Pyetje rreth Kur’anit Famëlartë

Pyetja e Dytë: Tani, nga ky shpjegim kuptojmë se Kurani përveç të vërtetave të tjera ka shenja në lidhje me mrekullitë e qytetërimit, zhvillimet shkencore e ndoshta për më tej. Çdo gjë që ndikon në lumturinë e kësaj bote dhe tjetrës së njeriut, i përfshin sa roli që ata luajnë. Atëherë përse Kurani nuk i përmend haptazi ato? A nuk mundej sikur t’i thoshte hapur, dhe të detyroheshin ta besonin edhe ateistët më inatçinj e të gjenim edhe ne rehati shpirtërore?

Përgjigje: Feja është sprovë. Urdhrat e Allahut janë sprova. Ashtu si një mineral hidhet në zjarr, që të ndahet qymyri me smeraldin, dheu me arin, po ashtu, obligimet hyjnore në këtë botë janë mundime dhe nxitje për konkurrencë. (Me qëllim që kështu) të ndahen nga njëri tjetri ndjenjat e larta tek njeriu nga ato të errëtat dhe shpirtrat e lartë nga ata të ulëtit.

Kurani ka zbritur në botën e provimit, në formën e një sprove, në sheshin e një konkurrence me qëllim që njerëzimi të arrijë gjendjen e përsosur. Padyshim që ai vetëm do të sinjalizojë për gjërat që do të duken në të ardhmen e botës, do të vërtetojë argumentet e tij dhe do i hapë udhë mendjes.

Nëse do të flitej haptas, do të zhdukej misteri i provimit dhe sprovës. Sepse në një provim që tregohen përgjigjet pasi janë bërë pyetjet, nuk mund të ndahen dot ata që kanë mësuar me ata që s’kanë mësuar. Nëse Kurani do i thoshte hapur të gjitha do besonin të gjithë. Do të ishte sikur të shkruhej në qiell me yje “La ilahe il’lallah” (nuk ka Zot tjetër përveç Allahut). Atëherë, dashur pa dashur, të gjithë do të pranonin. Nuk do të mbetej më, as konkurrim, as provim. Një shpirtkatran do të rrinte bashkë me shpirtrat e artë, Ebu Xhehli do të dukej njësoj me Ebu Bekrin, e do të humbte i tëri sekreti i provimit.

Postime të ngashme