Fanatizmi, një sëmundje shoqërore që paralizon mendjet e qashtra
Fanatizmi (taas’sup – arab. T’i vlerësosh dukuritë vetëm prej parapëlqimeve dhe pikëvështrimit tënd pa i vështruar me vëmendje, duke treguar këmbëngulje dhe kokëfortësi edhe për çështjet që janë të lidhura me fenë.), ndërsa në turqisht mbart kuptimin e sjelljes “kjo që them unë!”. I Dërguari i Allahut (s.a.s.) në një hadith e shpreh këtë sjellje me fjalën asabijet që mbart kuptimin “deri në nevrikosje” (Ebu Davud, edeb, 111; Ibni Maxhe, fiten, 7). Pasi fanatizmi është një sjellje e ndërtuar mbi nervat dhe ndjenjat, e cila pasqyrohet jashtë prej ndjesish dhe ndjenjash që ushqehen prej trupores dhe kafshërores brenda njeriut. Kjo fjalë, e përdorur në këtë rasë mbart edhe një kuptim përforcimi prej trajtës gramatikore në të cilën është shprehur. Nga ky kuptim, fanatizmi aty mbart kuptimin e kokëfortësisë mbi një çështje, të këmbëngulësh, t’i shumëzosh me zero mendimet e të tjerëve, duke e lidhur çdo gjë vetëm me egon tënde, pa pranuar asgjë prej botës së parë apo dëgjuar prej të tjerëve. Një sjellje që qëndron tejet larg logjikës, arsyes, parimeve dhe thellimit në të. Prej këndej, mund të themi, se ashtu siç është e pamundur që një fanatik të veprojë me logjikë dhe arsyeshëm, ashtu është edhe e pamundur që mekanizmi i tij i ndërgjegjes të mund të thellohet në vetvete. Në gjuhën shqipe, megjithëse me disa nuanca kuptimore, në vend të fjalës taassup përdoren fjalë si xhelozi dhe fanatizëm.
Një faktor pengues për besimin
Njerëzit e mohimit dhe kundërshtimit janë treguar përherë fanatikë karshi besimtarëve. Bie fjala, mohuesit dhe hipokritët e Shekullit të Lumturisë janë treguar përherë fanatikë karshi myslimanëve. Aq sa janë treguar si qorra dhe vuvë përballë Krenarisë së Njerëzimit (miliona e miliona salavate), që Allahu ia ka shtruar yjet sikur të ishin gurët e kalldrëmeve. Kur, nëse do ta kishin parë ashtu siç duhej, do ta kishin parë edhe ata të vërtetën që shihnin të tjerët. Po t’ia vinin paksa veshin fjalëve të tij shëruese, do ta kishin dëgjuar edha atë që dëgjonin ata që kishin veshë të shëndoshë. Gjithnjë, nëse mohuesit dhe kundërshtuesit do të silleshin me pak më tepër mendim të mirë dhe më të matur, do të shihnin më saktë, do ta kuptonin të vërtetën, duke iu bindur rrugës së të vërtetës. Por sa keq që, fanatizmi, urrejtja dhe mllefi ia errësoi sytë, ua mbuloi gjithë bukuritë, derisa në fund i zvarriti drejt mohimit.
Zaten padrejtësia dhe mendjemadhësia, përveç të qenit nga një shkaktar i paqëndrueshmërisë këndvështrimore, është edhe një prej faktorëve që të nxjerrin prej rrethit të besimit, duke të çuar kah një bindje e verbër e mendimit të të parëve, i cili në vetvete, është një lloj tjetër fanatizmi. Tevona, njerëzit e periudhës së injorancës e patën kundërshtuar Islamin pikërisht me argumentet që i nxirrnin prej asaj që u kishte ngelur si trashëgimi prej të parëve të vet. Edhe pengesa a kundërshtimi i tyre që myslimanët të vinin prej Medinës në Qabe për t’iu rrethrrotulluar asaj ishte përfundim i të njëjtit fanatizëm. Kurani Fisnik, këtë qëndrim të tyrin i ka quajtur si lidhje pas injorancës. Ata i patën hyrë këtij fanatizmi, duke penguar çdo lloj mënyre të hyrjes së Islamit në Mekë, pikërisht për të mos iu shtrembëruar traditat, që të mos ndodhnin plasaritje në zakonet, të cilat kishin kohë që i zbatonin, madje njëkohësisht që edhe të mos bëheshin gazi i botës përballë fiseve të tjera arabe.
Vende vende, ngjarje të ngjashme me këto janë duke u përjetuar në shumë vende të botës edhe sot e kësaj dite. Për shembull, kur doni të shprehni botën tuaj nëpërmjet fesë dhe parimeve hyjnore që keni përvetësuar, disa vihen menjëherë në lëvizje, dhe mundohen që t’ju pengojnë me një reagim të ashpër dhe mospranues. Madje, nganjëherë, ju edhe sikur të parashtroni plane dhe projekte që synojnë ngritjen e shtetit a vendit tuaj në nivelin e një vendi të zhvilluar, që mund të bëhet faktor ekuilibri në nivel ndërkombëtar; të përpiqeni me mish e me shpirt për t’ia arritur qëllimit, disa njerëz, të cilëve mund t’u keni shkelur në zakonet e deriatëditshme, do të ngrihen e do të mundohen që t’ju pengojnë, duke thënë për ju: “Në fakt, këta, duke parashtruar mirëqenien e popullit, zhvillimin ekonomiko-politik, duan të dëmtojnë vlerat tona.” Edhe sikur ju të mos thoni asgjë në lidhje me pikëpamjet e tyre marksiste, leniniste a staliniste, etj., edhe sikur të mos flisni fare për ikonat e tyre idolatrike, ngase mendimet dhe pikëvështrimet tuaja parapëlqehen prej popullit, ata do ta shohin veten e tyre si të lënë pas dore, ata do të fillojnë të mendojnë se ju me anë të veprimeve tuaja po përpiqeni të bëni të harrueshme vlerat e tyre. Madje më tej, nëse do të supozojmë, ju edhe sikur të merrni një palë shkallë e t’u tregoni rrugën që të çon drejt e në Xhenet, disa syresh do të thonë: “Ata janë duke u munduar t’i bëjnë njerëzit që të harrojnë ideologjinë tonë teksa veprojnë kësodore.” Të gjitha këto janë frytet e një fanatizmi që ushqehet edhè prej lidhjes fort pas injorancës.
Një sëmundje e kobshme që ngjitet gjithkah
Ashtu si një sëmundje e tillë mund të gjejë shtrat në vendin tuaj, ajo mund të përhapet edhe në vendet e tjera. Madje mund të thuhet se fanatizmi nuk ka një vend a atdhe të caktuar. Ky tipar i shëmtuar, mund t’i ngjitet kujtdo personi me çfarëdo botëkuptimi a pikëvështrimi të botës. Madje, ndikimi i këtij fanatizmi mund të vërehet edhe te disa njerëz, në dukje, të fesë. Asisoj, që disa prej tyre, jo sikur të ishin duke vepruar për të fituar kënaqësinë e Allahut, por sikur të duan që çdo gjë të shihet prej mendimeve të tyre “më të saktat”, mund ta shohin çdo gjë nëpërmjet vështrimit të tyre të cunguar, andaj edhe në disa çështje të caktuara mund të ashpërsohen, dhe të tregojnë disa qëndrime të palëkundshme.
Në ditët e sotme, fatkeqësisht, edhe krimet e kryera nën këllëfin e njerëzve-bomba duken sikur të mos jenë vënë në gjumë me anë të disa ilaçeve a iluzioneve, duke iu marrë truri nën kontroll, sikur vullnetet të mos u ishin paralizuar, e sikur të mos jenë robotizuar – mund të jetë rezultat i një fanatizmi të këtillë. Po, ajo është një sëmundje e atillë që, njerëzit, duke u përpjekur që të ngrenë një botë sipas mendimeve të tyre, të kenë shkatërruar krejt botën e tyre shpirtërore. Sepse njerëzit, që duke vetëvrarë veten me bombat të lidhura në bel, vrasin edhe ç’të ketë rreth e rrotull, fëmijë, gra, pleq, e shumë e shumë njerëz të tjerë të pafajshëm, me veprimin që kryejnë, jo që nuk fitojnë Xhenetin, por e bëjnë një domosdoshmëri të drejtë Xhehenemin. Është një përfundim tejet i hidhur dhe prekës, që një njeri, në vend që të ecë vetë, madje të ftojë edhe të tjerët në rrugën drejt Xhenetit, të rrokulliset gropave të Xhehenemit.
Qëndrueshmëri në të drejtë dhe lidhja fort pas fesë
Në fakt, fanatizmi nuk duhet të ekzistojë kurrsesi te një besimtar. Sepse besimtari është ithtar i së drejtës. Detyra e tij është që të gjejë të vërtetën, dhe t’ua përçojë atë edhe të tjerëve. Nga ky këndvështrim, nuk mund të mendohet assesi që një zemër besimtare të dalë kundër të vërtetës, të këmbëngulë kundër saj, apo të bëjë sikur nuk e kupton. Në të kundërt, ai do të jetë duke e fyer të vërtetën. Andaj, te një besimtar nuk mund të vërehen shenja të fanatizmit, përkundrazi, tek ai duhet të gjenden e shkrirë qëndrueshmëria e palëkundur në parimet e fesë.
Kjo qëndrueshmëri nga njëra anë duhet të jetë e fortë dhe e palëkundur, me pak fjalë, të shkelësh në tokë të sigurt, duke qenë i vendosur që të mos rrëshqasësh kurrsesi, as në mendime e as në veprime. Ashpërsia, ngurtësia dhe mungesa e tolerancës nuk do të thonë aspak lidhje e shëndoshë me fenë. Lidhje fort pas fesë do të thotë, që sado që të ndryshojnë kushtet dhe ndodhitë e ndryshme, një besimtar e ka për detyrë që të jetë i vendosur dhe i sinqertë në të jetuarit e parimeve të Islamit, ashtu siç i janë urdhëruar. Me një fjalë, edhe sikur e gjithë bota të fillojë të ndryshojë, të gjithë të kthehen në njerëz të tjerë, e turma të tëra njerëzish të përpihen prej bukurive tërheqëse të kësaj bote, duhet të ndjekë përherë kënaqësinë e Allahut në çdo punë të tij, të mos tregojë shthurje në asnjërin prej urdhrave të fesë, dhe çfarëdo që të ndodhë, të qëndrojë përherë i palëkundur për të qenë dhe qëndruar përherë vetvetja.
Besimtari që të arrijë nivelin e qëndrimit të palëkundur në fe, duhet të punojë për të kaluar nga besimi imitues në besimin e vërtetë, mandej të thellohet vazhdimisht në të vërtetat e besimit, derisa t’i japë zgjidhje çdo lloj çështjeje duke e kaluar njëherë nëpërmjet gjykimit të një mendjeje të qashtër. Një njeri i tillë mbështetet tek Allahu në çdo ngjarje që i ndodh përgjatë jetës. Përqafohet pas devotshmërisë, i respekton shkaqet, çdo hap e hedh me kujdes, nuk bëhet pjesë e asnjë loje, dhe asnjëherë nuk vepron me ndjenja. Sepse njohja, dashuria dhe pasioni a dëshira që janë pjekur në shpirtin e tij janë përherë aty për t’i treguar rrugën e drejtë. Nga ky këndvështrim, fanatizmi shfaqet më së tepërmi te njerëzit që e ngrenë jetën e tyre mbi informacione imituese apo të dëgjuara prej të tjerëve. Prandaj, që një njeri të mos bjerë në fanatizëm, por që ta jetojë jetën krahas një qëndrueshmërie në fe, duhet të përvetësojë mjaft mirë parimet thelbësore që gjenden në Kuran apo në Sunet. Mandej çdo informacion a dije që ka fituar duhet ta testojë përballë tyre. Pastaj t’i përplasë mendimet e të parëve tanë me ato që ka përvetësuar prej këtyre dy burimeve, me fjalë të tjera të njohë mirë edhe të gjitha mendimet a gjykimet e dhëna prej të gjithë dijetarëve deri në ditët tona. Pasi t’i arrijë të gjitha këto, duhet t’i hapë duart kah Allahu, e të thotë: “O Zoti ynë, mos na i fut zemrat tona në dembelizëm pasi të na kesh udhëzuar në të drejtë, duke na u gjendur përherë i mëshirshëm kur të vijmë pranë Teje!” (Al Imran, 3/8). Me anë të kësaj na mësohet se në çdo përzgjedhje a vendim ne duhet të kërkojmë ndihmë dhe mbështetje prej Allahut (xh.xh.).
Aq sa fanatizmi është një tipar tejet i papëlqyer, edhe qëndrimi i qëndrueshëm në fe është po aq i pëlqyeshëm. Sepse qëndrueshmëri do të thotë të mos thyhesh, të mos plasaritesh, të mos tronditesh dhe të mos rrëzohesh për sa i përket të jetuarit të fesë. Në fakt, është shumë e vështirë që një fanatik të tregojë qëndrueshmëri në fe, duke qëndruar i palëkundur në mendimet e tij. Sepse ai vepron në shtysë të përhershme të ndjenjave, dhe jo të gjykimit të arsyeshëm. Ata që sot tregohen fanatikë në një ideologji të caktuar, nesër mund të bëhen fanatikët e një tjetër ideologjie. Po ta shihni, gjatë një periudhe ata ishin fanatikët e një ideologjie që e shihte truporen dhe kafshëroren si çdo gjë, ndërsa në një tjetër periudhë kanë filluar të sillen si fanatikët e spiritualizmit. Mirëpo një besimtar i ardhur katër shekuj pas shekullit të lumturisë qëndron po në të njëjtat vlera universale, e po ashtu edhe një besimtar që ka ardhur katërmbëdhjetë shekuj më pas, të njëjtin pozicion ruan.