Pse s’besuan (2)
Ndjenja e rivalitetit
Mugire b. Shube tregon: “Po rrinim bashkë me Ebu Xhehlin. Erdhi i Dërguari i Allahut dhe nisi të na fliste e të na kumtonte. Atëherë Ebu Xhehli iu drejtua vrazhdësisht: “O Muhamed! Po qe se na i tregon këto gjëra me prapaqëllim për të gjetur dëshmitarë, mos u lodh kot, unë dëshmoj për ty! Dhe tani na lërë të qetë!” I Dërguari i Allahut u nda prej nesh. E pyeta Ebu Xhehlin:
– Me të vërtetë, a e beson atë? – Dhe ai m’u përgjigj:
– Ç’është e vërteta, e di që është profet. Mirëpo midis nesh dhe Hashimitëve ekziston një rivalitet i hershëm. Hashimitët krenohen se kanë rezervuar uji, se dinë të bëjnë kompresa… Të ngrihen e të thonë tani se prej tyre ka dalë edhe një profet, këtë s’e duroj dot!
U mblodhën Kurejshët në këshillë dhe vendosën ta çojnë Utbe b. Rebianë te i Dërguari i Allahut. Ky do të shkonte dhe do ta bindte atë të hiqte dorë prej kauzës së vet. Utbe b. Rebiai ishte nga klasa e intelektualëve të kohës dhe kompetent në letërsi. Shkoi te Profeti dhe, duke paramenduar të bëjë lojëra logjike me të, e pyeti: “O Muhamed! Kush është më i dobishëm, ti, apo yt atë, Abdullai?
Profeti nuk iu përgjegj. Ndoshta pati menduar se përgjigjja më e mirë për njeriun sjelljetrashë ishte heshtja. Utbe vazhdoi:
– Po qe se e pranon që ai ka qenë më i dobishëm se ti, dije se ai pati adhuruar pikërisht këta idhuj që ti sot i poshtëron. Por po qe se e quan veten më të dobishëm, atëherë fol se po të dëgjoj!
I Dërguari i Allahut e pyeti: “A mbarove?”
“Po” – tha Utbe dhe heshti. Atëherë Profeti i Dy Botëve u ul në gjunjë dhe nisi ta këndonte nga kreu kaptinën “Fussilet”. Kur Profeti arriti te ajeti – argument i 13-të, “Në qoftë se ata nuk përgjigjen, ti thuaju: “Unë po ju tërheq vemendjen për një rrufe si rrufeja mbi Adin dhe Themudin!” , Utbe nuk mundi të duronte më! Po dridhej si ndër ethe! E vuri dorën në buzët e bekuara të të Dërguarit të Allahut. Nuk i kishte mbetur pikë fuqie! “Mjaft, o Muhamed! Për emrin e Allahut që beson, mjaft!” – tha dhe u ngrit e iku.
Paria e Mekës prisnin përfundimin. Ebu Xhehli nuk e kishte pëlqyer fare pamjen e Utbes në kthim. U tha atyre që kishte pranë: “Nuk po kthehet siç shkoi!” Ashtu ishte! Utbeja nuk shkoi ku po e prisnin, por drejt e në shtëpinë e vet. Argumentet që kishte dëgjuar, e kishin goditur siç godet rrufeja. Pas pak në derë i kishte shkuar Ebu Xhehli që i jepte mend edhe djallit. Kishte frikë se mos Utbeja kishte besuar dhe mendonte se hekuri duhej rrahur pa u ftohur. I njihte mirë dobësitë e Utbes. Do ta godiste në krenarinë e tij! Dhe i tha kështu: “O Utbe! Dëgjova se Muhamedi të kishte bërë komplimenta e ndere me të tepërt. Të kishte shtruar të ngrëna e të pira! Dhe ti, duke mos i përballuar nderet, kishe besuar! njerëzit kështu flasin…” Utbeja u zemërua tepër. I hipi damari: “Ju të gjithë e dini mirë se unë s’jam nevojtar për të ngrënat e tij. Unë jam më i pasuri ndër ju! Ishin të thënat e Muhamedit që më tronditën! Ajo ç’ka këndoi ai, s’ishte poezi. Nuk di ç’të them! Ai është një njeri fjalëdrejtë! Kur po e dëgjoja tek këndonte, pata frikë se mos na binte mbi kokë ajo që u pat rënë Adit dhe Themudit…
Shkaqe të tjera
Në të vërtetë, këto kundërshtime nuk kufizoheshin vetëm në dy-tre vetë. Në ndërgjegjen e përgjithshme opinioni ishte gjithherë i njëjtë. Mirëpo ndikime të faktorëve negativë të tilla si frika, zemërngushtësia, inati, shpirti i kundërshtimit u bëheshin pengesë në besim dhe nuk arrinin ta deklaronin atë edhe pse e dinin se si qëndronte puna.
Kur’ani, duke treguar për gjendjen e tyre si dhe duke e qetësuar Profetin, urdhëron kështu: “E dimë se ty të brengosin thëniet e tyre, por e vërteta është se ata nuk të quajnë gënjeshtar ty. Të padrejtë e mizorë, ata i mohojnë me ndërgjegje ajetet e Allahut!” (En’am: 33). Sikur të donte t’i thoshte: “Ata të bëjnë ty akuza të ndryshme që të mërzisin e të hidhërojnë. Por kujdes! Të mos të hidhërojnë ty thëniet e atyre që ndo-dhen të shtypur nën dëshirat trupore e të fatkeqëve të dobët që nuk munden të braktisin veset! Në të vërtetë, ata nuk të mohojnë ty personalisht. Po, asnjëri prej tyre s’ngrihet të të akuzojë ty për gënjeshtër, sepse ata e dinë mirë se ti je i pastër nga gënjeshtrat. Janë pikërisht ata që të kanë vënë emrin “Emin”, “I Besueshmi”. Vër re absurditetin e sjelljes së tyre: megjithëse as vetë nuk u besojnë akuzave që të drejtojnë ty, prapëseprapë gjejnë guxim për një gjë të tillë! E në qoftë kështu, përse duhet të mërzitesh?!”
Po, në se duhet të jetë dikush që duhet të mërzitet e të hidhërohet, janë ata që i rrinë kundër Personalitetit që i mban në dorë frenat e kësaj bote e të botës tjetër!