Profeti Ynë (13) – Përkujdesja e xhaxha Ebu Talibit

Fjalët që po i thoshte Abdulmutalibi ishin testamenti i një babai për Ebu Talibin. Andaj ai e mori Muhamedin e vogël pranë, duke u sjellë me të ngrohtë, po me ngrohtësinë e dhimbsur të një babai. Këndej e tutje, Profeti i profetëve, dhembshurinë e babait do ta shohë nga xhaxhai i Tij, ndërsa ngrohtësinë e nënës do ta shohë prej gruas së xhaxhait të Tij, pikërisht Fatmës, nënës së Aliut (r.a.).[1]

Ndoshta Ebu Talibi ishte i varfër; pasuria e tij nuk mjaftonte as për të ngopur vetveten,mirëpo dhembshuria dhe dashuria e tij e thellë për të nipin nuk do të mungojë në asnjëfarë rrethane, sepse dukej që vetëm kësisoj mund të zgjidheshin problemet që nuk mund t’i zgjidhte me rrugë materiale. Vihej re, se që me ardhjen e Muhamed Besnikut, në shtëpinë e Ebu Talibit po shihej njëfarë bollëku dhe begatie; mes anëtarëve të asaj familjeje filloi të fryjë një fllad i veçantë dashurie dhe çlirimi shpirtëror. Madje, këta njerëz, të cilët u qëllonte shpesh të çoheshin nga sofra pa u ngopur ende, tashmë ishin të gjithë dëshmitarë, që ushqimi që hanin me praninë e nipit të ri në shtëpi, të mjaftonte e të tepronte gjithnjë. Andaj edhe Ebu Talibi nuk donte kurrsesi të ulej në tryezë nëse Muhamed Besniku (s.a.s) nuk do të ishte aty, i pranishëm. Përpiqej që ta kishte gjithnjë me vete, dhe atë lidhje dhe dhembshuri, të cilën nuk e kishte treguar ndaj askujt, e tregonte veçse ndaj nipit të tij.

Veç kësaj, Muhamedi tregonte një pjekuri, ndryshe nga moshatarët e tij, andaj edhe nuk ishte parë asnjëherë që ta zinte me gojë varfërinë e familjes së xhaxhait të tij. Nuk kishte ndodhur ndonjëherë që të dilte dikush e të thoshte se e kishte dëgjuar të ankohej për urinë a etjen. Kur etej, shkonte e pinte nga ujët e zemzemit, ndërsa kur mundoheshin që ta gostitnin me diçka të çastit, ai u përgjigjej përherë se nuk mund ta hante pasi ishte i ngopur.[2]

Ebu Talibi nuk i hiqte kurrë sytë prej nipit të tij, pasi ai ishte njëkohësisht amanet i vëllait të tij, por edhe porosi e fundit e babait të dashur. Në agimin e çdo nate, shkonte menjëherë që ta shihte, dhe teksa dilte, preferonte që ta merrte të nipin përherë me vete. Sipas tij nuk ishte e kotë që të gjithë të diturit e kohës patën thënë gjëra të veçanta për Të. Me shumë mundësi ndër to fshihej një e vërtetë shumë e rëndësishme, andaj ai nuk donte kurrsesi që nipin e tij ta lejonte të bëhej fli e rastësisë.[3]

Si të gjithë të rinjtë e Mekës, edhe Ebu Talibi merrej me tregti. Ai e merrte përherë me vete Muhamedin, pasi donte t’ia mësonte edhe Atij artin e tregtisë. Profeti ynë i Dashur nuk ishte më shumë se dymbëdhjetë vjeç. Mbreti i mbretërve shkonte shpesh në Exhjad për të kullotur dhentë ndërsa rrinte në Mekë.[4] Kësodore Ai fitonte edhe përvojë, por edhe njohuri në çdo fushë të jetës.

Një ditë, Ebu Talibi filloi të bënte përgatitjet e nevojshme për t’u nisur për një udhëtim tregtie në drejtim të Sirisë. I nipi i tij, Muhamedi, me ta dëgjuar lajmin e largimit të xhaxhait, nuk u step që t’ia shprehte atij dëshirën se donte që të shkonte bashkë me të. Kjo ishte një tablo që e preku së tepërmi Ebu Talibin.

Vallahi që nuk kam për të ikur pa e marrë edhe atë me vete, – thoshte ai. Qe betuar se këndej e tutje as Ai nuk do të rrinte asnjëherë larg Ebu Talibit, e as vetë ai nuk do të shkonte asgjëkundi pa e marrë me vete. Profeti i profetëve e pati dëgjuar premtimin e xhaxhait të Tij, dhe kjo i kishte shkaktuar një gëzim e lumturi të parrëfyeshme. Ishte hera e parë që do të dilte jashtë Mekës për të bërë tregti, “ku i dihet, – thoshte ai, sa njerëz do të shoh gjatë rrugës, me kë do të njihem, dhe sa e sa gjëra të bukura do të shoh.”

[1] Ndërsa vite më pas, kur ndërroi jetë e ëma e Aliut (r.a.), i Dërguari i Allahut (s.a.s.) e nderoi shtëpinë e tyre me praninë e Tij, dhe me xhyben që kishte të veshur mbuloi trupin e pajetë të Fatmës, duke qenë po Ai që do e zbriste në varr. Duhet pasur parasysh edhe se Ai qe rritur në shtëpinë e tyre. Ndërsa atyre që e pyetën se përse e bëri një veprim të tillë, Ai do t’u përgjigjej: “Pas Ebu Talibit, nuk pati njeri tjetër që të më bënte aq mirë sa ç’më bëri ajo. Ia mbulova trupin me xhyben Time, në mënyrë që në atëbotë Allahu t’ia veshë me veshjet e Xhenetit, kurse në varr e zbrita vet, në mënyrë që edhe llogaridhënien ta ketë sa më të lehtë.” shih: Suhejli, raudu’l Unf, 1/112; Ibni Abdilberr, istiab, 1/369-70.

[2] Kadi Ijad, shifa, 1/729-30

[3] Ibni Sad, tabakat, 1/119-20

[4] Buhari, sahih, 2/247-8; Muslim, sahih, 6/125; Ibni Maxhe, Sunen, 2/727; Ibni Sad, tabakat, 1/125-6.

Postime të ngashme