Vite të ngjeshura brenda sekondash

Haxhi është një adhurim, prandaj ai duhet realizuar vetëm pse ashtu është urdhëruar prej Allahut. Sepse Ai është I Adhuruari Absolut, I Merituari i vetëm për të qenë Qëllim, dhe adhurimi ynë karshi Zotit Mëshirues është si e drejtë e Tij, ashtu dhe detyrim i yni. Andaj, çdo besimtar, fillimisht si një shprehje e bindjes karshi një detyrimi të ardhur nga Allahu (xh.sh.), I Cili na ka mbuluar nga të gjitha anët me mirësitë e Tij të pafundme, duhet ta kryejë këtë adhurim, si dhe të mundohet që me një qëllim të pastër, t’i drejtohet Allahut, duke e vlerësuar siç duhet pasurinë dhe thellësinë e atyre vendeve të shenjta.

Për këtë, fillimisht njeriu duhet të jetë tërësisht i vetëdijshëm se ku po shkon. Patjetër, udhëtari i haxhit duhet ta dijë se ky udhëtim është drejt një vendi që për nga vlera është projeksioni i Sidretul Muntehasë[1], si dhe një botë ndaj së cilës është Allahu Ai që po të drejton. Ai duhet të jetë në dijeni të plotë se po drejtohet kah mihrabi i Allahut, prandaj edhe atje duhet të mbërrijë me një zemër që i vlon prej po këtyre ndjesive. Gjithashtu, atje duhet të mundohet që ta plotësojë detyrën e haxhit me të gjitha farzet (detyrimet), vaxhibet (domosdoshmëritë), sunetet, mustehabet dhe gjithë etikën e kryerjes së një detyre të tillë. Atje duhet të jetë i drejtuar plotësisht vetëm kah Allahu. Me fjalë të tjera, besimtari gjatë detyrës së haxhit duhet të nisë për Allahun, të veprojë për Allahun, të ulet për Allahun, të çohet për Allahun, për Allahun të ecë në drejtim të Qabes, për hir të Allahut duhet t’i hapë duart për t’u lutur, po për Allahun duhet ta mbështesë fytyrën pas Multezemit, për Allahun duhet ta përkëdhelë Gurin e Zi, e po për Të ta puthë, për Allahun të ngjitet në Mina, për Allahun të gjendet në Arafat, dhe po për Allahun të zbresë në Muzdelife… Me pak fjalë, çdo veprim duhet ta bëjë veç për hir të Allahut, kësodore që brenda sekondave të kaluara atje të ngjeshen vite të tëra me lejen dhe me ndihmën e Allahut.

Veç këtyre, besimtari gjatë të gjithë këtij udhëtimi duhet të shmanget prej ambienteve që mund të bëhen shkak për t’u marrë me gjëra të pavlera dhe të papëlqyeshme. Me sa të ketë mundësi ta shmangë çdo veprim të pamatur e të kotë, madje edhe të largohet prej njerëzve që merren me gjëra të tilla. Në vend që të hyjë në biseda të panevojshme, duhet të kërkojë ato vende ku shkrifen zemrat dhe sytë rrëmbushen me lot. Për shembull, gjendja e një të dashuruari pas Profetit që qëndronte i ngjitur pas parvazeve më pati sëmbuar thellë në zemër. Shihni se ç’thoshte ai njeri i lartë: “O I Dërguari i Allahut! Ka ditë që jam këtu, e nuk ta dëgjova dot zërin. Tani do të shkoj në Qabe. Çfarë t’u them atyre, nëse më pyesin se çfarë u çova?” Sa e sa gjëra të ngjashme belbëzonte ai njeri, saqë ishte e pamundur të mos prekeshe. Duhen kërkuar me kujdes të gjitha rastet e tilla, që ndjellin një emocion aq të thellë në zemra, dhe gjithmonë, çdo lëvizje duhet bërë e shoqëruar me mendimin “Ku i dihet në më bie edhe një herë për pjesë diçka e këtillë?”

 

[1] Pika e fundit ku mund të arrijë qenia njerëzore, që tregon gjithashtu edhe një kufizim të kësaj bote. Është pika e fundit ku ka mbërritur Profeti Muhamed (s.a.s.), Krenaria e Njerëzimit, e cila quhet shpesh si kati i shtatë i Qiellit.

 

Postime të ngashme

%d bloggers like this: