Përgëzimet për ardhjen e profetit Muhamed (a.s) në Ungjill
Në Ungjillin e Gjonit, shohim se si Hz. Isa i ka porositur kështu dishepujt e tij:
“Nëse më doni, përmbajuni urdhëresave të mia. Unë do t’i përgjërohem Zotit që t’ju sjellë Shpirtin e së Vërtetës, Faraklitin, që të mbesë përgjithnjë ndër ju. Farakliti është Shpirti i Shenjtë që Zoti do ta dërgojë me emrin tim (domethënë si profet). Ai do t’jua mësojë të gjitha gjërat dhe do t’jua kujtojë përsëri edhe ato që ju kam thënë unë. Kur të vijë koha, besojini, pasi që më herët po ju lajmëroj. Tani nuk kam për të biseduar edhe më shumë me ju, sepse prijësi i kësaj gjithësie po vjen. Tek unë kurrsesi nuk ka gjëra prej tij.” (Gjoni: 15, 16, 26, 29, 30) “Farakliti do të dëshmojë për mua kur të vijë, po ashtu edhe ju do të dëshmoni” (Gjoni: 26, 27) “Unë po ju them të vërtetën. Është më mirë për ju që unë të shkoj. Sepse po nuk shkova unë, nuk ju vjen Farakliti. Kurse po të shkoj unë, ua dërgoj Atë. Kur të vijë Farakliti, do t’i qortojë të gjithë njerëzit për shkak të gabimeve dhe do t’i edukojë ata. Kam ende shumë gjëra për t’ju thënë. Por tani nuk mund t’i përballoni. Por kur të vijë ai Shpirt i së Vërtetës, do t’ju tregojë juve çdo rrugë drejt së drejtës, veçanërisht sepse Ai nuk flet nga vetja. Në të kundërt, do të flasë ç’ti kumtohet dhe do t’ju njoftojë rreth së ardhmes.” (Gjoni 16:7-13)
Sikurse tregohet në të dhënat më lart, duke qenë se Hz. Isa e njihte natyrën e Bijve të Izraelit, është përpjekur që t’u shpjegojë ndjekësve të tyre cilësitë e profetit që do të vinte. Për më tepër, këtu na tërheq vëmendjen me të drejtë fakti që emri i tij përmendet si Faraklit.
Abdulahad Davud, i cili ka bërë kërkime tepër të gjata mbi rrënjën e kësaj fjale, thotë se ajo vjen me kuptimin gjegjës të emrit Ahmed: më falënderuesi, me më të lartën famë dhe më i shquari. Ky emër, ka kuptim të njëjtë me emra të tjerë që cilësojnë Profetin (a.s.), si: Hamid, Hamad, Muiz dhe Muhlis. Të krishterët gjithashtu, e përdorin këtë fjalë me kuptimin falënderues, apo shpëtimtar, gjë që përputhet me misionin e Profetit tonë si shpëtues i njerëzve nga mohimi. Pikërisht fjala Faraklit është bërë shkak që Abdullah Terxhyman, një njeri i shkencës që ka shkruar një kritikë ndaj krishtërimit, të kthehet në mysliman.
Për personin që lajmërohet më lart, kuptohet se do të ketë një fe gjithpërfshirëse dhe do të vendosë zbatimin e bazave të kumtuara nga të gjithë profetët. Po, feja që solli i Dërguari i Allahut është feja e fundit dhe i përfshin të gjithë njerëzit. Pas Tij nuk do të ketë më as profet, dhe as fe tjetër. Në të njëjtën kohë, feja që solli Ai përbën themelin e mesazheve të përcjella nga profetët e mëparshëm.
Ai u mësoi njerëzve çdo gjë që Zoti i Lartësuar i shpalli përmes Kuranit. “…Ne nuk kemi harruar asgjë në Librin Tonë…” (Enam: 38) “…Ne ta zbritëm ty Librin, si shpjegim për çdo çështje, si udhërrëfyes, si mëshirë dhe si lajm të mirë për myslimanët.” (Nahl: 89) Edhe sipas këtyre dy ajeteve, në Kuran nuk ka asnjë mangësi. Duke qenë se pas Hz. Mesihut nuk ka ardhur ndonjë pejgamber me cilësi të këtilla përveç Hz. Muhamed Mustafait, ky njoftim mund të jetë veçse për Të.
Profeti (Paqja qoftë mbi Të), u pati kujtuar atyre edhe njëherë mësimet e Isait të nderuar. Ishte përqëndruar te njëshmëria e Zotit dhe kishte ndaluar konceptin e trinitetit, apo qëndrimet e tepruara në fe. Mesihu kishte bërë të ditur se nuk kishte nevojë të fliste më gjatë pasi do të vinte një i dërguar, i cili do t’i sqaronte me detaje çështjet e kohës dhe do të ishte njëherazi Zotëria i gjithësisë. Të gjitha këto përcaktime shënjojnë sërish Krenarinë e Njerëzimit, Hz. Muhamed Mustafa.
Thuhej se ardhja e Tij lidhej me largimin e Isait (a.s.) nga kjo botë, dhe se Ai do të ishte i mbrojtur prej njerëzve të kësaj bote; të dyja këto i referohen gjithashtu Profetit (s.a.s.). I Dërguari i Allahut, kishte ardhur pas Isait të nderuar dhe kishte qenë i ruajtur prej gjithë të këqijave që kishin zaptuar shoqërinë në të cilën bënte pjesë. Ai i ka vënë në dijeni ithtarët e librit se Hz. Isa nuk u kryqëzua, por u lartësua në qiell nga Allahu; po ashtu e nxorri të pastër nënën e tij nga çdo lloj fajësimi për imoralitet.
“Mbretëria e qiejve i ngjan një kokrre sinapi, të cilën e merr një njeri dhe e mbjell në arën e vet. Ajo, pa dyshim, është më e vogla nga të gjitha farërat; por, kur rritet, është më e madhe se të gjitha barishtet, dhe bëhet një pemë, aq sa zogjtë e qiellit vijnë dhe gjejnë strehë në degët e saj. (Mateu: 31-32)
Edhe këtu ka shenja ndriçuese për Profetin (s.a.s.) dhe aludohet për ligjësinë e sjellë nga Ai. Sepse Islami ishte i dobët në fillimet e veta, ndërsa më vonë erdhi duke u fuqizuar.