Kuptimi i fjalës Ramazan

Për kuptimin e fjalës Ramazan ka pasur mendime të ndryshme. Këto janë:

1. Fjalët er-Ramaz dhe er-Ramza, kanë kuptimin “jashtëzakonisht nxehtë”. Nëse mendohet prejardhja prej këtyre fjalëve, atëherë muaji i Ramazanit fiton domethënien, “muaji që i djeg dhe i zhbën mëkatet”. Veç kësaj, këtë emër mund ta ketë marrë edhe nga nxehtësia që ndodh te njerëzit prej qëndrimit të etur dhe të uritur gjatë agjërimit të mbajtur në këtë muaj.

2. Fjala er-Ramaz ka edhe kuptimin e shiut që bie në fund të verës ose në fillim të vjeshtës dhe i jep jetë tokës së tharë nga të nxehtët dhe e pastron tokën nga pluhuri i verës. Sipas kësaj, Ramazanit i përftohet kuptimi i “muajit që freskon zemrat e përvëluara dhe pastron mëkatet”.

Virtyti i muajit të Ramazanit

Në një hutbe të mbajtur me rastin e afrimit të muajit të Ramazanit, Profeti ynë i Nderuar (sal’lallahu alejhi ues’sel’lem) u pati thënë sahabëve të Tij:

“O njerëz! Hija e një muaji të lartë dhe të bekuar mbërriti gjer mbi kryet tona. Ky është një muaj i atillë, në të cilin gjendet nata e Kadrit, që është më e mirë dhe e mbarë edhe se njëmijë muaj. Allahu ju ka caktuar që këtë muaj ta kaloni duke agjëruar gjatë ditës dhe duke bërë adhurime nafile (shtesë) gjatë natës. Ai që bën një të mirë nga vetja gjatë këtij muaji, fiton shpërblim sikur të ketë bërë një të mirë që është e detyruar në muajt e tjerë. Ai që bën një të mirë që është e detyruar gjatë këtij muaji, fiton shpërblime sikur të ketë kryer shtatëdhjetë të mira që janë të detyruar në muajt e tjerë. Ky është muaji i durimit. Dhe shpërblimi i durimit është Parajsa. Ky është muaji i ndarjes me të tjerët dhe i mbështetjes te njëritjetri. Kush i shtron iftar një agjëruesi, kjo bëhet shkas që ai të falet dhe të shpëtojë nga Xhehenemi. Fiton edhe shpërblim sa ai agjërues, pa iu pakësuar as atij asgjë nga shpërblimet e tij.”

Disa nga sahabët thanë: “O i Dërguar i Allahut, po jo të gjithë ne kemi mundësi t’i shtrojmë iftar një agjëruesi.” – I Dërguari i Allahut (paqja qoftë mbi Të), i dëgjoi këto fjalë dhe tha: “Këtë shpërblim Allahu ia jep edhe atij që jep iftar sikur edhe me një hurmë apo një gllënjkë ujë ose qumësht të vetme.”

Në vazhdim, Profeti ynë tha: “Ky është një muaj që fillimin e ka mëshirë, mesin falje dhe fundin shpëtim nga Xhehenemi. Kushdo që ia lehtëson punën punëtorit apo shërbyesit të tij gjatë këtij muaji, edhe Allahu e fal atë duke e shpëtuar nga Xhehenemi. Në këtë muaj, katër gjëra t’i bëni sa më shumë. Me dy të parat fitoni kënaqësinë e Zotit tuaj, ndërsa me dy të tjerat nuk mund të ngeleni mospritës. Dy punët, me të cilat mund të fitoni kënaqësinë e Zotit janë: të thoni Fjalën e Dëshmisë dhe të kërkoni falje pa ndërprerë. Kurse dy punët, nga të cilat nuk mund të jeni mospritës, janë: t’i kërkoni Allahut Xhenetin dhe t’i kërkoni që t’ju mbrojë nga Xhehenemi. Kush i jep të hajë e të pijë dikujt që ka agjëruar, Allahu i jep atij të pijë në Xhenet një ujë të atillë nga burimi im, aq sa ai nuk ndien më etje gjersa të hyjë në Xhenet.”

Çdo ditë e Allahut është e bekuar. Mirëpo, nga mënyra se si i vlerësojnë njerëzit këto ditë, ato fitojnë një begati të veçantë, duke u kthyer në prerje të arta të kohës. Kurse muaji i Ramazanit është një prerje e bërë e artë që në krye nga Allahu i Madhërishëm. Sepse ai është kryekëput muaji i mëshirës dhe faljes.

Po, muaji i bekuar i Ramazanit bart një rëndësi të veçantë dhe të posaçme për të gjithë myslimanët. Prandaj, çdo mysliman do që ta vlerësojë sa më mirë këtë muaj. Me këtë rast, disa shkojnë nëpër vendet e shenjta, në Mekë dhe në Medinë, disa duke shtuar adhurimet atje ku gjendet, duke u përftuar atyre një thellësi të re, ndërsa dikush tjetër përpiqet me rrugë të tjera dhe sipas shkallës së sinqeritetit të vet, bëhet i denjë për mirësitë e Allahut.

Ramazani i duket njeriut si një muaj në vit kur ai mund të ndihet sikur shëtit në kodrinat e Parajsës, edhe pse është ende në këtë botë. Njësoj sikur të jetë duke vrapuar për të parë bukurinë e Allahut në kodrinat e Parajsës, nguti për të pritur iftarin zgjon tek ai njëherazi ndjesinë e pritjes për të parë një orë e më parë bukurinë e Allahut. Zgjimi çdo natë, përgjatë një muaji, për të ngrënë syfyr, ndihet në ndërgjegje si të ishte ngritja për t’u ringjallur. Prandaj bajramët e Ramazanit, edhe pse janë ditë gëzimi të veçanta, gjatë këtyre ditëve të gjitha këto ndjenja janë të mbështjella nga një farë trishtimi, sikur të thuhej: “Ah sikur të mos mbaronte Ramazani!”

Nga ana tjetër, megjithëse Ramazani është një kohë e shkurtër sa një muaj, ai fiton mbi të gjitha zakonet e përftuara prej nesh gjatë njëmbëdhjetë muajve të tjerë dhe na bën që t’i harrojmë tërësej ato. Sikur të thoshte, “unë jam prerja më e vyer e kohës” dhe lë te ne gjurmë më shumë sesa të njëmbëdhjetë muajt e tjerë të vitit bashkë, duke sunduar mbi kohën në tërësi. Dhe ai vlerën nuk e fiton vetëm se është muaji i agjërimit dhe teravive. Në të njëjtën kohë, ai është muaji i Kuranit, prandaj, në një përmasë krejt tjetër, ai është edhe muaji i afrimit tonë me Allahun. Në një kohë të caktuar, Allahu reflekton në qiellin e rruzullit tokës dhe thotë: “Nuk ka asnjë që të më lutet, që Unë t’i përgjigjem lutjes së tij! Nuk ka ndonjë njeri që të më kërkojë diçka dhe Unë t’ia plotësoj atij kërkesën! Nuk ka ndonjë njeri që të më kërkojë ta fal dhe unë ta fal atë…” – kështu thotë dhe çdo natë, na i mbështjell ndërgjegjen, ndjeshmëritë tona të holla hyjnore, shqisat dhe vetëdijet tërësej dhe me gjuhën e misticizmit, na bëjnë të përjetojmë një afrim me Krijuesin. Të gjitha këto gjendje na bëjnë të përjetojmë dëshmimin e vërtetë dhe të bëhemi bashkëbisedues me Zotin.

Muaji i Ramazanit është muaji më i nderuar pranë Allahut. Prandaj edhe ai është përmendur gjithmonë si mbreti i muajve. Ai ka një epërsi të dukshme ndaj të gjithë muajve të tjerë të vitit. Edhe muajt e tjerë Allahu i ka krijuar, por Ramazanit i ka falur një virtyt të rrallë. Ai fillimin e ka mëshirë, mesin falje, ndërsa fundin çlirim nga Xhehenemi. Kurani Fisnik, i cili është fjala e lartësuar e allahut të Madhërishëm dhe që do të shërbejë gjer në ditën e kiametit si udhërrëfyes për mbarë njerëzimin, ka zbritur në qiellin e botës pikërisht në muajin e Ramazanit, ndaj ai është edhe muaji i Kuranit. Gjatë këtij muaji besimtarët kalojnë kohë vazhdimisht me Kuranin dhe bëjnë çdo përpjekje për ta lexuar atë me herë të tëra nga fillimi gjer në fund, për ta mësuar përmendësh atë dhe që t’ia kuptojnë sa më mirë domethënien e ajeteve në të. Dhe siç e thotë vetë Allahu në Kuran, edhe nata e Kadrit, që është “më e mirë edhe se njëmijë muaj”, gjendet pikërisht në këtë muaj. Por dhe ky hadith i bekuar i Profetit tonë (sal’lallahu alejhi ues’sel’lem) e shpjegon mjaft bukur virtytin e këtij muaj:
“Nëse do t’ia dinin virtytet muajit të Ramazanit, robërit e Allahut do të luteshin që i gjithë viti të ishte Ramazan.”

Pranë Allahut, të gjitha veprimet, bëmat dhe punët e bëra gjatë Ramazanit janë shumë herë më të vyera se çdo punë e bërë muajt e tjerë. Për këtë arsye, duhen bërë përpjekje të jashtëzakonshme që as edhe një çast i vetëm i Ramazanit të mos kalojë kot. Çdo besimtarë duhet të përpiqet të ngarendë më shumë për çdo lloj të mire që mund të bëjë, për shembull, nëse çdo ditë ka falur pesë kohët e namazit, t’u shtojë atyre edhe pesë të tjera, nëse çdo ditë ka lexuar nga një xhuz të Kuranit, t’u shtojë atyre edhe nga disa xhuze të tjera në ditë, të shpërndajë sa më shumë sadaka dhe t’i forcojë edhe më shumë lidhjet me familjen e tij. Nga Abdullah bin Abasi (radijallahu anhuma) na është transmetuar që Profeti ynë i Nderuar (sal’lallahu alejhi ues’sel’lem) ka thënë:

“Një umre, një haxh i bërë gjatë muajit të Ramazanit bëhet i denjë për të fituar shpërblim sa një umre apo një haxh i bërë bashkë me mua.”

Çdo vit të jetës së tij, besimtari dëshmon periudhën shpirtërore të këtyre tre muajve. Kjo periudhë nis me muajin e Rexhepit dhe me një farë doze në rritje, arrin majën në Ramazan. Me Ramazanin njeriu sikur fillon t’i përkasë tëresisht amshimit. E si të mos i përkasë? Ebu Hurejreja (radijallahu anh) na ka transmetuar se i Dërguari i Allahut (sal’lallahu alejhi ues’sel’lem) ka thënë kështu:
“Kur hyn muaji i bekuar i Ramazanit, hapen portat e Xhenetit (sipas një transmetimi tjetër thuhet portat e mëshirës së Allahut), mbyllen portat e xhehenemit dhe shejtanëve u vihen zinxhirët.”

Duket sikur Zoti u vë prangat djajve dhe mbyll të gjithë koridorët që shkojnë drejt Xhehenemit, vetëm që njeriu të kthehet në engjëll, madje duke i hapur edhe tërë koridorët që të çojnë në Xhenet. Njeriui vetëdijshëm për tërë këto mirësi që fal Ramazani, e përdor gjer në fund këtë mundësi duke u përpjekur të bëhet sa më i denjë për parajsën. Sepse kështu ka vepruar edhe vetë Udhërrëfyesi ynë i Përkryer (sal’lallahu alejhi ues’sel’lem). Që, siç na e tregon bashkëshortja e Tij e kulluar, Aishja e nderuar (radijallahu anha):
“Me të ardhur dhjetëditëshi i fundit i muajit të Ramazanit, i Dërguari i Allahut i gjallëronte netët me adhurim, zgjonte edhe familjen, hiqte dorë krejtësisht nga bota dhe ia kushtonte veten robërimit karshi Allahut.”

Ai (pqmT) nuk mjaftohej vetëm me adhurimet, por bënte çdo përpjekje që të bënte çdo të mirë që mund të bëhej dhe të përparonte në rrugën e afrimit me Allahut. Ibni Abasi ka thënë:

“I Dërguari i Allahut ishte më bujari ndër njerëz. Ndërsa koha kur bujaria e Tij arrinte maja, ishte koha kur takohej me Xhebrailin (alejhis’selam). Çdo natë të Ramazanit, Xhebraili (alejhis’selam) takohej me të Dërguarin e Allahut dhe lexonin Kuran me njëri-tjetrin (mukabele). Gjatë kësaj periudhe, Ai (pqmT) bëhej më bujar edhe se një erë e begatë që fryn më shpejtësi pa u penguar askund.”

Një virtyt tjetër i muajit të Ramazanit është që ai e pastron çdo mëkat të njeriut. E patëm shprehur edhe më parë, që ky kuptim është edhe në rrënjën e fjalës së tij. Këtë domethënie e mbështet edhe transmetimi
i Ebu Hurejres (radijallahu anh), sipas të cilit i Dërguari i Allahut (sal’lallahu alejhi ues’sel’lem) ka thënë:

“Nëse u shmangeni mëkateve të mëdha, pesë kohët e namazit, namazi i xhumasë dhe muajt e Ramazanit të kaluar me adhurime të shumta, janë falje për mëkatet (e kryera ndërmjet).”

Allahu i Madhërishëm (xhel’le xhelaluhu) e ka caktuar detyrim adhurimin e agjërimit, shpërblimin e të cilit e ka marrë përsipër Vetë pikërisht në muajin e Ramazanit. Agjërimet e mbajtura gjatë një muaji të tërë i përftojnë një vlerë edhe më të veçantë Ramazanit, për të fituar kënaqësinë e Allahut. Profeti ynë i Nderuar (sal’lallahu alejhi ues’sel’lem) ka thënë kështu në lidhje me agjërimin e mbajtur gjatë këtij muaji:

“Njeriu që humbet pa pasur kurrfarë arsyeje një ditë pa agjëruar nga Ramazani, sikur një vit të tërë të agjërojë më pas, ende nuk e fiton dot shpërblimin e asaj një dite të tij.”

Në çdo natë të këtij muaji, me mijëra, ndoshta me miliona robër mëkatarë të Zotit bëhen të denjë për faljen dhe mëshirën e Allahut; bëhen të denjë për Xhenetin, ndërkohë që ajo që meritojnë është Xhehenemi. Në këtë muaj hapen portat e mëshirës, punët e bëra vlerësohen shumëfish herë më shumë. Poende, kush i jep të hajë iftar një personi, në librin e jetës së tij shtohet edhe shpërblimi i agjërimit të mbajtur prej atij personi. Profeti ynë (sal’lallahu alejhi ues’sel’lem) ka thënë:
“Kush i shtron të hajë iftar një agjëruesi, fiton shpërblime sa ai që ka agjëruar. Dhe nuk pakësohet asgjë nga shpërblimi i atij që ka agjëuar.”

Postime të ngashme

%d bloggers like this: