigj: “Jo!” Profeti paqja qoftë mbi të e pyeti: “A mund të gjesh mundësi për të ushqyer gjashtëdhjetë të varfër?” Njeriu iu përgjigj: “Jo!” Pastaj njeriu u ul. Në këtë mes, Profetit i prunë hurma në një trastë. Duke ia zgjatur trastën njeriut, Profeti paqja qoftë mbi të i tha: “Merri këto hurma dhe shpërndajua të varfërve si sadaka (lëmoshë). Njeriu i tha: “A ka më të varfër se ne? Në tërë gurishten e zezë mes lindjes dhe perëndimit të Medines nuk ka familje më nevojtare se ne!” Atëherë, Profeti paqja qoftë mbi të qeshi sa iu dukën dhëmbët dhe i tha: “Shko dhe jepja familjes t’i hanë!”[3]
- Agjërimi i kushtimit (nedhr)
Kushtimi (nedhr-dedikim, premtim) është marrja përsipër, vënia si detyrë vetes e një veprimi të lejueshëm me qëllim madhërimin e Allahut. Kushtimi i disa veprimeve që mund të konsiderohen si adhurime, vetëm për të fituar pëlqimin e Allahut, është i pranueshëm dhe shkak për fitimin e sevapeve. Kushtimi mund të bëhet në këtë formë: “Nesër do të agjëroj (ose do t’u shpërndaj kaq e aq ndihma të varfërve) duke ia kushtuar pëlqimit të Allahut!” Personi që bën një kushtim të tillë, e ka për vaxhib ta plotësojë kushtimin, sepse Zoti thotë: “… t’i plotësojnë kushtimet (premtimet)!”[4] Edhe i Dërguari i Allahut ka thënë: “Kush të premtojë se do t’i bindet Allahut, t’i bindet, kush premton ta kundërshtojë Allahun, të mos bëhet rebel, i ulët!”[5]
- Agjërimet Nafile
Termi nafile që përdoret edhe në trajtën tatavvu, përmbledh adhurimet e veçanta që s’janë farz, të cilat kryhen me qëllim për t’iu afruar Allahut. Në një hadith kudsí, Profeti ynë paqja qoftë mbi të e ka shprehur me këto fjalë rëndësinë e adhurimit nafile (suplementar): “Robi nuk mund të më afrohet mua me ndonjë veprim më të dashur se sa veprimet që ia kam bërë farz. Por robi vazhdon të më afrohet mua me anë të adhurimeve nafile. Më në fund, unë atë e dua dhe, pasi ta dua, bëhem veshi i tij që i dëgjon, syri i tij që i sheh, dora e tij që i kap, këmba e tij që i ecën!”[6]
Gjithashtu, për vlerën e agjërimit të mbajtur nafile, i Dërguari i Allahut thotë kështu: “Kush agjëron një ditë për hir të Allahut, Allahu i Lartë ia largon shtatëdhjetë vjet fytyrën nga xhehenemi!”[7]
- Agjërimet Sunet
Agjërimi i Daudit
Profeti paqja qoftë mbi të ka bërë të ditur se agjërimi nafile (suplementar) më me vlerë i mbajtur përveç agjërimit farz, është “agjërimi i Daudit”. Abdullah b. Amr rrëfen:
“Të Dërguarin e Allahut paqja qoftë mbi të e kishin lajmëruar se unë kisha thënë se sa të isha gjallë, natën do të falja namaz dhe ditën do të agjëroja. I Dërguari i Allahut më thirri e më pyeti: “Ti ke thënë kështu?” “Po, – iu përgjigja unë, – kam thënë!” Atëherë, i Dërguari i Allahut paqja qoftë mbi të më tha: “Por ti s’ke mundësi për këtë! Ti disa herë agjëro, e disa herë mos agjëro, herë fli e herë fal namaz! Por agjëro nga tri ditë për çdo muaj, sepse për një veprim të dobishëm e të bekuar jepet dhjetëfish shpërblim. Tri ditë agjërim në muaj janë si të kishe agjëruar gjithë vitin!” Unë i thashë: “Unë mund të bëj më shumë se kaq!” Por i Dërguari i Allahut më tha: “Më mirë se kjo s’mund të ketë!”[8]
Kurse sipas një hadithi tjetër, Profeti ka thënë: “Agjërimi më i çmuar është agjërimi i mbajtur nga profeti Daud. Daudi një ditë agjëronte, një ditë jo!”[9]
Agjërimi i ditëve e hënë-e enjte
Profeti paqja qoftë mbi të në disa kohë i kushtohej më shumë adhurimit, sillej më me ndjeshmëri ndaj adhurimit se zakonisht. Lidhur me këtë çështje, Hz. Aishja thotë: “I Dërguari i Allahut tregonte kujdes të veçantë për të agjëruar ditët e hënë dhe të enjte.”[10]Ndërkaq, shkaku i përkushtimit të veçantë të Profetit për të agjëruar këto ditë është te fakti që këto ditë, aktet e njerëzve i paraqiten Allahut. Usame b. Zejd (r.a.) rrëfen kështu: “Kur e pashë të Dërguarin e Allahut të agjëronte ditët e hënë e të enjte, e pyeta për shkakun. Ai m’u përgjigj kështu: “Veprat i paraqiten Zotit të hënën dhe të enjten dhe unë do të desha që kur t’i paraqiten Zotit veprat e mia, të jem i agjëruar!”[11]
Edhe sipas një rivajeti tjetër, Profetin e kanë pyetur për agjërimin e mbajtur ditën e hënë dhe ai është përgjigjur kështu: “Unë atë ditë erdha në botë dhe mua atë ditë m’u dha profetësia (filloi të më zbritej vahji)!”[12]
Agjërimi tri ditë për çdo muaj
Agjërimi i tri ditëve për çdo muaj është nga zakonet e bukura të Profetit. Eshtë më me vlerë që këto tri ditë agjërim të jenë ditët pasuese të netëve 13, 14, 15 të muajit të kalendarit hixhri (hënor). Këto quhen “ejjami bid“, “ditët e ndriçuara” sepse, veç ditëve, edhe netët janë të ndriçuara nga hëna e plotë. Sevapi i agjërimit të këtyre tri ditëve, po të shumëfishohet duke u shumëzuar me dhjetë, del i barabartë me agjërimin e gjithë vitit.[13] Ebu Hurejre rrëfen: “Miku im, i Dërguari i Allahut, më këshilloi tri gjëra: e para, të agjëroj tri ditë për çdo muaj; e dyta, të fal dy rekate namaz të duhasë; e treta, ta fal namazin e vitrit para se të bie për të fjetur!”[14]Kurse sipas rrëfimit të Ebu Dherit (r.a.), i Dërguari i Allahut i ka thënë kështu: “O Eba Dher! Kur të agjërosh tri ditë në muaj, agjëro ditët e 13, 14 dhe 15.”[15]
Agjërimi në ditën e arefesë dhe në muajin dhilhixhe
Ata që s’janë duke kryer detyrën e vizitës së Qabes ose haxhillëkut, mund të agjërojnë ditën e arefesë, domethënë një ditë para bajramit të kurbanit. Kjo është dita e nëntë e muajit dhilhixhe. Profeti ka bërë të ditur se agjërimi i mbajtur këtë ditë bëhet kundërshpërblim (kefaret) për mëkatet e një viti të shkuar dhe e një viti të ardhshëm.[16] Dhe lidhur me vlerën dhe virtytin e kësaj dite, Profeti ka thënë: “Nuk ka ditë tjetër veç ditës së arefesë kur Allahu të ketë çliruar më shumë njerëz nga zjarri i xhehenemit!”[17]
Ndërkaq, Profeti ka ndaluar që personat që janë duke bërë haxh, të agjërojnë ditën e arefesë, sepse njeriu që agjëron këtë ditë e ka të vështirë, ndoshta të pamundur t’i kryejë plotësisht dhe siç duhet ritet dhe adhurimet e haxhit. Prandaj, duke agjëruar, ai e hedh në plan të dytë detyrën kryesore për të cilën ka shkuar në haxh, gjë që s’është e drejtë.
Gjashtë ditë agjërim në muajin sheval
Shevali është muaji që vjen pas ramazanit. Agjërimi gjashtë ditë në këtë muaj është sunet, sepse në një hadith të tijin Profeti paqja qoftë mbi të ka thënë: “Kush mban agjërimin e ramazanit dhe këtij i shton, pastaj edhe gjashtë ditë agjërim në muajin sheval, është sikur ta kishte kaluar gjithë vitin me agjërim!”[18]
Agjërimi në ditën e Ashures
Ibni Abasi na jep këtë njohuri mbi agjërimin e ditës së Ashures: “Kur i Dërguari i Allahut paqja qoftë mbi të bëri hixhret në Medine, pa se hebrenjtë mbanin agjërim ditën e Ashures dhe pyeti: “Ç’është ky agjërim?” I dhanë këtë përgjigje: “Kjo është një ditë e mirë. Në këtë ditë Allahu i Lartë i shpëtoi Musanë dhe bijtë e Izraelit nga armiqtë, prandaj Musai ka agjëruar këtë ditë.” Profeti paqja qoftë mbi të u tha hebrenjve: “Unë jam më i afërt se ju me Musanë!” Dhe urdhëroi që ditën e Ashures të mbahej agjërim.”[19] Kjo vazhdoi gjersa u bë farz agjërimi i ramazanit. Më pas, Profeti paqja qoftë mbi të i la të lirë njerëzit në agjërimin e Ashures, gjë që e tregon ky hadith: “Kjo është dita e Ashures. Agjërimi i kësaj dite nuk është detyrim për ju. Kush dëshiron të agjërojë, të agjërojë, kush nuk dëshiron të agjërojë, le të mos agjërojë!”[20]
Agjërimi në muajin e shabanit
Njëri prej agjërimeve të mbajtura nga Profeti është ai i muajit shaban. Ai i kushtohej më shumë agjërimit gjatë këtij muaji, madje e bashkonte me ramazanin. Në një hadith të rrëfyer nga Ummu Seleme thuhet: “Nuk ka ndodhur që i Dërguari i Allahut të agjërojë brenda vitit një muaj tjetër të plotë veç shabanit. Ai e bashkonte shabanin me ramazanin.”[21]Në lidhje me këtë, edhe Hz. Aishja (r. a) na përcjell këtë hadith: “I Dërguari i Allahut në asnjë muaj nuk agjëronte më shumë se në muajin e shabanit. Ai e kalonte gjithë muajin e shabanit me agjërim.”[22]
[1] Bakara, 2/184.
[2] Ebu Davud, Sijam, 73; Tirmidhi, Savm, 36; Ahmed b. Hanbel, 6/263.
[3] Buhari, Savm, 30; Muslim, Sijam, 81; Tirmidhi, Savm, 28.
[4] Haxh, 22/29.
[5] Nesai, Iman, 41.
[6] Buhari, Rikak, 38; Musned, 4/256.
[7] Buhari, Xhihad, 36; Muslim, Sijam, 167; Ibni Maxhe, Sijam, 34; Nesai, Sijam, 44.
[8] Buhari, Enbija, 37; Muslim, Sijam, 181; Ebu Davud, Savm, 53; Nesai, Sijam, 86.
[9] Buhari, Savm, 56; Muslim, Sijam, 189; Ebu Davud, Sijam, 76.
[10] Tirmidhi, Savm, 44; Nesai, Sijam, 36; Ibni Maxhe, Sijam, 42; Ahmed b. Hanbel, 6/80.
[11] Tirmidhi, Savm, 44; Nesai, Sijam, 70.
[12] Muslim, Sijam, 197.
[13] En’am, 6/160.
[14] Buhari, Savm, 60; Nesai, Sijam, 81.
[15] Nesai, Sijam, 84; Ahmed b. Hanbel, 5/152.
[16] Muslim, Sijam, 196.
[17] Muslim, Haxh, 436.
[18] Muslim, Sijam, 204; Tirmidhi, Savm, 52; Ibni Maxhe, Sijam, 33.
[19] Buhari, Savm, 69; Muslim, Sijam, 127; Ebu Davud, Savm, 63.
[20] Buhari, Savm, 69; Muslim, Sijam, 116; Muvatta, Sijam, 34.
[21] Ebu Davud, Savm, 57.
[22] Buhari, Savm, 52; Muslim, Sijam, 176; Ebu Davud, Savm, 59.