Nëse flisni, thoni të vërtetën

Islami ka vendosur norma dhe rregulla morale të rëndësishme për ti gjykuar njerëzit, duke u kërkuar ithtarëve të tij, të flasin drejt, duke filluar nga vetja. Thotë Allahu xh.sh në Kur’an: “O besimtarë! Bëhuni zbatues të palëkundur të drejtësisë, duke dëshmuar në emër të Allahut, qoftë edhe kundër jush ose kundër prindërve dhe të afërmve tuaj.”[1] Drejtësia përfshin jo vetëm veten dhe të afërmit, por duhet të aplikohet edhe ndaj të largëtit dhe të urryerit. Thotë Zoti në Kur’an: “Le të mos ju nxisë urrejtja ndaj njerëzve për të bërë padrejtësi. Bëhuni të drejtë, se kjo është më afër devotshmërisë dhe frikësojuni Allahut!”[2]

Allahu xh.sh kërkon drejtësi edhe ndaj idhujtarëve kundërshtarë, të cilët e dëbuan Profetin Muhamed s.a.s bashkë me besimtarët e tjerë nga vendlindja, duke ua ndaluar vizitën e Qabes. Thotë Allahu xh.sh në Kur’an: “Dhe, të mos ju nxisë urrejtja ndaj disa njerëzve, që ju penguan të vizitoni Qabenë, pra, kurrsesi të mos ju nxisë që t’i sulmoni! Ndihmojeni njëri-tjetrin në punë të mira dhe në të ruajturit nga të këqijat dhe jo në gjynahe dhe armiqësi.” Frikësojuni Allahut, sepse Ai dënon ashpër![3]

Të thuash të drejtën është themeli dhe baza mbi të cilën bazohet çdo gjykim ndaj njerëzve sipas Islamit. Zoti e ka bërë obligim në mënyrë absolute, në çfarëdo rrethane, gjendje dhe me çfarëdo personi, me ata me të cilët pajtohemi dhe me ata që kemi mospajtime, për veten dhe për tjetrin, për myslimanin dhe jomyslimanin, në çështjet parësore dhe aty dytësore. Thotë Ibnu Tejmije, Zoti e mëshiroftë: “Drejtësia është e kërkuar prej çdo kujt ndaj kujtdo, në çdo rrethanë, në çdo vend dhe situatë. Zullumi është haram për këdo dhe ndaj kujtdo, në çdo situatë, në çdo vend dhe në çdo gjendje.”[4]

Përgjegjësia individuale në Islam, e bën myslimanin përgjegjës në mënyrë të drejtpërdrejtë vetëm për atë që thotë, mendon, gjykon dhe beson ai vetë, jo për mendimin e fisit, partisë apo grupacionit me të cilin identifikohet, si para njerëzve ashtu dhe para Zotit, në këtë botë dhe në tjetrën. Thotë Zoti në Kur’an: “Çdo njeriu ia kemi varur në qafë llogarinë për punën e tij dhe Ne, do t’ia paraqesim Ditën e Kiametit librin, që do ta gjejë të hapur (e do t’i themi): “Lexoje librin tënd! Ti mjafton sot si llogaritar kundër vetvetes!”[5] “Çdo njeri është peng i veprave të veta.”[6]

Allahu xh.sh ka urdhëruar që njerëzit të trajtohen me dashamirësi dhe butësi, pasi kjo është më pranë drejtësisë me ta dhe për ta, duke sanksionuar këshillën e sinqertë dhe fjalën e mirë. Thotë Zoti në Kur’an: “Thuaju, robërve të Mi, që të flasin atë që është më e mira. Në të vërtetë, djalli mbjell ngatërresa ndërmjet tyre. Vërtet, djalli është armik i hapët i njeriut.”[7] Vetë ftesën Islame, Zoti e ka obliguar të shoqëruar me mirësi dhe butësi. “Thirr në rrugën e Zotit tënd me mençuri dhe këshillë të bukur dhe diskuto me ata në mënyrën më të mirë! Me të vërtetë, Zoti yt i di më së miri ata që janë shmangur nga rruga e Tij , e di më së miri ata, që janë në rrugë të drejtë.” [8] Fjalën e mirë dhe drejtësinë me njerëzit, Zoti e kërkon nga të gjithë, teksa thotë në Kur’an: “do t’u thoni fjalë të mira njerëzve”.[9] Një koncept i tillë, kultivon në mendjen e myslimanit dhe në marrëdhëniet e tij me të tjerët, frymën e drejtësisë, të mesmes së artë dhe komunikimit konstruktiv. Zoti na tregon se profetët janë dërguar si mëshirë për mbarë botët. Thotë Zoti në Kur’an: “Dhe Ne nuk të kemi dërguar ty (o Muhamed), veçse si mëshirë për botët.”[10]

Mëshira dhe dhembshuria janë vlera dhe virtyte sublime, me të cilat karakterizoheshin profetët e Zotit, por dhe ndjekësit e tyre të cilët trashëguan kumtimin e mesazhit prej tyre, trashëguan moralet dhe mëshirën. Prandaj dhe një nga cilësitë dhe tiparet e ithtarëve të traditës profetike, është se janë njerëzit më të mëshirshëm për krijesat e Zotit. Sa më shumë që myslimani i afrohet nurit të Zotit, udhëzimit të Tij dhe rrugës së drejtë, rrezaton drejtësi dhe morale të larta me të gjithë. “Çdo lavdërim i përket Allahut, Zotit të botëve, të Gjithëmëshirshmit, Mëshirëplotit.”[11] Sa më shumë që njerëzit largohen nga morali i mëshirës, në anën tjetër afrohen me instinktin e agresivitetit dhe urrejtjes. Ata i harrojnë dispozitat e Islamit në marrëdhëniet me njëri-tjetrin, si me ata me të cilët ndajmë të njëjtin mendim, ashtu dhe me kundërshtarët. Kjo çon në inskenimin e formave të padrejtësisë karshi tjetrit, sjelljes së ashpër dhe agresivitetit verbal, gjë kjo e ndaluar nga Zoti në librin e Tij, Kur’anin Fisnik.

 

[1] En-Nisa: 135

[2] El-Maide: 8

[3] Maide: 2

[4] Koleksioni i fetvave, 19/44

[5] El-Isra: 13-14

[6] Et-Tur: 21

[7] El-Isra: 53

[8] En-Nahl: 125

[9] El-Bekare: 82

[10] El-Enbija: 107

[11] El-Fatiha: 2-3

Postime të ngashme