Njeriu që thoshte “Elhamdulilah” për çdo gjë

Një ndër fjalët më të përdorura nga besimtarët është fjala “Elhamdulilah”, e cila nënkupton falënderimin dhe lavdërimin e Zotit. Kjo fjalë ka një efekt të jashtëzakonshëm në zemrën e besimtarit, sepse e bën atë të jetë i kënaqur me atë që Zoti i Lartësuar ka caktuar për të. Elhamdulilah do të thotë edhe t’i dish të gjitha mirësitë prej Zotit, favoret dhe begatitë në jetë t’ia atribuosh vetëm Atij dhe kështu të ecësh i qetë në rrugëtimin tënd të jetës. Rreth kësaj fjale do të përmendim një histori shumë interesante, e cila na tregon më tepër për ndikimin e saj në jetën tonë.

Një mbret kishte një këshilltar të afërm, të cilin e mbante gjithnjë me vete si shoqëruesin e tij. Një ditë mbreti i rrethuar nga ushtarët e tij kishte dalë për gjueti së bashku me këshilltarin e tij. Një ndër zakonet që kishte këshilltari ishte të thënit e fjalës “Elhamdulilah” për çdo gjë që i ndodhte. Duke u përpjekur të zinte ndonjë gjah, mbreti preu majën e gishtit të tij dhe aty pranë u dëgjua fjala e këshilltarit, i cili edhe në këtë rast tha “Elhamdulilah”. Mbreti u çudit se si guxoi ta thoshte diçka të tillë, ndërkohë që ai u dëmtua dhe dora po i rridhte gjak. Për këtë gjë, urdhëroi ushtarët e tij që t’ia largonin këtë njeri dhe ta burgosnin diku. Çështjen me të do ta zgjidhte menjëherë sapo të kthehej prej gjuetisë.

Sipas rrëfimit, mbreti vazhdoi gjuetinë i hipur mbi kalin e tij, i cili për hir të vërtetës ishte shumë i shpejtë. Ndodhi që mbreti u largua aq shumë nga ushtarët e tij saqë e gjeti veten në një tokë që nuk i përkiste sundimit të tij. Njerëzit e atij vendi e morën dhe e çuan prenë eprorëve të tyre. Sipas zakonit, ai që kapej në atë tokë pa asnjë lloj autorizimi, duhet të bëhej kurban. Ja pra, mbreti i madh ishte pranë vdekjes dhe askush s’i gjendej pranë për ta ndihmuar. Teksa u bënë gati për ta bërë kurban, atypari u dëgjua zëri i një njeriu të ditur, “Ju s’mund ta bëni kurban këtë njeri. Ai ka një gisht të prerë. Kjo gjë bie ndesh me traditën tonë! Kurbani s’duhet të ketë asnjë të metë!” Kështu, mbreti u la i lirë dhe u rikthye sërish në tokën e tij.

Mbreti shkoi menjëherë te këshilltari i tij për t’i treguar çdo gjë që i kishte ndodhur. I tha atij: “Unë e kuptova shumë mirë domethënien e fjalës tënde  “Elhamdulilah” kur unë preva gishtin. Ishte ajo ndodhi që më shpëtoi jetën. Por më ka mbetur një pikëpyetje. Nuk arrita ta kuptoja pse the “Elhamdulilah” kur të largova nga shoqëria ime? Këshilltari i urtë iu përgjigj: “Nëse s’do të isha larguar nga shoqëria jote, do të kishim përfunduar të dy në duart e atyre njerëzve. Teksa ti shpëtove, për arsye se e kishe gishtin të prerë, ata njerëz do të më kishin marrë mua dhe do të më bënin kurban. Kështu, “Elhamdulilah” për atë që ndodhi dhe unë sot jam gjallë.”

Thuaj “Elhamdulilah” për çdo situatë në jetë. Zoti cakton për robin e Tij vetëm atë që është e mirë dhe e dobishme për të.

Postime të ngashme

%d bloggers like this: