Përgatitjet për në Ramazan
Ramazani i bekuar është i treti i tre muajve të bekuar. Një mendim i këtillë ekziston paksa edhe prej faktit që ai nuk është caktuar, as i pari, as i dyti, por i fundit. Bashkë me hyrjen në muajin e Rexhepit besimtarët ndiejnë sikur hyjnë në një atmosferë të veçantë shpirtërore. Dhe kjo atmosferë bëhet sa vjen e më e dendur, kur i afrohemi Ramazanit. Sidomos në dhjetë ditët e fundit të Ramazanit, ajo arrin pikun dhe atje njeriu thuajse kthehet në një engjëll. Largohet nga çdo kënaqësi trupore dhe u kushtohet vetëm adhurimeve. Për ta arritur këtë majë, duhen vlerësuar më së miri muajt Rexhep dhe Shaban, si edhe ditët dhe netët e mira në këto muaj, në mënyrë që të përfitohet në maksimum nga drita dhe begatia e tyre.
Si përgatitje për muajin e Ramazanit, Profeti ynë (paqja qoftë mbi Të) i ka shtuar, si agjërimet, ashtu edhe adhurimet e tjera, së bashku me hyrjen e muajit të Rexhepit. Sidomos gjatë muajit të Shabanit, Ai e kalonte duke agjëruar pothuajse të gjithë muajin. Kjo sjellje e Profetit tonë është tejet e rëndësishme, nëse do të kemi parasysh dimensionin e mësimit që na jep. Nëse e ka kuptuar vlerën e Ramazanit, atëherë, pa dyshim, besimtari do të bëjë çmos që të jetë sa më i përgatitur për të, duke e përgatitur botën e vetë të zemrës, që ajo të jetë sa më afër atmosferës së Ramazanit. Dhe një Ramazan i pritur kësimënyre, duke u përgatitur materialisht dhe shpirtërisht, pa dyshim që do të vijë i ndryshëm. Ne do ta shohim me sytë tanë dhe do ta ndiejmë vetë në jetën e përtejme se si e kemi vlerësuar ditë-ditë çdo muaj të Ramazanit. Atje do t’i njohim të gjitha, agjërimet e mbajtura, teravitë e falura, lodhjen e teravive, qëndrimin të etur e të uritur… Ato do të na shfaqen përpara syve në botën tjetër, sipas dimensioneve të asaj bote. Ata që përpiqen që t’i vlerësojnë sa më drejt, si Ramazanin, ashtu edhe adhurimet e tjera, jo vetëm që do të jenë të kënaqur në këtë botë me nderimin nga ana e Allahut e veprimeve të tyre, por edhe atje do të jenë më se të kënaqur, kur të shohin nderimin me shpërblimet për ato vepra.