Ramazani është muaji i mëshirës dhe i bujarisë

Ramazani është muaji i madhërishëm dhe i bekuar, Allahu e ka veçuar me favoret dhe mirësitë e Tij dhe e ka nderuar këtë muaj me zbritjen e Kur’anit fisnik. Ai vjen me mëshirë dhe falje nga Krijuesi i Gjithëmëshirshëm. Njeriu i sotëm ndien boshllëk shpirtëror si pasojë e largimit të tij nga Krijuesi, prandaj ai duhet t’iu kthehet vlerave shpirtërore dhe Ramazani është një rast i volitshëm në këtë drejtim. Kush i gëzohet Ramazanit dhe ia hap zemrën e shpirtin atij, Allahu derdh me bollëk mbi të mëshirën e Tij. Ramazani është një pranverë për shpirtin e besimtarit që ia mbush zemrën me mëshirë, dhembshuri, dëlirësi dhe dashuri. Për shkak të veçantisë së këtij muaji, Zoti e obligoi agjërimin në të. Profeti a.s. thotë: “Umetit tim i janë dhënë pesë gjëra në Ramazan që nuk janë dhënë asnjë umeti më parë:

  1. Era e gojës së agjëruesit, gjersa ai agjëron, është më e dashur për Allahun se aroma e miskut.
  2. Melekët luten për faljen e mëkateve të agjëruesve derisa ata të përfundojnë  agjërimin.
  3. Allahu çdo ditë e zbukuron xhenetin për ta dhe thotë: edhe pak dhe do të largohet çdo brengë dhe shqetësim prej robërve të Mi dhe ata do të vinë te ti.
  4. Pengohen të gjitha intrigat e shejtanit dhe ata nuk mund të bëjnë atë që bënin më parë;
  5. Atyre u falen mëkatet natën e fundit. Dikush pyeti: mos është në natën e Kadrit, o Pejgamber i Allahut?  I Dërguari i Allahut u përgjigj: jo nuk është, por kur një punëtor kryen punën e vetë, në fund për atë punë i jepet edhe pagesa.” (Imam Ahmedi).

Muaji i Ramazanit duhet të jetë muaji i adhurimit dhe i afrimit te Allahu, i gjallërisë dhe i aktivitetit,  dhe jo i neglizhencës dhe pasivitetit. Muslimani është i obliguar të jetë i devotshëm dhe t’i kryejë urdhrat fetarë vazhdimisht, e veçanërisht gjatë këtij muaji duhet që ta shtojë intensitetin e devotshmërisë së tij. Për këtë arsye agjëruesi duhet që të kalojë çdo çast në adhurim. Krahas pesë namazeve farz, agjëruesi duhet të përpiqet t’i falë edhe sunetet e tyre me rregull. Namazi i njohur gjatë Ramazanit është namazi i teravisë që falet në xhami me xhemat, ku mund të marrin pjesë edhe gratë.

Gjithashtu, rekomandohet falja e namazit të natës. Allahu i madhërishëm thotë: “Ata ngrihen nga shtrati, i luten Zotit të tyre më frikë e shpresë dhe japin nga ajo që ju kemi dhënë Ne.“(Es Sexhde: 16). Muhammedi a.s ka thënë: “Namazi më i mirë, veç namazit farz, është namazi i natës.“ (Muslimi). Namazi i natës që shpërblehet më së shumti është ai që falet gjatë Ramazanit. Prandaj Profeti a.s. thotë: “Kush e kalon muajin e Ramazanit duke u falur gjatë natës, duke besuar dhe shpresuar vetëm te Allahu, do t’i falen mëkatet e mëhershme.”

Agjëruesi i vërtetë është ai që jeton me librin e Allahut, sepse Ramazani është muaji në të cilin ka filluar  zbritja e Kur’anit, i cili është shërim i sëmundjeve tona dhe zgjidhje e halleve dhe problemeve tona: “Ne shpallim nga Kur’ani atë që është shërim dhe mëshirë për besimtarët …” (El Isra: 82). Mirëpo, ne nuk duhet të mjaftohemi vetëm me leximin e Kur’anit, por duhet t’i kushtojmë rëndësi kuptimit dhe zbatimit të asaj që na urdhërohet në të. Atë duhet t’ua mësojmë edhe të tjerëve, sepse Profeti a.s. thotë: “Më i miri mes jush është ai që e lexon Kur’anin dhe ia mëson atë të tjerëve.” (Buhariu).

Gjatë këtij muaji duhet të pendohemi dhe të zotohemi se nuk do t’iu kthehemi më mëkateve të mëhershme. Kur mëkatet përsëriten dhe shumëfishohen, ato mbizotërojnë mendjen dhe zemrën e  njeriut. Mëkatet e vazhdueshme bëjnë që zemra të nxihet e tëra dhe kështu ajo bëhet refuzuese ndaj çdo gjë që është fisnike dhe morale.

Duhet t’i shtojmë lutjet dhe duatë tona. Dijetari i madh Ebu Hamid El Gazaliu e krahason duanë me mburojën që mbron nga shigjetat dhe heshtat sepse lutja e mbron besimtarin nga fatkeqësitë dhe sprovat. Por ai nuk duhet të nxitojë në pranimin e duasë së tij nga ana e Krijuesit. Profeti a.s. thotë: “Allahu i përgjigjet lutjes së robit të tij, nëse robi nuk nxiton duke thënë: jam lutur, por nuk  më është plotësuar lutja!”. (Buhariu, Muslimi etj).

Për shkak të egoizmit dhe të fitimit të të mirave në mënyrë të panjerëzishme, në dëm të të tjerëve gjatë Mesjetës, Evropa ka përfunduar në materializëm, si pasojë e të cilit kanë rezultuar të gjitha fatkeqësitë që kanë goditur njerëzimin. Ndërkaq, egoizmi dhe individualizmi i skajshëm janë të panjohur për muslimanin, prandaj urdhërohet ofrimi i ndihmës materiale dhe i shpërndarjes së një pjese të pasurisë me qëllim të zbutjes së dallimeve mes njerëzve.

Agjërimi dhe namazi zhvillojnë vlerat e brendshme të zemrës dhe shpirtit dhe ndikojnë në formimin e karakterit fisnik tek agjëruesi. Agjërimi, si një institucion social, kultivon ndjenjën e bujarisë dhe fisnikërisë dhe e nxit agjëruesin që të kontribuojë materialisht për t’i ndihmuar njerëzit në nevojë. Prandaj, krahas agjërimit, në Ramazan është e  obligueshme dhënia e sadakatul fitrit, si edhe rekomandohet dhe është e pëlqyeshme dhënia e zekatit të obligueshëm dhe e sadakave të ndryshme për njerëzit e varfër dhe skamnorë.

Sadakatul fitri  jepet gjatë muajit të Ramazanit, para faljes së namazit të Fitër Bajramit, në mënyrë që të varfrit të përgatiten për ditët e Bajramit si edhe fëmijët e tyre t’i gëzohen kësaj feste. Në një hadith thuhet: “Profeti i Allahut e ka përcaktuar sadakatul fitrin si pastrim për agjëruesin  nga fjalët e turpshme dhe bisedat e kota dhe si furnizim për të varfrit. Prandaj kush e jep atë para namazit të Bajramit i llogaritet si sadakatul fitër, e nëse e jep pas namazit i llogaritet si sadaka (e rëndomtë).”(Ebu Davudi, Ibn Maxhe dhe Hakimi).

Nga urtësitë e agjërimit është që i pasuri të ndiejë urinë me të varfrin dhe të kuptojë vlerën e mirësive dhe pasurisë që i janë dhuruar dhe të tregohet mirënjohës ndaj Allahut, duke i ndihmuar njerëzit që janë të nevojshëm. Rëndësia që Islami i jep aspektit social mund të kuptohet nga thënia e Muhammedit a.s.: “Nuk është musliman i vërtetë ai që ka barkun plot, kurse fqinji përkrah tij është i  uritur.”

Shoqëria që nuk  i respekton këto vlera digjet në flakën e ndasive të saj klasore si rezultat i korrupsionit, padrejtësisë dhe amoralitetit. Në kohën tonë vlerat morale janë degraduar, kurse pasurimi me çdo kusht, pavarësisht nga përzgjedhja e mjeteve, është bërë qëllimi kryesor i jetës. Prandaj është e nevojshme që jeta e njeriu t’i nënshtrohet ligjit moral dhe të zgjojë ndjenjën sociale tek njerëzit që të zbutet varfëria dhe uria.

Profeti a.s., edhe pse gjatë gjithë kohës ka qenë njeriu më bujar, megjithatë, gjatë Ramazanit, bujaria dhe fisnikëria e tij manifestohej edhe më shumë. Sahabët, për mirësinë e tij gjatë muajit Ramazan, kanë thënë se ka qenë “më me bollëk (më shumë se mirësia e erës që sjell shiun e begatshëm)”. Në një hadith Profeti a.s. thotë: “O njerëz, përhapeni selamin, ushqejini ata që kanë nevojë, mbajini lidhjet farefisnore dhe faluni gjatë natës kur të tjerët bëjnë gjumë, do të hyni në xhennet.” (Tirmidhi & Ibn Maxhe)

Muaji i Ramazanit është kohë e pendimit të sinqertë, e pastrimit të zemrave, e ngjitjes dhe lartësimit të shpirtrave drejt pastërtisë dhe dëlirësisë, larg materies dhe nefsit, duke dalë në fund me gabime të falura, pa mëkate, sikurse kemi lindur të pastër e pa gjynahe. Ramazani është koha e adhurimit ku njeriu i tëri i përkushtohet Allahut dhe kur reduktohet roli i stomakut. Ai nuk është muaji i ngrënies dhe pijes pa masë. I Dërguari i Allahut na këshillon që të mos e teprojmë me ushqim dhe pije dhe kjo vlen edhe gjatë kohës së iftarit: “Njeriu kurrë nuk mbush enë më të keqe se stomakun e tij… një pjesë të  stomakut le ta mbushë me ushqim, një pjesë me ujë dhe një pjesë le ta lërë të zbrazet që të marrë frymë lirshëm.” (Tirmidhi dhe Ibn Maxhe).

Agjërimi ka edhe anën e tij të brendshme të moralit që është shumë më e rëndësishme se ana e jashtme formale që nënkupton ndërtimin e karakterit pozitiv. Pra, për të arritur qëllimin e plotë të tij kërkohet jo vetëm abstenim nga ushqimi e pija dhe kënaqësitë e ndaluara, por edhe ndërtimi i karakterit pozitiv tek agjëruesi, me çka do të arrihej kënaqësia e plotë e Allahut.

Prandaj, agjëruesi nuk duhet të përgojojë, të mashtrojë, të gënjejë, sepse veshi, syri, gjuha, mendja dhe zemra e tij duhet të agjërojë nga çdo gjë që shkakton zemërimin e Allahut. Agjëruesi duhet të jetë i përmbajtur dhe të mos flasë fjalë të papëlqyeshme, të mos bëjë vepra të ndaluara dhe të tregojë respekt ndaj agjërimit të tij. Dhe nëse ndodh që dikush ta ofendojë atë, ai nuk i përgjigjet atij në të njëjtën mënyrë. Profeti a.s. thotë: “Agjërimi mbron nga morali i keq, sepse ai që agjëron nuk flet gjëra të turpshme dhe nuk bërtet. Nëse e shan dikush ose e sulmon, lë të thotë: “Unë agjëroj, unë agjëroj”.” (Buhari dhe Muslimi).

Gjatë këtij muaji kërkohet të jemi më aktivë dhe të punojmë në vetëdijesimin e të tjerëve në aspektin fetar dhe këshillimin e tyre. Prandaj duhet të nxisim anëtarët e familjes, të afërmit dhe gjithë muslimanët që të agjërojnë dhe të falin namazin, të lexojnë Kur’anin dhe të mësojnë më shumë për fenë islame. Ditët dhe netët e Ramazanit janë rast për secilin besimtar, prandaj le t’i shfrytëzojmë maksimalisht, duke iu shmangur ndenjjeve të padobishme nëpër lokale dhe fjalëve boshe.

Aisha r.a. tregon: “Kur hynin dhjetë ditët e fundit të Ramazanit, Profeti i Allahut e shtrëngonte rripin, falej gjatë natës dhe zgjonte familjen e tij për namaz të natës.” Nga kjo që thotë nëna e besimtarëve, kuptojmë se i Dërguari i Allahut i kalonte netët në namaz duke lexuar Kur’anin, duke kërkuar falje dhe duke përmendur Allahun në kërkim të natës së Kadrit.

Gjithashtu preferohet qëndrimi në itikaf. Aisha r.a. gjithashtu tregon se Profeti a.s qëndronte në xhami gjatë dhjetë ditëve të fundit të Ramazanit. E veçanta e  tyre është  se në to bie nata e bekuar e Kadrit, e cila është më e dobishme se njëmijë muaj.

Një prej veprave shumë të lavdërueshme te Allahu është edhe përkujdesja ndaj jetimëve. Në hadithin që transmeton Buhari, Muhamedi a.s. ka thënë: “Unë dhe ai që kujdeset për jetimin do të qëndrojmë në xhennet si këta dy gishta! (duke bashkuar me njëri-tjetrin gishtin tregues dhe të mesëm).

Preferohet gjithashtu të vizitojmë të afërmit, të sëmurët, të ushqejmë skamnorët, të bëjmë iftar me të tjerët, të kërkojmë falje nga ata që iu kemi bërë padrejtësi, të pajtohemi me ata që nuk flasim, t’i pajtojmë njerëzit e hidhëruar dhe të marrim pjesë në përcjelljen e ndonjë xhenazeje.

Agjërimi është mëshirë e Allahut që ia ka dhuruar robërve të Vet, duke i udhëzuar ata në atë që është e dobishme për trupin dhe shëndetin e tyre, në mënyrë që të arrijnë jetë të lumtur dhe të denjë në këtë botë dhe shpërblimin në botën tjetër.

Profeti a.s. thotë: “Çdo punë e njeriut i përket atij dhe për atë vepër do të shpërblehet dyfish, madje deri shtatëqind herë. Allahu i madhëruar thotë: ‘Pos agjërimit. Ai është i Imi dhe Unë shpërblej për të, sepse agjëruesi për Mua ka braktisur kënaqësitë dhe ushqimin’. Agjëruesi ka dy gëzime, kur bën iftar dhe kur do të takojë Allahun, dhe kjo do të ndodhë në botën tjetër, kur njeriu do të dëgjojë thirrjen: Ku  janë agjëruesit ? Le të hyjnë në xhenet përmes derës Rejhan, përmes së cilës nuk mund të hyjë askush tjetër përveç tyre.” (Buhariu dhe Muslimi).

Postime të ngashme