Në gjithësi sundojnë të kundërtat
Nga grimcat e gjer te galaktikat, në çdo gjë ne vëmë re antagonizmin e polarizuar plus-minus. Fundja, nga ky antagonizëm buron uniteti i përsosur dhe rregullsia e pagabuar në gjithësi. Edhe njeriu duhet t’i përshtatet këtij ligji të krijimit në mënyrë që të ruhet uniteti në shoqëri. Pra, njerëzit duhet t’i përpjesëtojnë mes tyre gjendjet antagoniste, gjë që do të thotë të pranohet fakti që disa të jenë të pasur, disa, të varfër, disa të jenë të ngopur, disa, të uritur, disa të jenë të sëmurë e të gjymtuar, disa, të shëndoshë e pa të meta. Ashtu siç nuk është e mundur që gjithësia të grumbullohet e tëra në njërin pol (negativ ose pozitiv), nuk është e mundur as që të gjithë njerëzit të mbahen në të njëjtën gjendje dhe nivel. Çdo ndërhyrje e bërë nga jashtë, do ta prishë këtë ekuilibër sundues dhe harmoninë që siguron uniteti. Edhe zhdukja e gjarpërinjve dhe minjve, madje, që do të thoshte të hiqej një fjali nga libri i natyrës duke ia prishur kuptimin përmbajtjes së tij, ndikon negativisht mbi rregullsinë dhe ekuilibrin në natyrë. Të tentosh për t’i bërë të gjithë të pasur ose të gjithë të varfër, është njëlloj, për sa i përket ndikimit negativ mbi rezultatin, si të tentosh t’i bësh të gjithë meshkuj ose të gjithë femra! Mjerë për gjithë ato përpjekje që kanë shkuar e shkojnë kot!