Nëpër Kelmend, majave të turizmit
Afro 90 vite më parë, një nga shqiptarët më të kënduar të kohës, studiuesi dhe përkthyesi Stavro Frashëri nga Korça, që shoqëronte një antropolog amerikan nëpër viset e epërme veriore, shkruante “shqiptarë jemi, por Shqipërinë nuk e njohim”. Na duket se thënia e tij vlen dhe sot, shqiptarët pak e njohin Shqipërinë, edhe pse me mundësi të pakrahasueshme me ato mote. Sidomos të rinjtë më mirë njohin rrugët e Romës e të Athinës se Alpet e vendit të tyre. Ky nuk është një qortim për ata, se sa për ne të tjerët, që vetëm i numërojmë mungesat atdheut tonë nëpër mediume të ndryshme, pa thënë ndërkohë atë që ka ndryshuar për mirë, ku më pak e ku më shumë, jo me një qeveri a një tjetër, por në vazhdimësi, veçanërisht në dhjetëvjeçarin e fundit.
Leqeve të Hotit, si asnjëherë më parë
Cilido që merr sot udhën për në Këlmend, Leqet e Hotit do t’i kalojë jo më nëpër një rrugë të humnershme, të frikshme, ku dikur mezi çapiteshin skodat e trupave që uleshin me uturimë nga bjeshkët. E ka lënë pas atë realitet të vranët rruga moderne që ka përfunduar deri në Tamarë, e për pak javë mbërrin në Selcë, për të vazhduar më pas drejt Lëpushës e Vermoshit, duke u lidhur me Plavën matanë kufirit. Kantieri i rrugës në breg të lumit, plot makineri të rënda, është i gjithi në lëvizje. Ja, kjo gjë nuk ka patur publicitetin e merituar, që më në fund Këlmendi ka hyrë në rrugën e zhvillimit, me turistë të ardhur nga shtete të ndryshme, që udhëtojnë me fuoristrada, motoçikleta etj.
Në Selcë, një çast, zbresin nga mikrobusi dhe marrin përpjetë malit në këmbë me çantat e shpinës si alpinistët. Nuk janë dy e tre të huaj, por 10-15 vetë, që vijnë nga Lëpusha, hirushja e turizmit këlmendas. Rruga e re, për të cilën na thonë se ka një kujdes të posaçëm qeveritar, e ka ridimensionuar jetën, peizazhin arkitekturor këlmendas. Ajo ka jo vetëm standardet e kërkuara ndërtimore, por dhe sinjalistikën e nevojshme, përfshirë dhe atë turistike, që rrallë e gjen dhe afër Tiranës. Sapo del në qafën ku është ballkoni natyror, nga vështron Leqet e Hotit, si një gjerdan kryq e tërthor, e ndjen se një dorë e kujdeshme profesioniste ka punuar me guidën në terren, tabelat, hartat, fotot artistike, shenjat orientuese. Turisti e merr vesh që në hyrje, skemën nga do të shkojë nëpër Këlmend, sapo të ketë prekur lumin e Cemit, 62.2 km i gjatë, pa kaltërsinë, kanionet, luginat, hurdhat dhe troftën e të cilit nuk mund të kuptohet ky vend.
Mbajmë ndonjë shënim, duke bërë zakonin e vjetër të reporterit dhe të vjen keq që gazetaria e sotme e ka lënë disi mënjanë gjininë e reportazhit, se përndryshe do të na ishte dashur të shtroheshim nja dy-tre ditë me këta njerëz; për të kuptuar më mirë se si ata rrojnë me tokat e pakta të varura në brinja, a do të shpëtojnë lumenjtë e tyre nga kuçedra e hidrocentraleve, a të do të ketë dhe më shumë kultivore të troftës, siç pamë në Tamarë, qytezën mikpritëse, me lulishte, restorante dhe zyrë turizmi. Pak javë më parë në sheshin e saj, me vendas e të ardhur, u çel panairi i prodhimeve bio, nën laryshinë e veshjeve dhe ritmet e folkut të trevës, me kujdesin e Bashkisë së Malësisë së Madhe. Deri dje Këlmendi ishte komunë dhe përfshinte Tamarën, Brojën, Selcën, Kozhnjën, Nikçin, Vuklin, Lëpushën e Vermoshin, me rreth 700 banorë, ku vit për vit zhvillohet “Mis Bjeshka”, me një traditë të hershme të shpalimit të bukurisë së gruas, në përngjasim të orëve dhe zanave.
Malësia e Madhe, e lahutës dhe e historisë
Nuk e dimë, nga shtrirja gjeografike, apo nga historia i ka mbetur emri Malësia e Madhe. Pasi kemi prekur sadopak të sotmen e këtyre anëve, kundrojmë në të kaluarën dhe na bën përshtypje një varrezë e vjetër në Selcë, bashkë me rrënojat e një kishe të lashtë, ndoshta e fillimeve të krishtërimit. Malësia e Madhe është një thesar dhe në këtë anë, mjaft të sjellësh ndërmend varrezën e famshme të Vuksanlekajt afër Tuzit. Udha për në një tempull të tillë qendrese është gjithnjë emocionuese, pasi shkon drejt njerëzve që kanë bërë histori e ti duhet ta njohësh atë. Hotjanët, këlmendasit, grudasit etj. i dhanë gjak e emër historisë shqiptare kundër copëtimit të trojeve etnike. Ndërsa nuk kemi ndonjë udhërrëfyes drejt Deçiqit, i drejtohemi një poeti të këtyre anëve, Nokë Sinishtajt, që e ka derdhur Malësinë e tij si ujëvarë nëpër “deka kujtimesh” (deka- zogj).
Për poetin Bratila, “asht kërthiza”, “gjaku i jetës”, “gurra” e shpirtit. Por nuk kemi dëgjuar që të ketë marrë udhën drejt Bratilës ndonjë nga udhëheqësit tanë, jo se do t’i shtonte diçka më shumë faqes së bardhë të kësaj Malësie. Në majën e Bratilës në Deçiq me 6 prill 1911 qe ngritur flamuri kombëtar nga Dedë Gjo Luli. Mbase zyrtarët e lartë e quajnë një ngjarje lokale? Mbase nuk kishin marrë leje në instancat e vjetra të PP-së, që i kanë vendosur “njëherë e mirë” fatet e historisë. Mirëpo nuk është kaq e thjeshtë, se ai flamur ngrihej kur ende ishim nën pushtimin turk dhe vlonin si asnjëherë kryengritjet për Pavarësi, ku për këtë qendresë monumentale Malësia e Madhe është nderuar me titullin “Nderi i Kombit”. Dedë Gjo Luli i Traboinit është miti dhe baca i saj. Nuk do t’ia falnin serbët as katër vite më vonë atë “flamur” në majë të Bratilës, duke e ndjekur deri në Orosh, ku do të vritej mizorisht së bashku me shtatë mirditas besnikë, përndryshe “shtatë lajthizakët”, nga fshati Lajthizë.
Por asgjë nga këto nuk i bind historianët tanë kriptomarksistë dhe shtetarët postkomunistë për t’u ngjitur deri në maje të Bratilës e në pllajën kuvendore të Gerçës. Mundet që mendohet se kështu i hiqen “pikë” Vlorës, se është ai qyteti i Flamurit etj. Por para se të ishte Vlora, siç dihet, do të ishte Durrësi, rrethanat bënë që Vlora të shugurohej si kryqyteti i Pavarësisë dhe kështu do të njihet jetë e mot me plot meritë. Ama edhe në Deçiq qe ngritur po ai flamur, flamuri i Gjergj Kastriotit, dhe kjo ndodhi se malësorët e kishin nën kontroll territorin e tyre, që e ruanin si dritën e syve të pashkelur. Kishte një vazhdë të pashkëputur pavarësimi nga Deçiçi te Vlora, çka e tregon dhe fakti se në këto lartësi alpine u nënshkrua Memorandumi i Gerçës, më 23 qershor 1911, i hartuar nga Luigj Gurakuqi e Ismail Qemali, si dhe nënshkruar nga burrat më në zë të maleve, nga Dedë Gjo Luli te Mehmet Shpendi, atdhetarë të kulluar, po që për mendësinë e mëvonshme ishin “bajraktarë”(!?) Sidoqoftë nuk është rasti për t’u zgjatur me historinë. Në mos sot, nesër, ajo do të vijë siç ka qenë e jo siç e kemi ujdisur ne me ideologji, duke lënë pa piedestal Prenkë Calin e të tjerë luftëtarë kombëtarë.
Drejt Alpeve, bashkë me rrugën e re
Nëse gjatë tranzicionit Alpet ishin kredhur në vetmi, sot përherë e më shumë i “qarkon” me makinë, nga Rugova, Valbona, Thethi, Vermoshi, Plava. Nuk bën më përshtypje këndej targa PL, po dikur as të arratisurit s’kalonin dot, ngaqë kufiri ishte hermetik dhe i përgjakur. Kurse tani në Plavë venë piktorët nga Tirana në koloni, profesorët dhe ish-presidentët për historinë dhe abetaret shqipe. Në këto vende nuk mbetesh asnjëherë pa shoqërues të mëdhenj a të vegjël, dhe ne patëm dy të tillë, vëllezërit adoleshentë Dreshaj, Klodjani dhe Klevisi, të cilët në Rrapshë të Hotit, nën hijen e një bliri me kurorën plot lule na treguan “Pusin e Rrapshës”, si një monument kulture, që e kishte pas hapur dikur një plak i atij vendi, vetëm që të mos i thaheshin buzët asaj popullate me pak uji. Kur po ndaheshim, njëri nga ata na drejtohet: “S’do t’ju harroj!” Mbetesh i befasuar. Nuk ta ka thënë askush këtë, as miqtë e vjetër, pasi kjo është një kohë ku ti harron dhe të tjerët harrojnë.
Por duhet të ngjitesh deri në këto male për të kuptuar se palca shqiptare ende nuk është shprishur. Ndaj më shumë se rrugët e kuadruara bukur, natyra e qeshur, shkrepat epikë, është kjo arsyeja që në fillim të shkrimit sollëm atë shprehjen “shqiptarë jemi, po Shqipërinë nuk e njohim”. Nuk njohim njeriun përtej qendrave urbane. “S’do të harroj!” Sa dinjitet ka në këtë fjalë. Rapsodia ka qenë shpirti dhe gjuha e Malësisë, ndaj kam për t’i kërkuar mikut tim, rapsodit vital të kësaj Malësie, Jonuz Delaj, që të thurë një rapsodi te re me lahutën e tij, këtë motiv njerëzor mijëvjeçar.
Së fundi, vrasim mendjen për ndonjë urim përmbyllës dhe zor se gjejmë diçka më poetike se kumtin e Sinishtajt: “O Malësi! Kjosh e rrnosh sa të jetë Jeta!”, i cili përtej Atlantikut i “telefonon” vendlindjes së tij të cemtë, si ujët e kthjellët të Cemit.
Ndue Dedaj