Një ditë e Profetit Muhamed s.a.s.

Husejni r.a e kishte pyetur të atin, Aliun r.a, rreth Profetit a.s, ai ia kishte shpjeguar në këtë mënyrë:

“Ai kërkonte leje për të hyrë në shtëpi. Kohën e Tij në shtëpi e ndante në tre pjesë. Një pjesë për Allahun (ibadetet), një pjesë për familje dhe një për veten e Tij, dhe pjesën tjetër e ndante për të tjerët.

Profeti a.s si zakonisht, para faljes së farzit të sabahut falte 2 rekate sunet të sabahut. Në një hadith Profeti a.s ka thënë: “Dy rekatet e sabahut janë më të mira se dynjaja dhe ç’ ka në të.”[1]

Profeti a.s të gjitha namazet i falte me një qetësi shpirtërore dhe përkushtim e thellim në namaz, në mes të frikës dhe shpresës. Transmetohet nga Abdullah ibn esh-Shihijr r.a. të ketë thënë: “Erdha tek I Dërguari i Allahut s.a.s, ndërsa Ai ishte duke u falur. Në gjoksin e Tij dëgjohej një ushëtimë, sikurse ushëtima e kazanit kur zien nga të qarët.” Profeti a.s e urdhëroi edhe ummetit të Tij ta falnin namazin në këtë mënyrë.

Në një hadith të transmetuar nga Ammar bin Jasir r.a., Profeti a.s ka thënë: “Kur dikush e fal namazin, në bazë të kujdesit të tij gjatë namazit, shënohen sevape sa një e dhjeta e namazit, një e nënta, një e tetëta, një e shtata, një e gjashta, një e pesta, një e katërta, një e treta dhe sa gjysma.”[2]

Në një hadith tjetër thotë: “Namazet farz janë sikur peshore. Kush i fal pa mangësi fiton shumë.”[3] Për këtë arsye Profeti a.s i jepte shumë rëndësi namazit.

Dhikr deri sa të lindte dielli

Pas faljes së farzit të sabahut me xhemat, qëndronte në sexhade deri sa të lindte dielli. Transmetohet nga Enes bin Malik r.a., Profeti a.s ka thënë: “Kush e fal namazin e sabahut me xhemat e pastaj qëndron ulur dhe përkujton Allahun (bën dhikr) deri sa të lind dielli, pastaj fal dy rekate namaz (Ishrak), do t’i shkruhet shpërblimi i një haxhi dhe umreje të plotë.” Enesi bin Maliku tha fjalën “do t’i shkruhet shpërblimi i një haxhi dhe umreje të plotë.” Profeti a.s e përsëriti 3 herë.[4]

Pastaj Profeti a.s i pranonte njerëzit që vinin për ta vizituar qoftë nga vendet e largëta a po të afërta. Vizitorët qëndronin në formë të hallkës rreth Profetit a.s. teksa Ai a.s ligjëronte, këshillonte, jepte përgjigje rreth pyetjeve madje komentonte edhe ëndrrat.

Sjellja dhe të folurit të Tij a.s.

Mënyra e të folurit të Profetit a.s ishte e ëmbël dhe tërheqëse. Fjalët i nxirrte një nga një, dhe të gjitha shprehjet ishin ndaras për të bërë që të tjerët ta kuptonin sa më mirë. Nuk qeshte me zë, por buzëqeshte. Ai a.s ishte njeriu me sjellje më të butë (Halim). Kur i bëhej padrejtësi, kur njerëzit bënin sjellje të gabuara ndaj Tij, Ai a.s. reagonte me butësi. Kurse kur bëhej padrejtësi ndaj Allahut xh.sh dhe imanit, kurrë nuk heshte e i jepte përgjigjen e duhur.

Profeti a.s nuk i shihte mëkatet e njerëzve. Ndonjëherë bënte sikur nuk i shihte, e shpesh edhe sytë i kthente në anën tjeter. Edhe po t’i shihte, nuk ia përplaste fytyrës, nuk e griste perden e respektit dhe të dashurisë në mes të Tij dhe gabimtarit. Modestia e Profetit a.s, mund të shihej më qartazi veçanërisht gjatë kontakteve me njerëzit. Çfarëdo personi që gjendej në kuvendin e ndritur të Tij a.s, nuk ia ndërpriste fjalën personit që fliste, por e dëgjonte me durim aq sa personi nuk largohej nga e vërteta.

Profeti a.s ashtu siç ishte tolerant ndaj të afërmve dhe sahabëve, ashtu ishte edhe ndaj armiqëve.  Sidomos të dobtëve të tyre, veçanërisht në momentin kur dorëzoheshin. I falte ata, dhe në fund sjelljet e Tij të mira bëheshin shkak që shumë prej tyre ta pranonin Islamin.

Ai a.s. kurrë nuk thoshte “Jo” kur i kërkohej dicka. Ishte njeriu më bujar. Ibn Abbasi kishte thënë: Profeti a.s ishte njeriu më bujar. Posaçërisht në muajin e Ramazanit, e shtonte bujarinë e Tij.”[5]

Namazi i Duhasë

Biseda me njerëz dhe dëgjimi i brengave të tyre, zakonisht zgjaste deri në kohën e para drekës. Me të hyrë koha e para drekës, Profeti a.s ndonjëherë i falte 4, e ndonjëherë 8 rekate namaz të Duhasë. Rreth rëndësisë së këtij namazi Profeti a.s ka thënë: Në xhenet është një derë me emrin Duha.  Një lajmëtar thërret kështu: Ku jeni o ju që keni falur namazin e Duhas? Kjo është dera që duhet të hyni, me mëshirën e Allahut hyni nga kjo derë brenda.”[6]

Pas namazit Profeti a.s nëse nuk kishte për të shkuar dikund tjetër, kthehej në shtëpi, dhe pyeste nëse kishte diçka për të ngrënë. Në qoftë se kishte, e hante mëngjesin, nëse jo thoshte: Atëherë jam me agjërim dhe atë ditë e kalonte me agjërim.

Namazi i Drekës

Pastaj, Profeti a.s përgatitej për namazin e drekës. Me të hyrë koha e drekës shkonte në xhami, nuk i neglizhonte sunetet muekked para dhe pas farzit të drekës. Nëse ajo ditë ishte ditë e xhuma, mbretëronte një gjallëri krejtësisht ndryshe. Përgatitej për namazin e xhumas, priste thonjtë, pastrohej, vishte rroba të reja, parfumosej dhe shkonte në xhami më herët.

Profeti a.s kohë pas kohe i vizitonte shokët e Tij. Si kryetar i shtetit merrej me punët e popullit, me shkrimtarët e vahjit për shkrimin e ajeteve të sapo zbritura dhe me mysafirët që vinin për vizita.

Profeti a.s pushonte para ose pas drekës (kajlule)

Para ose pas faljes së namazit të drekës Profeti a.s bënte një gjumë të shkurtër ‘kajlule’. Në një hadith, thotë Profeti a.s: Bëni kajlule në kohë të drekës, padyshim se shejtanët nuk bëjnë kajlule në kohën e drekës.”[7]

Kajlule është një pushim dhe gjumë i shkurtër që bëhet para ose pas drekës. Myslimani që bën kajlule, përpos se kryen një sunet, gjithashtu edhe mbledh fuqi për ta falur namazin e natës (tehexhudit). Është mirë për atë që ka mundësi ta kryejë këtë sunet. Gjithashtu është saktësuar nga Sehl bin Seadi se ata (të parët tanë) e praktikonin gjumin e kajlules në ditën e xhuma, pas faljes se xhumasë.

Namazi i Ikindisë

Pas kajlules Profeti a.s bëhej gati për namazin e ikindisë. Me të hyrë koha e Ikindisë, Profeti a.s herë e falte sunetin herë nuk e falte. Lidhur për sunetin e ikindisë Profeti a.s ka thënë: Kush i falë katër rekate sunet para ikindisë, Allahu xh.sh e bën haram trupin e tij për zjarrin e xhehenemit.[8]

Pas mbarimit të namazit, pa u ngritur nga vendi, Ai a.s. bënte dhikër. Enesi bin Malik r.a. transmeton se Pejgamberi a.s thotë: Qëndrimin me një popull që përmend Allahun prej namazit të ikindisë e deri në perendim të diellit, e parapëlqej më shumë sesa lirimin e katër robërve nga bijtë e Ismailit që kanë vlerën 12 mijë derhem secili.[9]

Profeti a.s para akshamit shkonte në shtëpi dhe vizitonte secilën bashkëshorte, qëndronte nga pak dhe i pyeste për hallet e tyre. Ai a.s sillej me bashkëshortet me një moral të lartë edhe kështu e urdhëronte edhe umetin që të silleshin. Në një hadith, Profeti a.s thotë: Besimtari me besim më të përkryer është ai që e ka moralin më të mirë. Më i miri prej jush është ai që sillet më së miri me familjen e tij.”[10]

Sjellja e Profetit a.s me bashkëshortët

I Dërguari i Allahut a.s jetonte një jetë shumë modeste. Si një pjesëtar i shtëpisë, Profeti a.s merrte pjesë dhe i ndihmonte gratë e tij në pothuajse të gjithë punët e shtëpisë. Kur të gjithë punonin në një punë, edhe Profeti a.s bashkangjitej dhe mundohej të ishte bashkë me ata; rregullonte këpucët, qepte rrobat, mjelte delet, ushqente kafshët, pastronte shtëpinë dhe punë të tjera.

Pas akshamit Profeti a.s shkonte tek dhoma e gruas që kishte radhën, i ftonte gratë e tjerë dhe fillonte biseda familjare. Gratë e Profetit a.s. i vazhduan këto biseda edhe pasi ndërroi jetë Ai a.s. Ato vazhduan t’ja kumtojnë njerëzve të tjerë këto dituri të dobishme. Këto biseda pas akshamit ishin shkollë më vete për pregatitjen e dijetarëve të mëdhenj siç ishte Aisheja r.a.

Namazi i Akshamit

Pas ezanit të akshamit Profeti a.s printe për farzin e akshamit dhe pastaj i falte 2 rekate namaz sunet. Më pas preokupohej me dhikër dhe me falje të namazit evabin (2-6 rekate namaz nafile). Në këtë mënyrë priste namazin e Jacisë.

Namazi i Jacisë

Me të hyrë koha e namazit të jacisë, Profeti a.s ndonjëherë falte sunetin para farzit, ndonjëherë jo. Ndërsa pas faljes së farzit të jacisë, Profeti a.s asnjëherë nuk e neglizhonte sunetin muekked prej dy rekateve. Pas kësaj pushonte, dhe gjatë natës ngrihej për faljen e namazit të Vitrit. Në një hadith të transmetuar nga Xhabir r.a., Profeti a.s thotë: “Kush frikësohet se nuk do të zgjohet në fund të natës, le ta falë vitrin në fillim të natës, kurse kush ka vullnet dhe shpreson se do të ngrihet në fund të natës, le ta falë vitrin në fund të saj, sepse namazi i natës është i dëshmuar (nga engjëjt) dhe kjo është më e mirë.”[11]

Pas namazit të jacisë nuk preferonte të fliste. Na tregon Abdullah ibn Mesudi r.a.: I Dërguari i Allahut a.s na ka ndaluar të bisedojmë pas namazit të jacisë”.[12]

I Dërguari i Allahut a.s pas jacisë nuk preferonte të bëheshin biseda boshe dhe të pa dobishme dhe si rezultat të flihet vonë, sepse për këtë arsye njerëzit mund të mos ngrihen për namazin e sabahut ose mund të kenë vështirësi të ngrihen për namazin e natës (tehexhud).

Kur nuk kishte ndonjë punë të rëndësishme Profeti a.s nuk dilte jashtë. Por kishte edhe raste që dilte, një nga rivajetet për daljen e Profetit a.s jashtë pas jacisë: Një natë Profeti a.s shkoi për të vizituar Ebu Bekrin r.a dhe Omerin r.a, aty vuri re se Ebu Bekri r.a lexonte Kur’anin me zë shumë të ulët kurse Omeri r.a me zë shumë të lartë. Pas namazit të sabahut u takua me ta dhe i tha Ebu Bekrit r.a ta ngrinte zërin pak më shumë, kurse Omerit r.a i tha ta ulte pak zërin”.

– Pushimi – Gjumi

Në një hadith Profeti a.s ka thënë: “Kur dikush shtrihet me abdes, atë natë e kalon me një melek të mëshirës. Pasi zgjohet, Meleku lutet për të: “O Allahu im fale filanin sepse ai natën e kaloi me abdes.[13]

Në një hadith tjetër I Dërguari ka thënë: Kur dëshiron që të shtrihesh për të fjetur, merr abdes sikurse për në namaz pastaj shtrihu në krahun e djathtë dhe thuaj:O Allahu im, unë ta dorëzova Ty shpirtin tim. Fytyrën time e ktheva kah Ti. Ty ta kam dorëzuar çështjen time. Tek Ti strehova shpinën time me dëshirë dhe frikërespekt. Nuk ka shpëtim dhe as strehim përveç se tek Ti. Unë kam besuar në librin Tënd, Kuranin të cilin e ke zbritur dhe e kam besuar lajmëtarin Tënd, Muhamedin të cilin e dërgove. Ai person i cili e thotë këtë lutje dhe vdes, vdes në natyrën e pastër islame. Këto të jenë fjalët e fundit.[14]

Sipas Aishes r.a: Profeti a.s para se të flinte, i bashkonte duart thoshte Suren Ihlas, Felek dhe Nas; u frynte duarve dhe prekte çdo pjesë të trupit që mund të arrinte, duke filluar nga koka. Këtë e përsëriste tre herë”. Para se të flinte lexonte edhe Kuran.

Mënyra e fjetjes

Mënyra e fjetjes së Profetit a.s ishte si në vijim: Me të hyrë koha e Jacisë, Profeti a.s e falte namazin, I bënte lutjet e para gjumit dhe pushonte. Shtrihej në krahun e djathtë dhe shuplakën e dorës e vendoste poshtë faqes. Pas mesit të natës, ose pasi kalonte një e treta e natës zgjohej, i pastronte dhëmbët me misvakun që gjithmonë e linte sipër kokës, merrte abdes dhe e fillonte me ibadete.[15]

Adhurimet e natës

Na transmetohet prej Aishes r.a: Profeti a.s. qëndronte në namaz ose falej derisa i ënjteshin këmbët. Kur e pyeta përse vepron kështu deri sa Allahu të ka falur gabimet e kaluara dhe të ardhshme, Ai (a.s.) tha: A mos të jem edhe une rob falënderues?[16]

Duke qenë se namazi i natës (tehexhudi) për të Dërguarin e Allahut s.a.s ishte vaxhip, Ai kurrë nuk e neglizhonte. E këshillonte edhe umetin e Tij që ta falnin atë (tehexhudin).

Ebu Hurejre (r.a) transmeton, se Profeti a.s ka thënë: “Shejtani lidh tre nyje pas kokës kur ndonjëri prej jush bie në gjumë. Për çdo nyje troket dhe thotë: ke një natë të gjatë, prandaj fli. Nëse zgjohesh dhe e përmend Allahun, zgjidhet një nyje. Nëse merr abdes, zgjidhet nyja e dytë e nëse falesh zgjidhet nyja e tretë. Nëse vepron kështu gdhin i lumtur dhe i disponueshëm, në të kundërt gdhin i padisponueshëm dhe përtac.

Në një hadith tjetër Profeti a.s ka thënë: Natën është një orë, kush mund të qëlloj duke bërë lutje në atë orë, padyshim se Allahu do të japë atë punë të hajrit që kërkon rreth dynjasë ose Ahiretit. Kjo ndodh çdo natë.”

Pas namazit të natës (tehexhudit) përgatitej për namazin e sabahut. Në shtëpi falte sunetin e sabahut dhe shkonte në xhami për të falur farzin e sabahut me xhemat.

I jepte rëndësi Teubes

Brenda ditës bënte istigfar rreth 100 herë dhe e urdhëronte edhe umetin e Tij për këtë: O ju njerëz, drejtojuni Allahut me tevbe (pendim) dhe kërkim falje (Istigfar), edhe unë i bëj tevbe Allahut nga 100 herë në ditë.”[17]

[1] Muslimi

[2] Ebu Davud, Nesai, Ibn Hibban

[3] Taberani, ibn Hibban

[4] Tirmidhiu

[5] Buhariu

[6] Taberani

[7] Muslimi

[8] Taberani

[9] Ebu Davud, Ebu Ja’la, Ibn-i Ebi’d-Dunja

[10] Ebu Davud, Tirmidhi

[11] Muslimi

[12] Ibn Maxhe, Salat 12

[13] Ibn Hibban

[14] Buhariu, Muslimi, Imam Malik, Tirmidhiu

[15] Tirmidhiu

[16] Buhariu, Muslimi

[17] Transmeton Muslimi

Postime të ngashme

%d bloggers like this: