Njeriu është një univers në përmasa të vogla
Njeriu, nëse do ta shtrije mbi një tavolinë dhe të studiohej fiziologjia e tij në përmasën e tij fizike, do të shihje se njeriu është si një univers më vete. Gjithësia rreh porsi një zemër dhe pas saj ndihet një fuqi, një vullnet që mbizotëron dhe një harmoni e jashtëzakonshme në çdo anë. Ndërkohë që ai vetë vrapon drejt vdekjes dhe zhbërjes së tij. Në fakt, të gjitha këto janë gjëra që përfaqësohen te njeriu me trajtat e tyre tipike.
Ndërsa kur e shohim këtë çështje me një pikëvështrim së brendshmi, atëherë do të shohim se Allahu xh.xh, me fuqinë dhe vullnetin e Tij ka shkruar disa të vërteta të pakundërshtueshme në librin e gjithësisë. Dhe shohim, po ashtu, se të gjitha këto janë ngjarje të përkthyera edhe si tekst në Kuranin Famëlartë. Në këtë përkthim Zoti e ka thirrur njeriu e Tij si bashkëbisedues dhe, për të zhvilluar këtë bashkëbisedim, nëpërmjet mësimeve të Profetit Muhamed s.a.s. Në këtë pikëpamje, të gjithë emrat e Allahut që janë të reflektuar në Tokë, edhe te njeriu po aq emra reflektojnë. Sikur të merret tërë gjithësia dhe t’i vihet përpara njeriut dhe ai t’i shohë të gjithë rreshtat e universit si dy faqe të Kuranit Fisnik, e atij t’i vijnë informacione nga nebuloza që gjenden miliarda vite drite larg dhe mandej të zbritet në thellësi të njeriut e të studiohet, ka për t’u parë, se janë po aq të fshehta, ndriçime dhe mësime të lloj-llojshme, të cilat gjenden edhe në univers njëkohësisht.
Prandaj, në këtë kuptim, nëse do ta shikoje njeriun përballë tërë kësaj gjithësie, do të vëreje se harmonia dhe rendi që mbizotërojnë te qelizat e njeriut, janë të njëjtë me ata që mbizotërojnë edhe në univers. Po, do të vërehet se çdo qelizë funksionon si një shtet më vete. Që kur hyn brenda murit qelizor, do të shohësh se ke të bësh me diçka të ngjashme si ajo e hyrjes në kufijtë e një shteti. Madje bëhet fjalë për një botë aq të sigurt, sa që – nëse qeliza nuk ka pësuar ndonjë dëmtim serioz – jo çdo gjë që hyn në trup mund të hyjë brenda murit qelizor të saj. Sidomos nëse bëhet fjalë për ndonjë mikrob shumë të rrezikshëm, ai mund të hyjë në trup, por do të mblidhet si një lëmsh diku aty, pa hyë dot brenda gjakut, kështu që trupi do të jetë mbrojtur prej një rreziku të madh. Nëse ai problem sa vjen e shtohet e shtohet, atëherë ai do të vijë një çast që trupi do të kërkojë ta nxjerrë fare jashtë vetes. Me pak fjalë, të gjitha qelizat e trupit të njeriut, të cilat funksionojnë brenda tij njësoj siç funksionojnë mekanizmat shtetërorë brenda një shteti, ngjan sikur të jenë nën urdhrat e një engjëlli. Dhe kjo tregon se mbi çdo gjë qëndron shpirti, i cili funksionon si një ligj hyjnor dhe i patëmetë i vetëdijshëm e i ndërgjegjshëm, që punon për llogari të Allahut xh.xh.
Për ne, si njerëz, kushtëzimi që ne kemi në konditat tona si qenie, është e pamundur që të mund ta shohim universin në tërësinë tij, që të mund ta studiojmë ashtu, tërësej, apo që të zotërojmë një dije, e cila do të përfshijë çdo të dhënë në lidhje me çdo emër të Allahut xh.xh. Pasi, nganjëherë, ne nuk arrijmë të gjejmë kohë as për të lexuar një libër nga fillimi gjer në fund. Dhe, krahas kësaj, nëse autori i atij libri ka shkruar ndonjë artikull apo libërth shpjegues e përmbledhës për librin e tij, që i jep informacionet që bart libri në një formë të përkryer, ne mund t’i drejtohemi vetëm kësaj përmbledhjeje për të kuptuar përmbajtjen e librit. Ja pra, kjo është natyra e vërtetë njerëzore; i tillë është krijuar ai. Si kusht i njëjësisë së Tij, Allahu xh.xh, nuk i ka ngarkuar njeriut një detyrë të vështirë, siç do të ishte ajo e zbulimit vetë të rrezatimeve të dijes rreth tij që ekzistojnë në univers.
Njeriu nuk ka nevojë për ndonjë teleskop që të mund ta shohë universin në tërësinë e vet. Njeriu mund të hulumtojë gojën, hundën, apo veshin e vet dhe nëse ua vë veshin detyrave të tyre, do të shohë se brenda tij ekziston një rend si ai i dëshiruari ndër shtetet utopike, pasi gjithçka duket sikur do të thotë: “Unë jam një krijesë e Allahut” dhe duke e dëshmuar atë me të njëjtën forcë besimi si ajo që ka ndaj dëshmisë, “La ilahe il’lallah”, atëherë ai do ta ketë lexuar të tërë gjithësinë falë saj. Duke qenë se secili mund ta lexojë librin e gjithësisë sipas nivelit të vet, njerëzit e së vërtetës kanë këshilluar që njeriu, para se ta drejtojë shikimin për të medituar jashtë tij, duhet që ta drejtojë shikimin drejt vetes dhe të meditojë rreth vetes së tij (pra operacioni i mendimit që do t’i bëjë botës së tij të brendshme), sepse kjo është shumë më e dobishme për të; është e pamundur që dikush që nuk ka arritur njëfarë dijeje cilësore rreth asaj ç’ka brenda tij, të arrijë të zhytet në oqeanin e dijes që shtrihet jashtë tij; do të ishte diçka e ngjashme me marrjen me shoshë të ujit nga pusi. Njeriu duhet ta zgjidhë njëherë brenda vetes këtë çështje dhe kështu t’i ngrejë mekanizat e tij për të njohur dhe për të kuptuar botën. Ai duhet të bëjë që dija dhe informacionet që do të hyjnë brenda tij të jenë të ngjashme me qumështin e kulluar, i cili del nga mesi i gjakut dhe jashtëqitjeve të ndotura. Në mënyrë që dijet e marra prej disiplinave, si fizika, kimia, apo astronomia, të shndërrohen në dije për të njohur botën dhe Krijuesin e gjithësisë, është e domosdoshme që ai të rregullojë njëherë meditimin e brendshëm të tij. Vetëm pasi të ketë kryer këtë meditim ai mund të ngjitet drejt makrokozmosit, përmes teleskopëve, apo laboratorëve të specializuar, apo të zbresë drejt mikrobotës; ai do të mund të kthehet porsi bleta prej luleve, ku ka thithur nektarin më të mirë, me rrezatimet më të forta të dijes, duke u shndërruar kësisoj në një njeri mirëfilli të ditur.