Përgatitja me mendim për Ramazanin

Që të mund të vlerësohet në më të mirën e mundshme Ramazani, siç e theksuam edhe më parë, fillimisht duhet që ne ta dimë sa më mirë vlerën e tij të vërtetë. Njeriu nuk di se si ta vlerësojë diçka që nuk ia di vlerën. Të themi se keni në dorë një unazë metalike, por me një vlerë shumë të lartë antikuari. Nëse e çoni atë në tregun e hekurpunuesve, për ta shitur, në këmbim të saj ata do t’ju japin një çmim shumë më të ulët sesa vlera e saj e vërtetë. Por, nëse e çoni atë në pazarin e antikuarëve, ata do t’ju thonë menjëherë vlerën e vërtetë të saj. Prandaj, fillimisht duhet që ju të kuptoni natyrën dhe vlerën e vërtetë të asaj unaze. Po kështu, një person që nuk ia di vlerën muajit të Ramazanit, do të jetë i pamjaftueshëm për ta vlerësuar atë. Kurse ai që ia di do të përpiqet që të mos e çojë dëm as edhe një çast të vetëm të tij. Nga kjo pikëpamje, përparësi për këtë ka që të lexohen dhe të kuptohen sa më mirë të gjitha temat që kanë të bëjnë me agjërimin dhe muajin e Ramazanit, si në Kuranin Famëlartë, ashtu edhe në hadithet e bekuara. Ai që e bën këtë, do të thotë se e ka hedhur hapin e parë në rrugën e vlerësimit të Ramazanit.

Veç kësaj, vlerën që bart Ramazani ai duhet ta mësojë nga ata që e dinë dhe e kanë kuptuar më së miri vlerën e tij. Prandaj është shumë i rëndësishëm leximi i shkrimeve të miqve të Allahut dhe njerëzve të virtytshëm dhe të ditur në lidhje me këtë çështje. Një udhërrëfyes mjaft i mirë për ne janë edhe vlerësimet që kanë për Ramazanin dhe agjërimin personalitete si Imam Gazaliu, Imam Rabaniu, Mujidin ibni Arabiu dhe Bediuzaman Said Nursiu. Veçmas, të dish edhe se si e kanë kaluar muajin e Ramazanit në rrugëtimin e tyre të jetës këta miq të Zotit do të jetë një dinamikë e jashtëzakonshme motivimi dhe rehabilitimi për sa i përket kësaj çështjeje.

Postime të ngashme

%d bloggers like this: