Pse na ka krijuar Allahu? Cili është synimi i krijimit?
Allahu na ka krijuar ne që të na bëjë Veten e Tij të njohur dhe që ne ta adhurojmë Atë. Në suren Bekare kur Allahu i tregon engjëjve se do të krijonte në tokë një mëkëmbës të Tijin, engjëjt e pyetën pse do të krijonte në të dikë që do të derdhte gjak dhe do të bënte shkatërrime Allahu u përgjigjet: “Unë di atë që ju nuk e dini. Dhe kështu i mësoi Ademit të gjitha emrat…” (Bekare: 30-31) Sipas disa komentuesve të Kuranit emrat e përmendur këtu janë dija e fenomeneve natyrore dhe pasqyrimi i emrave të Allahut në këto dukuri. Kështu një nga qëllimet e krijimit të njerëzve është shfaqja e emrave dhe cilësive të Allahut, studimi i tyre, meditimi rreth tyre dhe kuptimi i madhështisë së Allahut.
Në një ajet tjetër Allahu (xh.sh) shprehet më qartë rreth qëllimit të njeriut: “Nuk i krijova njerëzit dhe xhindët vetëm se për të më adhuruar Mua.” (Dharijat: 56). Ibn Abasi (r.a) e komenton duke thënë se për ta njohur Atë, dhe pasi ta njohim ta adhurojmë.