Pyetjet që i drejton të Dërguarit të Allahut s.a.s një burrë nga Abisinia dhe përgjigjet e tij

Tregon ibni Omeri r.a: “Tek i Dërguari i Allahut s.a.s pati ardhur një burrë nga Abisinia. I Dërguari i Allahut i tha atij që t’i bënte ç’pyetje të donte e të mësonte gjithë ç’donte të mësonte prej tij. Burri nga Abisinia i bëri këtë pyetje në fillim:

“O Profeti i Allahut! Ju u zgjodhët, si për nga ngjyra, si për nga forma, ashtu edhe për nga mirësia e profetësisë. Po sikur t’u besoj edhe unë gjërave që u besoni ju dhe bëj po ato gjëra që bëni edhe ju, a do të mund të hyj edhe unë bashkë me ju në Xhenetin e amshuar?”

I Dërguari i Allahut e dëgjoi dhe u përgjigj duke thënë:

“Po, unë i betohem Allahut, se i bardhi dhe i ziu do ta shohin njëri-tjetrin nga njëmijë vite distancë. Kush thotë ‘La ilahe il’lallah’, për të Allahu ka bërë një premtim shumë të madh. E kushdo që thotë: “O Zot, unë të shoh Ty të pastër nga çdo e metë, ndaj edhe të lëvdoj.’ – për të do të shkruhen menjëherë njëqind e njëzetekatërmijë sevape.”  Ai burrë pyeti sërish:

“Këtej e tutje, a ka më ndonjë rrezik për ne, o i Dërguari i Allahut?” Dhe i Dërguari i Allahut s.a.s u përgjigj:

“Në Ditën e Kiametit njerëzit sillen aty bashkë me punët e bëmat e tyre. Nëse i vendosin ato mbi kreshtën e një mali, ato peshojnë aq shumë, saqë kanë fuqi që ta thërrmojnë malin. Mirëpo, është mëshira e Allahut, se po të mos ishte ajo, as e mira më e vogël e Zotit nuk do të mund të shpërblehej dot.” Kur aty u zbritën ajetet kur’anore:

“Vallë, a nuk ka kaluar një periudhë kohore, kur njeriu nuk ka qenë qenie e denjë për t’u përmendur?! Në të vërtetë, Ne e krijuam njeriun nga një pikë farë e përzier, për ta sprovuar dhe e bëmë që të dëgjojë dhe të shohë. Natyrisht që Ne i treguam atij rrugën e drejtë, që ai të jetë ose mirënjohës, ose mosmirënjohës. Pa dyshim, Ne kemi përgatitur për jobesimtarët zinxhirë, pranga dhe zjarr flakërues. Sigurisht, të ndershmit besimtarë do të pinë (në Xhenet) kupa me pije të përzier me Kafur, nga burimi që vetëm robtë e Allahut pinë dhe të cilin mund ta çojnë nga të duan. Ata e zbatojnë premtimin dhe i frikësohen Ditës (së Kiametit), tmerri i së cilës përhapet gjithkund. Ata i ushqejnë të varfrit, jetimët dhe të zënët rob edhe pse vetë janë nevojtarë, duke thënë: “Ne ju ushqejmë vetëm për hir të Zotit. Për këtë, nuk duam shpërblim e as falënderim! Ne i frikësohemi Zotit tonë në një Ditë të ashpër, që do t’i bëjë fytyrat të jenë të vrenjtura. Por Allahu do t’i ruajë ata nga tmerret e asaj Dite e do t’u japë shkëlqim dhe gëzim dhe, për durimin e tyre, Ai do t’i shpërblejë me Xhenet dhe petka të mëndafshta. Të mbështetur në divane, ata nuk do të kenë as vapë dhe as të ftohtë. Hija e pemëve të tij (Xhenetit) është afër mbi kokat e tyre, ndërsa frutat e tyre do t’i kenë afër sa t’i arrijnë me dorë. Aty do t’u shërbehet me enë të argjendta dhe kupa kristali, kupa të tejdukshme argjendi, madhësinë e të cilave (do ta zgjedhin) sipas dëshirës. Aty do të pinë gota me pije të përzier me xhenxhefil, prej një burimi të quajtur Selsebil. Atyre do t’u shërbejnë djem përherë të rinj, që, kur i shikon të duken si margaritarë të shpërndarë. Ngado që të hedhësh sytë, do të shohësh lumni dhe një mbretëri të madhe.”[1]

Në fund, pasi i dëgjoi gjithë këto ajete Kur’anore, burri nga Abisinia tha:

“Por, a do t’i shoh edhe unë në Xhenet këto që do të shohësh ti?” I Dërguari i Allahut s.a.s i tha:

“Po!”

Burri filloi të qajë, u ngashërye aq shumë, saqë dha shpirt aty, mu në vend, duke ia dorëzuar Zotit shpirtin e tij. Ibni Omeri r.a thotë se: “Unë e kam parë me sytë e mi, se si i Dërguari i Allahut e ka zbritur vetë me duart e veta në varr atë njeri.”[2]

[1] Insan, 76/1-20

[2] Ibn Kethir, Tefsir, 4/457

Postime të ngashme

%d bloggers like this: